Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Liria tek Jean-Paul Sartre

Recension: Përkitazi me teorinë ekzistencialiste të Jean-Paul Sartre-it.

Është interesante se pothuajse gjithçka në veprimtarinë e Sartre-it, pavarësisht se në ç’dimensione të ndryshme e sado të gjera që ato shfaqet, përmban si emërues të përbashkët çështjen e Lirisë. Ai, me një stil të veçantë, insiston në konstruktimin real të horizonteve humane ku vetëafirmohet ekzistenca si e tillë. Porse ai këtu s’është aq i rëndomtë, krahasuar me disa mendimtarë që proklamojnë të njëjtën. Ndryshe, ta zëmë nga shembulli i Kierkegaard-it, i cili në mënyrë që ta reduktojë forcën e Ankthit propozon integrimin avanturist në vizione dogmatike, Sartre gjithçka rreth këtyre problemeve e koncepton të pandarë nga vetë gjendja reale njerëzore. Praxis-i është pikënisje e pikëmbarim i studimeve teorike.

Ekzistenca e lirisë

Tendenca bazike e gjithë filozofisë të hershme sartriane është rehabilitimi konceputal i cogito-s karteziane. Ai pretendon që forca e saj racionale, njëfarë forme, është e pareduktueshme. Ajo është indiferente ndaj interferencave të jashtme eventuale. Fuqizimi i saj është në proporcion të drejtë me mundësinë e vetorientimit. Bota konceptualizohet nga horizonti meditativ subjektiv. Subjektiviteti si i tillë është kategori struktuese e konturave të saj. Ashtu si vijon kjo linjë filozofike, ndër të tjera, konsideron se specifika elementare e subjektivitetit është Qëllimësia. Mendimi ekziston si rezultat paraprak i qëllimeve. Prania e tij diku është pasqyrë e një zgjedhjeje paraprake. Nuk ekziston asnjë kategori paradrejtuese e mëvetësisë së patjetërsueshme të cogito-s. Brenda këtij varianti intencionalist, sigurisht, vizioni i Sartre-it, do ta ketë një mbështetje teorike kundër çfarëdo impakti të jashtëzuar. Cogito-ja nuk deformohet nga çfarëdo intervenimi nga jashtë. Interiorizimi eventual është gjithëherë interiozim i qëllimshëm. Përmbajtja e saj është totalisht e vetëdefinuar. Ajo është pikënisje e pakapërcyeshme. Ndryshe nga vizioni psikanalitik që pretendon dekompozimin definitiv të vetëtransparencës racionale, apo mendimeve të ndryshme predeterministe, vizioni i sipërthënë është alternativë unike për rikthim të kompetencave të cogito-s. Aplikimi i këtij momenti teorik tek Sartre është esencial në rrjedhën e pastajme të mendimeve të tij. Ajo që prezanton tek libri Situatat në trajtë të tërësishme esenën e këtyre mendimeve është konkluza famoze tek Qenia dhe Hiçi se “vetëdija çdoherë është e tejdukshme për veten, madje dhe nëse subjekti streohet prapa ekranit mashtrues të vetëmashtrimit”. Kjo, patjetër, sinonimizon një aspekt emblematik në filozofinë e tij, sepse pikërisht kjo strukturë e subjektivitetit është parakusht fundamental për zhvillim të mëtejm të një koncepti të Lirisë.

Megjithatë, kjo problematikë e pakushtëzueshmërisë absolute të subjektivitetit nuk reduktohet veç në suaza të kësaj hapësire fenomenologjike. Çështja është pak më komplekse. Sartre anulon çfarëdo mundësie të vetëvendosjes të subjektit në realitet pa praninë e Tjetrit. Ky është fakt i pareduktueshëm.

