Pjesa e parë
Prelude
Le të fillojmë me një segment nga filmi “Ninotchka”, i prodhuar nga regjisori Ernst Lubitsch, në vitin 1939: dy protagonistët e filmit, Ninotchka dhe Léon, të ulur në kafene, në një bashkëbisedim jo t ‘këndshëm në mes tyre, Léon në tentativë e sipër për ta bërë të qeshë Ninotchkën, i tregon një barcoletë: “Një person hyn në një kafene, ulet në tavolinë dhe porosit një kafe pa krem. Pas pesë minutash kamerieri kthehet, dhe i përgjigjet: “na falni por nuk na ka mbet më krem, kemi vetëm qumësht. A mund t’ju sjell një kafe pa qumësht?”
2. Adagio
Sipas Alain Badiou-së, filozofia varet nga katër kushte: arti, dashuria, politika dhe shkenca. Secila nga këto, në mënyrë të pavarur, përfaqësojnë një “procedurë të së vërtetës” [truth procedure]. Badiou thotë se e “Vërteta është një inovacion en acte, singular në lokacion dhe rrethana, por universal në adresimin e saj” dhe se “një procedurë e së vërtetës e tillë mund të fillojë vetëm përmes një thyerje me situatën e zakonshme në të cilën ajo zhvillohet” – apo atë që Badiou e quan Ngjarje [Event].
Kështu, Ngjarja, Subjekti, e Vërteta janë pjesë e një procesi të afirmimit që e sjell të vërtetën në ekzistencë përmes subjekteve që i mbesin besnik pasojave të ngjarjes. Kështu që, e Vërteta për Badiou-n ngjall logjikën e të qenit të vërtetë ndaj diçkaje, e të mbajturit të së vërtetës mbi principe, persona, apo ideale. Ta ilustrojmë me dy shembuj (të marrë nga regjistri i Badiou-s), njëri nga kushti i dashurisë dhe tjetri nga kushti i artit/shkencës: dy të dashuruar që formojnë një Subjekt dashuror, por që thellë në rrënjë i mbesin besnik takimit të tyre që definohet si Ngjarje. Apo, një artist ose shkencëtar i mbetet besnik linjës kreative të hulumtimit e cila i hap horizonte për zbulime të reja ose thyerje me traditën e zakonshme.
Badiou, katër kushtet e filozofisë i identifikon edhe si katër ‘tipe’ fundamentale subjektive: politike, shkencore, artistike, dhe dashurore [amoureux]. Dhe, secila nga këto katër tipe subjektive përfaqëson në vetvete një të Vërtetë singulare.
Në këtë shkrim do të merrem me Artin – apo më mirë të themi ngulfatjen e tij në kontekstin e Kosovës. Ngulfatjen e artit në Kosovë duhet ta shtjellojmë në kontekstin e situatës filozofike. Çka do të thotë kjo? Badiou në librin e tij “Polemika” e shpjegon që situata filozofike është një takim. Një takim në mes termave thellësisht të huaj. Badiou gjithashtu jep dy definicione për situatën filozofike. Definicioni i parë thotë: qartësoje zgjedhjen, vendimin. Ndërsa, definicioni i dytë thotë: qartësoje distancën në mes fuqisë dhe të vërtetës. Për të ilustruar këto, Badiou merr si shembull—në fakt një ndër tre shembujt—filmin e jashtëzakonshëm të regjisorit japonez Kenji Mizoguchi – “Të Dashuruarit e Kryqëzuar” [The Crucified Lovers]. Padyshim një nga filmat më të mirë për dashurinë të prodhuar ndonjëherë. Për ata që se kanë pa filmin, duhet ta shpjegojmë shkurtimisht ngjarjen dhe përfundimin e filmit.
