Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Në totalitarizëm nuk të përkasin as ëndrrat

Kritikë e shfaqjes “Ora e Vdekjes”

Trajektorja narrative e shfaqjes “Ora e Vdekjes” fillon me procesin gjykues ndaj Tefta Tasit. Ajo është një mësuese që ka shprehur mospëlqim për mollat. Regjimi totalitar kish ngritur padi ndaj Teftës, shkaku i shijeve të saja, se regjimi është vërtetësia vetë. Posedimi ekskluziv i të vërtetës e bën totalitar. Rrjedhimisht, me posedimin e “të vërtetës”, ka në duar edhe të mirën dhe të bukurën. Ta refuzosh të bukurën dhe të mirën si pjesë e heteronomisë gjykuese do të thotë të refuzosh të vërtetën, edhe të kundërshtosh regjimin. Në Origjinat e Totalitarizmit Hanah Arend thotë se regjimi totalitar, në mënyrë që sundimi dhe shtrirja e tij të jetë totale, lufton çdo realitet tjetër konkurrues jo-totalitar. Arti dhe shija janë kundërshtarë të çdo regjimi totalitar. Ngaqë e bukura dhe e mira shpërfaqen në qenie pa vullnetin e subjektit. Njashtu edhe mësuesja Tefta Tasi, në një moment të caktuar, duke mos pranuar absolutizmin zyrtar, kishte denoncuar regjimin përmes shijes – mospëlqimit për mollat.

Shfaqja “Ora e Vdekjes” me regji të Ilir Bokshit u dha javën e kaluar në festivalin e ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur – Prizrenfest. Në këtë shfaqje të autoreve Ulpiana Maloku dhe Agnesa Mehanolli, përmes lojës skenike, aktorët: Adrian Morina, Albulena Bokshi, Arben Derhemi dhe Kushtrim Sheremeti arritën të zgjojnë vëmendjen e publikut.  Shfaqja u mbajt në burgun e Prizrenit. Kontrollet e rrepta nga policia, përkundër mirësjelljes dhe dashamirësisë së treguar, më krijuan, siç thotë populli një mullë në bark, një rokanisje dhe trazim. Dromcat e frikës krijojnë një rrudhje estetike gjatë shpërthimit të katarzës. Megjithatë, duke u nisur nga analiza semantike e posterit të shfaqjes kuptova se kemi të bëjmë me një kritikë, gjegjësisht, denoncim të një sistemi politik. Policia nuk na lejoi të marrim asgjë me vete, as notesin për shënime madje. Megjithatë, përmes fuqisë së mbresëlënies do të përpiqem t’i bëj një koment shfaqjes në fjalë.

Në posterin e kësaj shfaqjeje, ylli i kuq i turbullt, lë të kuptohet se shfaqja ka të bëjë me goditjen e një sistemi politik që në thelb ka qenë totalitar e vrastar. Në këtë rrjedhë semantike të shtrirjes së botëkuptimit po prisja një shfaqje ku diskursi politik i tekstit do të prevalonte mbi simbolikën e ndërthurjes së tragjikes me komiken. Deri në fund të shfaqjes, trajektorja e narracionit të gjykimeve absurde do të ndërprehet disa herë me radhë përmes ngjarjeve të tjera, e të cilat në plotni do realizojnë dhe plotësojnë shfaqjen dhe imazhin tërësor të saj. Në përgjithësi, Ilir Bokshi, ka realizuar një shfaqje që zgjon thellësisht empatinë për tragjedinë njerëzore, fatet tragjike të dyfistha dhe ndjesinë komike të shkaktuar herë nga absurditeti i rasteve të dënimit e herë nga banaliteti, ku sistemi totalitar e përdor banalitetin si fuqi mbizotëruese për përsëritjen e së njëjtës derisa subjektit apo individit t’i jenë topitur ndjenjat për ngjarjen, gjykimin dhe dënimin. Tre gjëra më bënë përshtypje gjatë shfaqjes, të cilat do t’i quaja dënimi i nënvetëdijessituatat kufitare dhe vdekja si ngushëllim i të mposhturit.

Image

Dënimi i ndërvetëdijes

Është skena ku dy punëtorë janë kapur duke i dëftuar njëri tjetrit ëndrrën. Njëri prej tyre ka parë në ëndërr sikur liderit të partisë iu janë pishur dhëmbët e goja i është mbushur me qelb dhe po i myket e kalbet. Këtë bisedë e ka dëgjuar dikush dhe është lajmrëruar sigurimi. Sistemet totalitare qëndrojnë në këmbë në sajë të përgojimit dhe “mureve me veshë”. Mbi podium, të ulur në karrige të drunjta torture, dy të burgosurve koqet iu vareshin nën ulëse. Ata po përjetonin inkuizicionin e klerit komunist. Tortura ishte kaq e gjallë. Kapja dhe shtrengimi për koqe, që iu bëhej nga xhelati i sigurimit, krijonte ndjenjën e dhembjes empatike edhe në publik. Ankthi i kastrimit është një koncept psikanlaitik i shpjeguar nga Frojdi përmes së cilës fëmija fantazon të dënohet për shkak të dëshirës për incest me nënën dhe paramendim të vrasjes së babait. Në këtë rast babai ishte lideri i regjimit kurse nëna ishte partia.

