Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Hana në smoking

Muhabeti  që nisi dikur rrugëtimin e gjatë për bendin Tuxedomoon, të pakontestuar në qasjen avant-gardë ndaj artistllëkut që përshfaqën që në vitet ’80, ishte bashkëlidhje, apo eksperiment  në mes tingullit mekanik të Karftwerk dhe postulatit zhurmues post-punk. Për një vesh të zakonshëm: masën, kjo nuk ishte aspak festive e aq më pak e pranuar. Nëse do e lulëzoja edhe më shumë – për ata që nuk i njohin – Tuxedomoon mund t’i paramendoni si Crime and the City Solution kur ja shtoni tetarin dhe vetëbesimin e bacit Cave me të perçudshmit e tij, Farat e Hithave.

Half – Mute ishte editimi i parë i bendit në vitin 1980 dhe erdhi aq fuqishëm dhe po aq çuditshëm saqë, këtë vit vendosën që në jubileun e dekadës se katërt të editimit ta rikthejnë edhe një herë në çalldisje.  Turneun e quajtën thjesht Half – Mute dhe vetëm kangët nga kjo përmbledhje i çalldisën. Tuxedomoon editimet e veta i plasojnë nga San Francisko, gjegjësisht nga shtëpia e pavarur diskografike Ralph Records, për të cilën editojnë vetëm edhe mistikët The Residents, për të cilët nuk dihet se kush janë pasi që paraqitën të maskuar.

Duke i shiku në skenë Tuxedomoon dhe duke e rikujtu The Residents që i pata shiku duke calldisë disa vite më parë, jam i bindur se Steven Brown Joeboy dhe Reininger janë vet The Residents! Nuk kam as më të voglin dyshim!

Image

Salla ku shtrihej çalldisja – skena, mbytej nga një dritë e kaltër parisiene, me nuanca të vogla e aty këtu i vizëllonte instrumentet që ishin vendosur në skenë, ndërsa hapësira e vogël e sallës, ma e vogël, por shumë e ngjashme me teatrin tonë Oda, pothuajse ishte errët. Fundja, ky imazh i përshtatej konceptit të bendit. Pas një udhëtimi jo të gjatë me Bexhin me të cilin bashkë i kemi përcjellë edhe Depeche Mode dhe Iggy Pop-in me Stooges, ishte kënaqësi me i pa dy rreshta shkalle afër skenës në anën e majtë të saj, me u ulë e me pritë deri sa burrat dalin me çalldisë në skenë. Nuk ma thotë mendja se ishim mbi 300 vetë aty, e kjo e bënte koncertin edhe më të lezetshëm saqë, ndonjëherë, mendoja se duke ia mbaru qefin vetit se Tuxedomoon kanë ardhë  sonte veç për hatër timin me çalldisë. Nejse, ndodhë që njeriu të ndihet edhe kështu!

Publiku nuk ishte i ri në moshë, mesatarja mund të sillej mbi të katërdhjetat. Natyrisht, aty- këtu, kishte edhe ndonjë të ri/re njëzetepesë vjeçar/e, por numëroheshin në gishtat e duarve. Komplet te veshur zi. Më e bukura në tan’ atë errësirë ishte një çupulinë 25 vjeçare – kujtoj – që shndërriste me flokët e bardha si qiri dhe, ec e merre vesh, gati e zhveshur, me pak dantellë të bardhë, ajo të bënte të besosh se është vetë riinkarnimi i Cicolinës – porno yllit Italian të viteve’80, me theks te veçantë dhe për t’u shënuar, më vonë deputete në parlamentin Italian. Tan’ ky muhabet s’do përmendej po të mos i shkrepte së paku 200 selfie gjatë çalldisjes – 1 orë e 20 minuta sa zgjati koncerti. Për këtë, miq, betohem se e them të vërteten dhe vetëm të vërtetën!

Bendi doli në skenë me përbërjen standarde me të cilën çalldisë për dhjetë vite edhe pse flitej se kohë pas kohe i mbyllin birat me ndonjë muzicient ad-hock. Mania e ribashkimit, e shoqëruar me një dalldisje për shumicën e bendeve që kanë hyrë në dekadën e gjashtë të jetës është përjashtues për Tuxedomoon. Koncertet e tyre janë aq thjesht të punuara, thuajse dikush nga pulti mëtanë dikton skenarin e përgatitur me përpikëri. Asgjë nuk i lihet çastit, çdo gjë rrjedh si ujë: sikurse vetë çalldisja.

Katërshja në skenë udhëhiqej nga Steven Brown Joeboy në klavjaturë e saksofon dhe Reininger në violinë e kitarë. Nga prapavija mbështeteshin me basistin dhe trumpetistin si dhe në tastierët si të fëmijëve, matrica nga llap-topi si dhe me një makinë ritmike shumë diskrete në funksionim. Steven Brown Joeboy lë përshtypjen e një babloku qe ka mbledhë tan’ mençuritë e botës dhe po i ndanë me ne, fort i kandshëm. Këtë gjë ndoshta e kam nga përshtypja që mikja ime virtuale Isabelle Corbisier e ka shpalosë në librin e saj kushtuar Tuxedomoon: Music for Vagabonds.