Një grua e re është martuar me pronarin e një dyqani artizanal të vogël, një njeri i ndershëm që jeton në begati. Atij gjithashtu i pëlqen që të pijë alkool dhe t’i vëzhgojë gratë tjera, jo domosdoshmërisht në mënyrë amorale; por, ajo [gruaja e re] nuk e dashuron atë, nuk e dëshiron. Në skenë futet një djalë i ri, i punësuar në dyqanin e vogël, në të cilin ajo dashurohet. Sigurisht, se në kohën klasike ku Mizoguchi e vendosë filmin, gruaja e cila tradhton dënohet me kryqëzim. Dy të dashuruarit e ri, gruaja e martuar së bashku me punëtorin e ri, vendosin që të ikin në fshat. Kjo sekuencë, që përshkruan udhëtimin e tyre në pyje, në shtëpiza, liqeje dhe anije, është e jashtëzakonshme. Edhe pse burri i ndershëm mundohet që t’i mbrojë ata dy, në fund burrat janë të obliguar që të denoncojnë tradhtitë bashkëshortore, përndryshe ata vet do të japin përgjegjësi duke u konsideruar pjesë e asaj tradhtie. Gjithsesi, burri, dhe kjo është një provë që ai ende e dashuron gruan e vet, mundohet që të fitojë kohë. Ai madje thotë se ajo ka shkuar tek prindërit e saj në fshat… Ai në të vërtetë është burrë i mirë. Ai është një karakter shumë i bukur i filmit, një mediokritet i ngjeshur. Më në fund të dashuruarit denoncohen dhe kapen. Ata merren për t’u torturuar.
Në fund, ne i shohim sekuencat përfundimtare të filmit: dy të dashuruarit janë të lidhur mbrapa një gomari, ndërsa kamera i përcjellë ata duke ecur drejt vdekjes së egër; fytyrat e tyre kanë thjesht një shenjë buzëqeshjeje, një lloj fortifikimi në buzëqeshje. Ky imazh i fundit, shkruan Badiou, përkundrazi na thotë: dashuria është ajo që i reziston vdekjes.
Në konferencën “La Femis”, organizuar me 1987, Gilles Deleuze gjatë ndërhyrjes së tij, citon André Malraux, duke thanë se “arti asht diçka e tillë që i reziston vdekjes.”. Pikërisht në këtë sens, në ato pamjet mahnitëse, arti i Mizoguchit jo vetëm i reziston vdekjes por na ndihmon që të kuptojmë se dashuria gjithashtu i reziston vdekjes. Më tej, Deleuze flet mbi informacionin si një sistem të kontrolluar të ‘urdhër-fjalëve’, që përdoren në çdo shoqëri. Megjithatë, përveç informacionit kemi edhe ‘kundër-informacionin’ [counter-information]. Për shembull, kemi shtete që janë nën regjime të egra diktatoriale ku, megjithatë, ekziston kundër-informacioni. Në kohën e Hitlerit, hebrenjtë që iknin nga Gjermania në shtetet tjera, ishin të parët që tregonin për kampet e shfarosjes në Gjermani, njëkohësisht ata ishin edhe prodhuesit e këtij kundër-informacioni. Por, kundër-informacioni nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të bërë apo për të arritur diçka. Asnjë kundër-informacion nuk e ka trazuar kurrë Hitlerin, përveç njëherë: kur kundër-informacioni shndërrohet në mënyrë efektive në akt të rezistencës. Akti i rezistencës, vazhdon Delezue, nuk është as informacion e as kundër-informacion. Kundër-informacioni nuk është efektiv nëse nuk bëhet akt i rezistencës, por, ekziston një afinitet thelbësor ndërmjet punës artistike dhe aktit të rezistencës.
Delezue gjatë përmbylljes së ndërhyrjes së tij në konferencën “La Femis”, thot se: “arti reziston, është ai çka reziston, edhe pse nuk është e vetmja gjë që reziston, por reziston. Dhe prandaj kemi këtë lidhje të ngushtë ndërmjet aktit të rezistencës dhe punës artistike. Çdo akt i rezistencës nuk është punë artistike, edhe pse në njëfarë mënyre është. Çdo punë artistike nuk është akt i rezistencës, dhe prapë, në njëfarë mënyre është. Akti i rezistencës, siç duket, i ka dy fytyra: është njerëzor (human) dhe, gjithashtu, është akt artistik. Vetëm akti i rezistencës i mbijeton vdekjes, qoftë përmes formës së punës artistike, ose përmes formës së luftës njerëzore (humane).”.
________
Artikulli vazhdon në pjesën e dytë