Mungesa e Tjetrit, paradoksalisht, s’është hapësirë abosulte për Unin por, parasëgjithash, pamundësi e krejtësishme e vetetablimit të tij. Tjeti shfaqet si kriterium absolut për vetënjohje. Andaj edhe Sartre tek Ekzistencializmi është Humanizëm thotë që; “kështu njeriu që zbërthehet nëpërmjet cogito-s zbulon edhe gjithë të tjerët, dhe i zbulon si kusht të ekzistencës së tij. (…) për të nxjerrë çfarëdo të vërtete për veten, duhet të kaloj nëpërmjet tjetrit. Tjetri është i domosdoshëm për ekzistencën time, zaten sikundër edhe për njohjen time që kam për veten.(…) kështu, zbulojmë menjëherë një botë të cilën do ta quajm intersubjektivitet”. Pa keqkuptime: kjo nuk presupozon mungesën relative të autonomisë të subjektivitetit. Përkundrazi. Fusha e subjektivitetit, parimisht, është e patjetërsueshme. Tjetri tek Sartre nuk është ajo kategoria imagjinare që argumenton psikanaliza lacaniane, se Uni posedon si element konstituiv perceptimin e Tjetrit. Angazhimi teorik i Sartre-it është ta përmbysë këtë version të relacioneve ndërsubjektive. Megjithëse edhe ai duket të jetë i vetëdijëshëm për konfuzitetin e përgjithshëm të këtyre raporteve. Tjetri, anipse, prodhon predispozita të reduktimit të vetëmanifestimit original, kjo nuk nënkupton mbarimin e mundësive për rikthim retroaktiv tek liria vetanake. Le ta provojmë këtë nëpërmjet një përvoje ekzistenciale që Sartre e quan ‘Fati i Keq’. Ajo, shpeshtazi, është rezultat i vetobjektivizimit nga perspektiva e Tjetrit. Njeriu aty ka prirje vetinstrumetalizimi nga Tjetri. Kjo gjendje për Nigel Warburton, tek Philosophy: the Classics 3rd edition, në të vërtetë, është e mundëshme veç, sepse “qeniet njerëzore janë përnjëherë transcendente dhe faktike. Transcendenca referohet tek mundësia jonë për të menduar përtej kësaj që ndodh tani dhe për t’u vetëprojektuar; fakticiteti i referohet asaj që ndodh tani, tek ekzistenca e dhënë që s’mund ta ndryshojmë. Ne qëndrojmë në ‘fat të keq’ duke mbajtur të ndara fakticitetin dhe transcendencën, duke u vetëmenduar të ndarë krejt nga trupi ynë (…)”.

I gjithë sfondi letrar i Sartre-it, thuajse, pasqyron vizionin e tij filozofik. Ato janë shprehje të ndryshme të të njëjtave bindje. Andaj edhe formula e sipërthënë kuptimësohet n’rast të referenës në këto modele letrare. Tek Fëmijëria e një padroni, në librin Muri, flitet për Licenienin që qysh nga fëmijëria jeton i tëhuajsuar nga perspektiva e të tjerëve. Ai është rast tipik i inautenticitetit. Imazhi i tij për veten është imazhi i Tjetrit për atë. Sado që ai kapërcen në etapa të ndryshme, prapëseprapë ekziston një distancë nga uni dhe vetja e tij. Por, megjithatë perceptimi i Tjetrit s’është në çfarëdo varianti vetobjektivizues. Ai, megjithatë, mund të anulohet. Licienti e bën këtë: në një moment ai ndien çlirimin definitiv dhe vetëzbulon lirinë e tij. Teksa heshturazi zbulon se “unë ekzistoj – mendoi – sepse kam të drejtë për të ekzistuar. E, ndoshta për të parën herë, atij i’u fanit vetëtimthi e ardhmja e vet vezulluese dhe e lavdishme. (…) Metamorfoza kishte marrë fund: në atë kafene para një ore një djalosh i qeshur pak hutaq kishte hyrë brenda, tani andej po dilte një burrë, tamam një padron midis francezve”. Në këtë vetatribuim të pakufizuar të lirisë, mbase definitivisht, kristalizohet mendimi fenomenologjik i Sartre-it brenda kësaj periudhe. Rrjedha subjektive është e lirë. Aty s’ka kurrëfarë ndërmjetësuesi me ndikim potencial. Ai është vetorientues autonom. Madje, ky segment teorik është themeli i gjithë refleksioneve të tij të mpastajme.

