Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Monolog këtej varrit

Recension mbi film dokumentarin “Ferdonija”

Duket sikur ai fatum-i (μοiρα) antik grek i ka përgatitur një jetë të tillë, sepse ndryshe nuk ka mundësi të jetë e vërtetë. Vetëm zotat mitikë mund ta projektojnë një vuajtje kaq të përbotshme. Një vuajtje kaq e madhe, një dramë e tillë mund të luhet vetëm në teatrin e madh të Dionisit. Por, ja që një dramë e tillë, e që për skenë ka zemrën e një gruaje, luhet në çdo çast tash e përgjithmonë. Nuk është se zotat ia sajuan një fat të tillë, jo, ishin njerëzit të cilët kësaj gruaje ia futën në gji zjarrin e vuajtjes dhe të mjerimit. Njeriu është kafsha më mizore që kam hasur në tokë, në sytë dhe në zemrën e kësaj gruaje kjo frazë merr përmasat e një të vërtete absolute. Pothuajse askush si ajo nuk do t’mund ta kuptojë deri në afsh mizorinë që mund t’i sjellë njeriu njeriut. Sot, për të jeta është një barrë, kurse vetmia përditshmëri. Dikur e rrethuar me më të dashurit e saj, kurse sot e mbështjellë me një boshllëk sikur nata që lëshohet në një det të paanë. Duket sikur kjo grua në shpirtin e saj, përveç dhimbjes, mban edhe mëkatet e gjithë njerëzimit, jo vetëm të atyre që ikën, por edhe të atyre që ende nuk kanë lindur. Protokolli i saj shpirtëror sikur ecën mbi dy shina që nuk takohen kurrë: në njërën anë dhimbja dhe ngushllimi në deficit, kurse në anën tjetër poshtërsia që nuk njeh dhimbje. Në këtë kontekst, po ta parafrazojmë Heraklitin, atëherë do të thoshim se këtu: të vdekurit janë bashkë në botë, kurse të gjallët janë veç.

Aq e heshtur është shtëpia sa që ke ndjenjën se do të shurdhohesh nga një heshtje e tillë. Kujtimet ajo i ruan me fanatizëm, nuk lejon që t’i humbasin apo t’ia marrë ndokush, sepse ajo e di mirë çka do të thotë të humbësh, e sidomos t’i humbësh të gjitha. Prandaj, një njeri që i ka humbur të gjitha, nuk lejon me asnjë çmim që kujtimet t’i veniten. Malli për të shoqin dhe katër djemt e saj është një mall që i tejkalon limitet e çdo imagjinate, kurse mërzia thurë dalëngadalë rrjetën e dëshpërimit. Ferdonije Qerkezi është pasqyrë jo vetëm e jona, por pasqyrë e gjithë njerëzimit. Prania e saj e heshtur në mesin tonë, ne na bën të papranueshëm në gjamën e saj. Vuajtja që ia shkaktuan dikur të tjerët dhe që sot po ia shkaktojmë ne, është shprehur mjaft qartë në filmin e shkurtër dokumentar të regjisorit Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti. Filmi flet për 24 orët nga jeta e kësaj gruaje. Ritmi i jetës së saj shkon në drejtimin e kundërt me ritmin e shoqërisë në të cilën ajo bën pjesë. Përderisa shoqëria kosovare vrapon drejt së ardhmes, Ferdonija gërmon në të kaluarën, sepse atje është jeta e saj, atje janë ditët e lumtura. Kurse, e tashmja tash e 20 vjet është dhimbje, pritje, vetmi. Ajo siç rrëfen tash e dy dekada, po të njëjtin rrëfim e jep edhe në këtë film dokumentar, se si ndodhi atë natë të 27 marsit 1999, kur nga forcat policore serbe para syve të saj iu morën burri dhe katër djemtë. Një jetë me plotë mundime dhe gëzim për t’i rritur katër fëmijë, dhe në një natë pa hënë ia morën, për të mos iu kthyer kurrë. Ajo natë për Ferdonijen zgjat edhe sot, sepse ajo natë për të është e pambarim. Çasti kur ia rrëmbyen të dashurit e saj, për të ka mbetur çast i amshueshëm. Një momentet prekës në këtë film, është çasti, kur nëna Ferdonije shkon te varrezat. Aty janë pesë varre, në dy prej të cilëve prehen mbetjet mortore (Artanit – djali i madh dhe Edmondit – djali i vogël), dhe tri varret e tjera që janë të zbrazta, po aq sa është e zbrazët tani jeta e Ferdonijes. Monologu i saj me këto varre, është një moment i trishtimit. Të ngjall një neveri deri në gërditje për sojin njerëzor. Kur e sheh këtë grua pranë atyre varreve, thjesht të vjen keq nga vetja pse je njeri. Kjo është ana se çfarë i bënë të tjerët kësaj gruaje.

Kurse, ana tjetër është se çfarë i bëmë ne asaj. Për ta kuptuar se si u sollëm ne me të, mjafton ta dëgjojmë momentin kur Ferdonija i drejtohet bashkëshortit të saj (Halimit). Ajo i tregon se si vëllezërit e tij u sollën me të: Vllazit e tu u ndanë krejt prej meje. Për ç’atë tokë… Tokën me da, e mu me m’qit n’sakak. Këto pak fjalë të kësaj gruaje me zemër të thyer, e tregojnë saktësisht atë që është mbjellë nëdër breza në shoqërinë tonë. E tregon varfërinë shpirtërore, që edhe kur kemi një dhimbje kaq të madhe, ata të cilët i njohim dhe i thërrasim si të afërm, hapin edhe një varr, u bëjnë edhe një vrasje të dytë atyre të vdekurve. Nanën e katër fëmijëve, që nuk i ka më, ne e hedhim n’sokak si një leckë. Kur është fjala për të grabitur një grusht dhé, ne nuk brengosemi se kjo grua nuk ka se ku ta hedhë një grusht dhé, i ka mbetur në dorë tash e njëzet vjet.  Këto fjalë të Ferdonijes, na shpërfaqin edhe neve si shoqëri. Ajo para një varri të zbrazët i flet burrit të vet, e që në fakt na zhvesh neve, moralisht na lë cullak. Në krahasim me atë se çfarë ajo thotë, thjesht ne si shoqëri jemi disa kufoma të gjalla që sorollatemi në këtë varr gjigant. Çfarë do t’i themi vetes dhe të tjerëve?! Ndoshta do të ishte mirë që kësaj nëne (dhe përmes saj, të gjitha nënave) t’i kërkonim falje për atë që u bëmë edhe atëherë kur nuk bëmë asgjë. Mbase, ajo ka kujt t’i rrëfejë (sic!), por ne çfarë kemi për të rrëfyer. Ferdonije Qerkezi jeton e vetmuar, me mungesën e më të dashurve të saj që ia mori lufta, kurse ne jetojmë me mungesë të ndërgjegjes dhe në vetminë e bollëkut që na e solli liria. Prandaj, ky film dokumentar, është më shumë se një film, është jeta e një gruaje. Tridhjet minutat e këtij filmi, janë tridhjet minutat që për ne dhe të gjithë njerëzimin nuk do të përfundojnë asnjëherë: drama e një gruaje që shpërfaq ndërgjegjen e munguar të njeriut.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.