Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Pasqyrimi i mashtrimeve përmes një libri të botuar në ASHAK

Libri “Pushteti dhe Dija te Michel Foucault” i autorit Muhamedin Kullashi, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës [ASHAK] në vitin 2008 paraqet shembullin tipik të librit apo punimit shkencor të studentëve, profesorëve dhe akademikëve kosovarë që kam pasur mundësi të lexoj deri tash.

Merrem me këtë libër dhe jo me një tjetër, për tri arsye: 1) është botuar nga institucioni më i lartë i dijes në Kosovë, ASHAK; 2) e përmban një mekanikë shterpe dijeprodhuese që haset shpesh në hulumtime e studime të filozofisë, sociologjisë dhe ‘logjive’ tjera humane në Kosovë; dhe më e rëndësishmja 3) sepse forma e kësaj mekanike, dmth forma e parregullsisë akademike është më zor e shkoqitshme sesa në librat e tjerë – gjë që ilustron parregullsinë në librat më të dobët.

Qëllimi i këtij shkrimi është pikërisht ekspozimi i kësaj mënyre të parregullsisë akademike, e cila ka zënë rrënjë dhe është harlisur në mbarë hapësirën ligjërimore në Kosovë, duke e bërë shterpe. Për pasojë, institucionet e dijes janë shndërruar në qendra sociale që ndihmojnë një shtresë të madhe njerëzish në marrdhëniet e tyre me punën. Studentët e profesorët, ose më përgjithësisht, studiuesit e hulumtuesit në vendin tonë futen në këto institucione të dijes jo për t’u bërë pjesë e mekanikës dijeprodhuese, por për të hyrë në një marrdhënie të re e të favorshme pune pa bërë thuajse asgjë.

Jam thellësisht i bindur se kjo formë e ‘parregullsisë akademike’ ka faj të madh për terrin intelektual e vleror në shoqërinë tonë. Shpresoj që shkrimi im ta provokojë një frymë negative e destruktive te studentët të cilët do të ekspozonin ‘parregullsitë akademike’ të kolegëve të tyre. Këto mashtrime akademike janë ligjërime, dhe ligjërimi argumenton Foucault “nuk është thjesht ai që përkthen luftërat ose sistemet e sundimit – e këtë, historia nuk rresht së na e mësuari –  por ai për të cilin dhe përmes së cilit luftojmë, si dhe pushteti që synojmë të shtiem në dorë.”  [1]

Më poshtë, në këtë recension jokonvencional do të argumentoj se libri në fjalë nuk e shtron asnjë problem, ka lëshime serioze në rregullat e të shkruarit akademik, ka përmbajtje të kopjuar dhe strukturë të rreme (në relacion me përmbajtjen). Përmes këtij libri ‘tipik’ unë do të ravijëzoj format tipike të prezantimit të një pseudo-analize si një analizë. Me fjalë tjera, të mënyrës harbute sesi vishet maska e dijeprodhimit për të mbuluar injorancën dhe mospunën.

I.Të ngarkosh e të shkarkosh

Hyrja e librit fillon me një përshkrim të përgjithshëm të veprimtarisë filozofike të Foucault-së. Por mënyra sesi Kullashi biografizon është e thatë, naive, e pamenduar. Pikërisht në pjesën e mëtejme të hyrjes, ai shtron disa tema tjera të cilat janë njëjtë si titulli i librit: rimarrje e shkronjëpërshkronjëshme e temave ose koncepteve që shtron Foucault-ja. Hyrja nuk tregon se ku po hyjmë megjithëse është pjesa e vetme ku autori orvatet të ofrojë njëfarë autenticiteti të mekur në ‘intepretimin’ e përgjithshëm. Parafrazimi është pak më pak i shtrënguar se në pjesën tjetër të librit. Poashtu ka më pak citime. Por megjithatë, ashtu si në pjesët e tjera, autori çalon të formojë vijimësi konceptuale të rregullt që do të riqartësonte a ridefinonte temën që ka zgjedhur për të analizuar. Të ndalemi te tema: ajo është aq e gjerë dhe e rëndësishme sa i gjithë mendimi i Foucault-së dhe temat që rravgohen prej tij gravitojnë rreth saj. Prandaj, ne gjejmë temat e njëjta që shtron Foucault edhe në librin që po shqyrtojmë. Dhe prandaj, autori nuk ka nevojë për një pikëmbështje hyrëse, për një parafjalë [2], sepse nuk ka asgjë për të thënë. Ai mjaftohet me një rishkrim të verbër pa mendim duke përngjarë në bukinistin Mendel [3] të Zweigut.

Dikujt mund t’i feksë në mendje ideja se Kullashi po e ndjekë shembullin e Foucault-së për autorin [shih fusnotën e dytë]. Megjithëse do të ishte një shembull i bazuar në keqlexim, prapë, kjo bindje nuk qëndron. Që në fillim të librit, Kullashi shkruan se tipari kryesor që shfaqet në shkrimet e Foucault-së është origjinaliteti i theksuar [4]. Ndërkohë, është e ditur se Foucault-ja e shpërfillte një ‘tipar’ të tillë duke e zëvendësuar me rregullsinë e një teksti [5].

