Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Kosova pasosmane në studimin e Schmitt-it

“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt ndahet në dy pjesë. E para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, kur edhe libri botohet në gjermanisht. Ky shkrim shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.

Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës gjatë shekullit 20. Nuk përmendet, fjala vjen, kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet gjatë saj mes politikanëve shqiptarë të Kosovës, në bejlerë e agallarë, që kundërshtonin autonominë, dhe udhëheqës të kryengritjes, që synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912, mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbetë të lidhur fort me Perandorinë Osmane, që shpjegon degradimin e kërkesave të tyre në autonomi joterritoriale.

Ndër komponentët më interesantë dhe më së miri të argumentuar në libër është spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës, të ushtruar nga Serbia, por edhe nga shqiptarët gjatë tërë shekullit 20. Megjithëkëtë, kur trajtohen krimet e forcave serbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Përveçse nuk sqarohet kund se të vrarët janë civilë të pafajshëm, këta edhe kategorizohen papërjashtimisht si myslimanë. Megjithatë, nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi e Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet edhe të shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat sërbo-malazeze.

Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, si edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Sërbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për mënyrën e trajtimit të krimeve të kryera kundër sërbëve nga grupe të armatosura shqiptare gjatë qëndrimit të trupave austro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt këtu jep veç versionin serb, i cili është i ekzagjeruar.

Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, siç janë Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944), pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja këto organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diametralisht të ndryshme. Ndërsa Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Sërbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron poashtu se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë, e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. As nuk sqarohet se vetë partizanët komunistë të Kosovës u përçanë brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. (Ky i fundit madje nuk përmendet fare në libër).

Autori nuk saktëson se edhe pas LDB-së në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja”, që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Ranković-it, autori do të bënte mirë të saktësonte se gjendjen e tmerrshme të shqiptarëve gjatë kësaj periudhe e kundërshtonte Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 nën udhëheqjen e Adem Demaçit, më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para mbas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968 nuk krijohet pas rënies së Ranković-it, siç pohon Schmitt, por më përpara, sepse mu të rinjtë e LRBSh-së janë ata që i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat – siç e thotë edhe vetë Schmitt-i – e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.

Segment interesant dhe i mirëtrajtuar është ai mbi mungesën e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtonte mungesën e mbëshetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.

Schmitt nuk shfrytëzon fakte të mjaftueshme për ta demaskuar propagandën e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte ta përgatisë terrenin për suprimimin e autonomisë së Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë disa shifra dhe ngjarje mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt duket se bie pre e propagandës shqiptare, si p.sh. te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90.  P.sh., Schmitt pretendon se më 1981 u vranë ‘qindra shqiptarë’, kurse në të vërtetë u vranë vetëm 9 demonstrues. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë të armatosur kundër Sërbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara. Pas luftës në Kosovë 1998-1999, një pjesë e konsiderueshme e të akuzuarve e pranojnë se ato procese nuk kanë qenë të montuara dhe se ata vërtet kanë qenë pjesëtarë të ministrive të mbrojtjes dhe të brendshme të Republikës së Kosovës.

Ngjarje të rëndësishme të viteve ‘90-‘91 nuk prezentohen ose dalin me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: nuk përfshihet Deklarata Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), e pastaj, jo veç huqet data, por edhe vetë qëllimi i referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991). Duhet thënë se te periudha e viteve ‘90, Schmitt arrin t’i prezentojë në nivel deri diku të kënaqshëm rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.

Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezentimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë – UNMIK-un dhe EULEX-in, por edhe vetë Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës (Propozimi i Martti Ahtisaari-t). Këto ngjarje tregohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht.

Trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm, duke i kualifikuar njëlloj si Sërbia: “pogrome antiserbe”. Sipas fjalorëve autoritativë të anglishtes, pogrom do të thotë “vrasje/masakër e organizuar ndaj një grupi të madh të njerëzve, posaçërisht ndaj hebrenjve, për shkak të religjionit ose racës”. Si mund të kualifikohen si pogrom këto trazira, kur në to gjithsej janë vrarë 27 qytetarë, prej të cilëve 15 shqiptarë e 12 sërbë? Për më shumë, aty thuhet se “shkas për këtë ishte gjoja vrasja e tre fëmijëve nga sërbët”, e dihet mirëfilli se tre fëmijë shqiptarë vërtet janë mbytur në lumin Ibër. Po ashtu, nuk përmendet askund se liderët e institucioneve kryesore politike të Kosovës, Presidenti Ibrahim Rugova, Kryeministri Bajram Rexhepi, Kryeparlamentari Nexhat Daci, patën dalë haptas kundër këtyre trazirave. Mandej, nuk përmendet kund se rreth 40 kisha e manastire ortodokse të shkatërruara në këto trazira, ndonëse nuk dihet se kush i shkatërroi, u rregulluan më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Do të duhej të figuronte në libër edhe e dhëna se rreth 200 xhamitë e shkatërruara gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, ndonëse dihet me siguri se u shkatërruan nga forcat ushtarake e policore serbe e jugosllave, u rregulluan pas luftës me ndihmat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare.

Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat sërbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, duhet të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një në Beograd e një në Prishtinë.

Autori thekson se “shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasi atje sërbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës, natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000 u vranë 11 dhe u dëbuan 11.364 shqiptarë nga sërbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtynë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshonin paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë atje.

Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmitt-it, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mosprezentimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezentimit të njëanshëm e të nxituar të disa ngjarjeve të tjera, nuk e konkurron assesi librin “Kosova – një histori e shkurtër” të Noel Malcolm-it. Përkundër mangësive të përmendura këtu – është e pamundshme të evidentohen të gjitha në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohej kritikë e matur ndaj këtij libri me sugjerime për përmirësime eventuale, e assesi me denigrime ad hominem kundër autorit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.