Territori i filozofisë, sipas Sartre, s’mund të jetë i pavarur nga aspektet ekzistenciale dhe relacioneve të tyre me botën. Në suaza të këtij konteksti filozofik Sartre në Ekzistencializmi është Humanizëm do ta shprehë, ndoshta, konkluzën thelbësore të gjithë filozofisë së tij: “Ekzistenca i paraprin Esencës, ose, po të doni, se duhet nisur nga subjektiviteti”. Në diferencë drastike nga rrëfenjat tradicionale që ekzistencën e mendojnë si shprehje sipërfaqësore të thelbeve metafizike, asgjë nuk e kushtëzon autoritetin ekzistencial. Ai vetëvetiu është fakt primar. Rreth këtij aspekti Sartre provon që ekzistenca karakterizohet nga potenciale të pakontestueshme vetafirmimi. Për rrjedhojë, këtu zhbëhet hapësira e ideve religjioze për qenien e një direktive teologjike që preorienton veprimtarinë njerëzore. S’ka as ndonjë karakteristikë statike natyrore që kodifikon mundësitë vetëvepruese të tij. Madje kjo konkluzë është edhe në shpërputhje me mësimet e shpeshta sociologjike që pohojnë se njeriu është tërësi e marrëdhënieve shoqërore. E kundërta vlen për këtë vision: Njeriu ka imunitet absolut ndaj ndikimeve të ndërhyrjeve shoqërore. Ikona ekzistenciale s’reflekton, pra, as thelb teologjik, natyror apo shoqëror. Meqë ajo si i tillë “…hidhet drejt një ardhmërie dhe që është i vetëdijëshëm se projektohet në atë ardhmëri”. Njeriu, thjeshtazi, është ekuivalent me tërësinë e veprimeve të tij. Veprimi i tij është materializim i lirisë së tij. Andaj ai është përgjegjës për atë. Mundësia është proporcionale me Përgjegjësinë. Për rrjedhojë, brenda kufijve të asaj që Sartre e klasifikon si ‘fat njerëzor’, si tërësi e kornizave që skicojnë pozitën e tij në univers, ai është autoritet i padyshimtë vendimmarrës. Ai nuk e zgjedh këtë ekzistencë, porse operon detyrimisht brenda saj. Prandaj, Sartre shkruan se “Njeriu është i dënuar të jetë i lirë”.

Natyrisht, trajtimi i dimensionit ontologjik të Lirisë, pa një zbërthim konceptual të relacioneve të Ankthit me Asgjënë është pasqyrë e pjesshme e filozofisë së tij. Për Sartre-in, Ankthi është i pandarë nga Liria. Ankthi është prova e Lirisë. Meqë Ekzistenca ka mundësi të vetëshpalosjes, ajo përjeton Ankth. Vendimi eliminon Ankthin vazhdimisht. Meqenëse “Ankthi s’është perde që na ndanë nga aksioni, por pjesë e vetë aksionit”. Ky është momenti i pikëtakimit të Ankthit me Asgjënë. Asgjëja kuptimësohet në momentin e vetëprojektimit ekzistencial. Nuk ekziston kurrëfarë paradigme objektive normative që eventualisht mund të ekzistojë si drejtuese e veprimeve tona. Kështu liria do të reduktohej në kanalizim mekanik të subjektivitetit në këto skema. Porse Njeriu është krijues i tyre. Me aplikimin e Lirisë së tij ai njëherësh harton udhërrëfyes universal normativ. Nga kjo përvojë e ankthshme e ekzistencës, që figurativisht, Sartre e kualifikon si “braktisje në botë”, rrjedh edhe baza e mekanizmave të vetëmashtrimit. Ky është fakt i bezdisëshëm për ekzistencialistët. Përkundër këtyre pretendimeve vetërehabilituese dhe iniciativave të ndryshme të inautenticitetit, vlera supreme e filozofisë së Sartre-s konsiston pikërisht në realizimin maksimal të mundësive të zgjedhjes. Ai preferon konfrontim permanent me Lirinë.