Xhelati, përpos hetuesit, luan edhe rolin e psikanalistit të regjimit. Më tepër se ëndrra, atij i intereson arsyeja e ndërsimit dhe endjes së imagjinatës deri në atë pikë sa të shohë sekretarin e partisë duke iu kalbur goja. Ky punonjës sigurimi nuk mjaftohet me shfajësim. Ëndrra është më shumë se ëndërr. Ose, të paktën, duhet të jetë! Ai e di fort mirë se burimi i një ëndrre të tillë është yshtja e përbotshme, bindja dhe dëshira e fuqishme për ta parë Enver Hoxhën të vdekur. Xhelati i sistemit është i bindur se nënvetëdija është pasqyrim i dëshirave të shtypura të së vetëdijshmes. Gjatë torturimit, të burgosurit, vriten nga tortura të rënda dhe çnjerëzore. Regjimi totalitar dëshiron të jetë eklipsues, të jetë i gjithëpranishëm në të vetëdijshmen e të pavetëdijshmen. Ai është totalitet dhe në përpjekje të paepur për të konsumuar çdo arkeologji dijesh.

Situatat kufitare

Një skenë tjetër ku dy të burgosur po shkëmbeheshin mbi urë shënon vijën e demarkacionit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Një kosovar dhe një shqiptar. Shqiptari kishte ikur nga Shqipëria në Jugosllavi për shkak të Enverit dhe shqiptari kosovar kishte ikur drejt Shqipërie për shkak të Enverit. Që të dy quheshin Fatmir ngaqë për ironi të fatit nuk ishin aq fatmirë. Pasi që kapen nga sigurimi, ata shkëmbehen si dy të burgosur. Në momente të caktuara, shfaqja përmban edhe një parodi të hollë, e që pavullnetshëm në gjendje krize apo tragjedie, të bën të qeshësh. Fatmirët na bëjnë të qeshim për besimet e tyre naive për Shqipërinë e Jugosllavinë. Jetë të ndryshme por para një fati të njëjtë: pushkatimit. Një situatë e sikletshme kufitare. Situatat kufitare janë gjendje ku njeriu më shumë se gjithçka e do jetën.

Dashuria për jetën është e paprecedentë. Situatën kufitare Zhan Pol Sartër e ilustron në librin e tij Muri ku një të burgosuri gjatë luftës civile në Spanjë i shqiptohet dënimi me ekzekutim. Ai do të shpëtonte vetëm në rast se do të tregonte vendndodhjen e liderit. Por jeta e tij nuk ishte më e vlefshme se asnjë jetë tjetër. Prandaj, pse duhej të vdiste për dikë tjetër. Situata kufitare është boshti kohor kur njeriu e rikonsideron jetën e tij, e kaluara i shfaqet si një shirit filmi dhe gjithçka rishtazi futet në filtrin e brengës ekzistenciale. Të dy shqiptarët komunikojnë në vijën kufitare në prag të pushkatimit, ku dashuria për jetën bëhet kaq e stisur dhe e rrëmbyeshme saqë manifestohet vrullshëm në debatin e tyre për jetën më të mirë në vendin më të mirë.

Image

Vdekja si ngushëllim

Shfaqja mbaron me dënimin politik që alibi kishte refuzimin estetik. Të Tefta Tasit. Në shtetin totalitar nuk kanë kuptim as ëndrrat, shijet të gjitha janë të njëjta, janë bajate, e jeta është e zhytur në gri, kurse qielli mbetet shpresa më e thellë dhe e paarritshme për lirinë. Shqipëria si vend totalitar ishte një vend ku nuk vdisej kurrë. Vdekja kuptimësohet pas një jete ku krejt përpjekja intelektuale e shpirtnore është afirmimi i çastit të vdekjes. Në Shqipërinë enveriste, siç vërehet nga monolgu i Tefta Tasit, përpjekja e njeriut është ngushëllimi me veten. Ngushëllimi është edhe një përpjekje për të kuptuar boshllëkun moral mbi të cilin krijohet dhimbja. Depërtimin e dhimbjes e fuqinë e saj e sipërmason ndërgjegja për botën, një botë të paparë, utopike. Tefta Tasi nuk qan, as vajton për dënimin e saj, ngaqë siç ka thënë edhe Fernando Pesoa tek Edukimi i Stoikut, të vajtosh para botës është akti më i padenjë që mund të bëjë një njeri i mposhtur, aq më tepër karshi disa dispozitivëve të pushtetit, të cilët e kanë humbur aftësinë për të gjykuar, siç do të thoshte Arend, dhe se etika më e lartë e tyre është akti i nënshtrimit ndaj zinxhirit komandues. Brenda mureve të regjimit dhe sistemit totalitar ngushëllimi nuk është më arsyetim, por çast përndritjeje ku njeriu ndjehet krenar teksa e sheh veten të mposhtur.

“Ora e Vdekjes” është e realizuar mirë dhe përçon dhembjen empatike, nxit për analizë dhe dekonstruktim por mbi të gjitha të bën të reflektosh mbi vdekjen si moment ngushëllimi në sistemet totalitare. Vdekje në sistemet totalitare nuk është një moment estetik dhe metafizik, por është paradoks midis dashurisë së lartë për jetën dhe ngushëllimit për çlirim.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.