Tuxedomoon më knaqin shpirtin kur më kthejnë në kohën kur shkruan pjesë të muzikës për filmin Der Himmel Uber Berlin të Wim Wendersit, edhe pse atë natë nuk çalldisën asgjë nga kjo pjesë e historisë së tyre, por atmosfera ishte më se prezente. Çalldisja filloi me instrumentailin Nazca që paralajmëron kabarenë që na pret në vazhdim, e pastaj shtrihet mbi sallë Fifth Column, një kangë maestrale.

Kanga tjetër 7 Years, e ilustruar perfekt me video sjell atmosferën e kangës për vetminë e skajshme, atë të padurueshmen. Klithma nga publiku… dhe pason kanga: KM/Seeding the Clouds për njerëzit që jetojnë në re dhe në rastin më të keq, shesin re. Kanga What Else? fillon me një kallabllëk elektro remiksesh të pafundme dhe – kangë mas kange – pjesa e parë mbaron me  Muchos Colores që të asocion me atmosferën e filmave parody western meksikanë ku tre gringos sharllatanë terrorizojnë një fashat të plurosun mes shkretëtire. E fuqishme, e hareshme, dramatike: seni – me t’tranu krejt, ama bash krejt! E tan’ këtij muhabeti rreth kësaj pjesës së çalldisjes nuk mundem pa e shtu edhe faktin se tan’ kohën, si hije, më bëhej se në skenë rrinte Aldus Huxley, ashtu si statujë që vrojtonte tan’ ngjarjen dhe veç sa nuk nuk thoshte me krenari: Këta janë djemtë: Tuxedomoon! Kanë diçka të përbashkët!

Të pakompromis dhe elekuentë ne skenë, nonshallantë në elementin e muzikimit dhe lëvizjeve gjatë çalldisjes, të aftë për të krijuar përshtypjen e një kutie ku si në hipnozë të marrin me vete, të  fusin aty dhe të tranojnë me tan’ ato kakofoni saqë për besë, fillon me dyshu në vete se a mos pa dashje ke shkelë në ndonjë këpurdhë dhe se efekti ka fillu me kry punën e vet. Duke përdorë ngjyra të çuditshme tonesh e tingujsh që për bazë kanë kolona narrative dhe njëkohësisht objekte hulumtimi, Tuxedomoon çalldisjen e tyre shpeshherë e kanë sjell në kufi të eksperimentalizmit. Kjo qartëson faktin se avantgarda kurrë nuk ka qenë romantike.

Image

Sa i përket vet emrit të bendit kjo mbetet e pa sqaruar nga ta, fundja, as që është aq e rëndësishme. Ideja themelore e Reinsingerit ishte që Tuxedomoon të jenë kombinim i muzikës, teatrit dhe letërsisë. Ky kombinim mbeti një mozaik në veprat e tyre, një projeksion multimedial i prezantimit. Nga ana e kritikëve ata u quajtën: Qytetarë të veprave që arritën të ruajnë autonomitetin e tyre. Konstatim ky shumë i vërtetë!

Në skenë, Tuxedomoon, pos që erdhën me çalldisë, krijuan një kabare të vocërr ama jo asi alla Paris, por kabare me estetikë alla post-punk. Tan’ ky gjymysh e katapulton bendin aq larg saqë, e mira e së mirës, e humbë kuptimin esencial duke e dërguar bendin një stad më lartë – në momentumin e çalldisjes së hallakatë deri në pafundësi. Tan’ ky skenizëm nuk është i rastësishëm, sall. Rrënjët i ka te bashkëpunimet që ka pasë bendi me teatrot, ndërsa mendohet se janë bendi i parë që në skenë dhe në prapavijë, futën videobimin dhe lëshuan video të cilat janë rradhitë njëra pas tjetrës duke bashkëvepru në mënyrë multimediale. Ok, Velvetet e kanë patentuar këtë çudë skenike, por Tuxedomoon e kanë kanalizu në diçka përmbajtësore. E kjo edhe në çalldisjen e asaj nate ishte aq mirë e sinkronizuar saqë vi-xhej kishte përzgjedhë me shije të hollë anën vizuele të prezantimit.

Të vetëdijshëm për prezencën e tyre dhe konceptin që ofrojnë në çalldisje, Tuxedomoon shkojnë aq larg dhe assesi nuk bëjnë kompromis që, së paku, në rikthimin në skenë pas pjesës zyrtare t’i këndojnë kangët In A Manner of Speaking dhe No Tears, kangë kjo që i kalon edhe kufijtë e eksperimentit të bendit Pere Ubu, kangë që se paku për masën janë reprezentative. Fundja, së paku In A Manner of Speaking – për mua sa i përket komplet Tuxedomoon – është një kangë e lehtë dhe e kandshme, një lemonadë melankolike muzikore. Megjithatë, tan’ kjo nuk e minimizon aspak madhështinë këtij sateliti të tokës veshur në smoking.

Ne fund të fundit, për ne të treqind te pranishmëve, ishte kjo edhe një orë e lëndës së muzikës që duhej patjetër me u dokumentu si dëshmi e përjetimit organik. Orë e muzikës së popullarizuar, interesante dhe përmbajtësore me një disiplinë skenike po aq e sinkronizuar sa edhe e largët në distancë, bile, aq e largët karshi paketimit muzikor, të them për shembull: One Direction apo ndonjë paketimi tjetër…edhe ma palidhje!

Qe nga ajo natë, Hanën nuk e sodis më sikurse e kam soditë më parë!

Image

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.