Humanizmi i Misioneve

Ajo çka e karakterizon mendimin e Sartre-it, ndër shumë elemente të tjera, është edhe disrespekti total ndaj vizioneve tradicionale për Vërtetësinë si kategori unike dhe objektive. Prandaj, mendimi nihilist i Nietzsches, ndoshta, mund të konsiderohet si dimension konstituiv i këtij segmenti teorik. Tek Kështu foli Zarathustra ai trumbetonte Vdekja e Zotit si deklarim i dekompozimeve definitive të gjitha konstruksioneve objektive akseologjike. Si pasojë e pranimit të këtij mendimi, Sartre e sheh edhe një pjesë nga vetë fryma ekzistenciale aty. Andaj, Sartre vijon se “Ekzistencialisti mendon se është shumë e bezdishme që Zoti s’ekziston, sepse bashkë me të zhduken mundësitë që në qiell të gjenden vlera të kuptueshme. Nuk mund të ketë një të mirë apriori. (…) Dostojevski kishte shkruar ‘po të mos ekzistojë Zoti gjithçka është e lejueshme’. Këtu është pikënisja e ekzistencializmit. (…) prandaj njeriu është i braktisur, ngase s’gjen as në vete as jashtë vetes mundësi ku të kapet”. Megjithatë pretendimi i tij është që, edhe pse në mungesë të një kriteriumi objektiv arbitrar, ta themelojë megjithatë një formulë normative që garanton njëtrajtëshmërinë universale të veprimeve njerëzore. Kjo është konsekuencë direkte e mendimeve të tij për domosdoshmërinë e ndërtueshmërisë së një rendi human.

Madje, siç deklarohet vetë Sartre, gjithë kufiri i refleksioneve përmbyllet tek çështja e Njeriut. Në Situatat ai shkruan që “çdo gjë që i përket botës, filozofikisht është botë, në të cilën është njeriu dhe medoesmos botë në të cilën është njeriu në raport me njeriun i cili është në botë. Fushën filozofike e kufizon Njeriu”. Mbase gjithë idetë e tij janë në funksion të këtij ideali. Natyrisht, kjo është e pamundur në një gjendje të nihilizmit ekstrem. Andaj, interesi i tij bazik është ta afirmojë një skemë etike që do ta hapë mundësinë për konstruktim real të atij rendi. Por kjo është e pamundur nga ajo që dikton etika tradicionale. Ai fillimisht vë në spikamë nëpërmjet rastit të një studenti të tij rreth pafuqisë së leksioneve morale nga tradita biblike, por edhe ajo kantiane poashtu: “Ky djalosh mund të zgjidhte, në atë moment, midis mundësive të nisej për në Angli dhe të hynte në Forcat e Lira Franceze – do të thotë ta braktiste të ëmën – ose të qëndronte pranë së ëmës, dhe t’i ndihmonte të jetonte.(…) Kush do t’i ndihmonte të zgjidhte? Doktrina e Krishterë? Jo ajo thotë bëhuni të mëshirëshëm, duani të afërmin tuaj, flijohuni për tjetrin, zgjidhni rrugën më të veshtirë etj.,etj.,(…) Kush mund te vendose per këtë apriori. Askush. Morali kantian thotë mos i trajtoni tjerët si mjet por si qëllim. Shumë mirë; po që se qëndroj pranë sime ëmë, do ta trajtoj ai qëllim jo si mjet, porse kështu është rrezik t’i trajtoj si mjet ata që luftojnë rreth meje”. Ndër të tjera, vetë Sartre shkruan më vonë se ai kishte refuzuar të jepte përgjigje para kësaj dileme, meqë paraprakisht kishte ditur kahen e veprimeve të studentit. Sigurisht, ai refuzon të jetë referencë racionalizuese e një inautenticiteti eventual. Ai vetë kishte vënë në pah se qysh ngandonjëherë njerëzit vetëtjetërsohen për ta zvogëluar peshën e ankthit.

Problematika e metodave

Këtu ndodh edhe transformimi i teorisë së tij. Sartre insistonte në domosdoshmërinë e aplikimeve praktike gjithë mendimeve e rrjedhave të mësipërme. Afirmimi ekzistencial përbënte vlerë supreme. Por tashmë kjo është e mundur veç brenda kornizave konceptuale të marksizmit. Ngase tek Çështje të Metodës ai shprejhet: “Markzismi përbën sot, në të vërtetë, të vetmin sistem të koordinatave që bën të mundshëm të vendoset dhe të definohet një mendim në cfarëdo fushe që të jetë, prej ekonomisë politike deri tek historia a morali”. Bota e atëhershme politike, nga perspektiva e tij, ishte një mekanizëm gjigand tëhuajsues. Bile, ai pas një periudhe kohore teksa zbërthen në retrospektivë lëvizjet e filozofisë së tij, pa kurrëfarë ekuivoku shkruan se “Individi brendëson përcaktimet e veta sociale: ai brendëson marrëdheniet në prodhim, familjen e fëmijërisë së tij, të kaluarën historike, instituiconet bashkëkohore, pastaj i jashtëson të gjitha në aktet dhe zgjedhjet të cilat na kthejnë doemos të gjithë që ishte brendësuar. Asnjëra nga këto mendime nuk ishin të pranishme në Qenia dhe Hiçi”. Nga ky moment Sartre identifikon një tension midis subjektivitetit ekzistencial dhe konditave objektive ekosociale. Këtu tashmë është e qartë se është shpërbërë në njëfarë forme e gjithë godina që garantonte lirinë absolute subjektive, respektivisht pakushtëzueshmërinë e saj. Tashmë ato ekzistonjë në ndërkushtëzim reciprok. Sigurisht kjo pasqyron paraprakisht aprovimin e koncepteve elementare dialektike. Bile ky është aspekt që ai do ta reprodukojë gjithandej në teorinë e tij. Asgjë nuk ekzison më e vetizoluar në Botë. Dhe thotë se “Në një teori të vërtetë dialektike, siç është materializmi historik, fenomenet dalin dialektikisht njëri nga tjetri: ka konfiguracione të ndryshme të realitetit dialektk dhe çdonjëri prej këtyre konfiguracioneve është rreptësisht i kushtëzuar nga konfiguracioni që i paraprin, të cilin e integron dhe tejkalon njeherazi”.

Ky transformim evident i pozicioneve konceptuale në mendimet e Sartre-it ka shkaktuar shpeshherë një dyzinë të akuzave për inkonsistenca drastike konceptuale. Ndonëse vetë Sartre, ndër të tjera, tregon se gjithë ky konfuzitet rreth tij shkaktohet pas implikimit të marksizmit në teorinë e tij. Mbase, kjo problematikë nuk ekziston veç, sepse ai ka lëvizur nga një hapësirë specifike e ideve në një tjetër, por veçmas ai pretendon të pajtojë dy botëkuptime diametralisht të kundërta. Shumë mendimtarë të tjerë, të implikuar në këtë çështje kanë treguar se, realisht, në mendimin e Sartre-it ekziston një diferencë skematike. Prerje e vrazhdtë konceptuale. Gjithë elaborimi i mësipërm konfirmon se gjithë ky variant i interpretimeve nuk depërton përtej niveleve sipërfaqësore të trajtueshmërisë së kësaj problematike. Mesazhi implicit i kësaj përmbajtje dikton se, realisht, Sartre nuk e anulon gjithë mendimin e tij të mëparmë ekzistencialist. Realisht, ekziston një kohezion i brendshëm, ndonëse i destabilizuar ndërkohë, në vizionin e tij filozofik të mëpastajmë.

 

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.