Lexuesi (i cili është i njoftuar sadopak me veprat e Foucault-së) kësisoj nuk e ka aspak të qartë mënyrën sesi Kullashi e problematizon temën e “Pushtetit dhe Dijes”, nuk e ka aspak të qartë sesi do ta rindërtojë atë, ose se cila është hipoteza të cilën do të orvatet ta provojë. Nëse një studim apo hulumtim i caktuar nuk e rritë dijen mbi një gjë, atëherë pse duhet të bëhet/shkruhet? Kështu do të pyeste me të drejtë, Popperi.

Pa qenë nevoja për një thellim të mëtejmë marrim vesh se hyrja është vetëm sa për të thënë. Ashtu edhe përfundimi. Ashtu edhe pjesët e ndërmjetme. Secili mund ta vërejë që struktura e librit në fjalë është e rremë, fiktive. Përmbajtësisht del se libri është i paformë. Puna e autorit nuk ka qenë në rrafshin intelektual por atë fizik. Kopjim nga librat e Foucault-së dhe ngjitje në librin e tij. Si ngarkim-shkarkimi i një malli.

II.Foucault, Foucault, Foucault

Kullashin nuk e preokupon tema që ka zgjedhur për të punuar. Kjo vihet re nga ngushtësia që përshkon rezonimi i tij i përqendruar vetëm te Michel Foucault. Relacioni mes pushtetit dhe dijes është një temë mjaft e gjerë me të cilën janë marrë edhe shumë kritikë të tjerë. Madje, vetë Foucault është i mirënjohur për gjerësinë e tij metodologjike, duke ofruar një mori dokumentesh e autorësh për një temë të caktuar. Por, Kullashi është i preokupuar vetëm me Foucault-në. Ai është i dhënë me ‘mish e me shpirt’ pas tij, aq sa e ka të pamundur të rreshtë së ndjekuri hap pas hapi atë.

Libri është i mbushur me mendimin, shembujt, dokumentet e madje edhe me vetë citimet që bën Foucault-ja. Dhe nëse përvidhet ndonjë strukturë mes kapitujsh, është lehtë e kuptueshme që edhe ajo i takon Foucault-së. Ka parafrazime të pafundme. E vetmja gjë që Kullashi bën është paraqitja e pamenduar e këtij mendimi. Këtë gjë e fakton edhe rrjedha e citimeve. Ta zëmë, i gjithë kapitulli i dytë (Pushteti dhe Lufta) është i bazuar në librin “Il fault defendre la societe” (Shq: Shoqëria duhet të mbrohet), dhe citimet ndjekin njëra tjetrën nga faqja në faqe, pa ndryshim (21, 22, 22, 23, 25, 25, 26… dhe pas qindra tjerëve vjen i fundit 207 [6]). Për më tepër, Kullashi i referohet vetëm librit të lartpërmendur 301 herë brenda një kapitulli të vetëm (me rrjedhën e pandryshimtë që përmendëm). Pa përmedur një mori rreshtash në thonjëza të cilat janë marrë nga po i njëjti libër por për të cilat nuk jepet referencë (as libri e as faqja se ku ndodhen [7]) dhe pa përmendur të kudondodhurat parafrazime.

Megjithatë, unë nuk e mohoj se libri është informues. Aty mund t’i lexosh thuajse në tërësi disa nga librat e Foucault-së. Libri i ka më shumë se 1000 citime, dhe madje edhe pjesa e parafrazuar [në rast se Kullashi do të vepronte me rregull dhe do të jepte referencën e tyre, atëherë libri do të ishte fiks si një libër adresash] është e padredhuar nga Kullashi dhe mund të lexohet pa u friguar mos nuk i përket Foucault-së.

Kullashi nuk ka hall tjetër veç mbushjes së tekstit të tij me fjalë e shkronja. Një kritikë ia bën Foucault-së, dhe të cilin e përsërit disa herë: pse ai nuk është marrë me veçantitë e demokracisë moderne, dhe njëherit ka lënë anash edhe problematikën e totalitarizmit të shekullit të XX-të [8]. Pse? Në faqet 30 dhe 31, ai e përsërit këtë ‘kritikë’ jo më pak se tri herë, pa e zgjedhuar më tej apo problematizuar më shumë. Thjesht e përsëritë si fjali. Kaq. Të njëjtën e bën edhe në fund të librit. Por pse nuk merret Foucault-ja me çështjen në fjalë? Është e kotë madje edhe të jepet një përgjigjje kur dihet konceptimi i tij për pushtetin (dispozitivin), të vërtetën (e cila nuk është jashtë pushtetit dhe pa pushtet) dhe dijen. Kullashi i shkruan fjalët naive të mësipërme vetëm sa për të ofruar diçka të tijën. Por, me këtë vetëm sa e dëshmon brishtësinë e tij. Madje, Foucault duke dashur t’i udhëzojë keqlexuesit e tij, në mënyrë eksplicite në fund të një ligjërate të mbajtur në Stanford University thotë se totalitarizmi [as te individualizmi] është vetëm pasojë e shkakut më themelor, te i cili duhet të vihet kritika, e i cili është racionaliteti politik [9].

III.Gjurmët e një krimi akademik

Rëndom, pamundësia për të qenë serik dmth zgjatues i dijes, bën që studiuesit të mundohen t’i mbulojnë gjurmët e tyre. Të paktën anën sipërfaqësore të tyre. Por, as këtu Kullashi nuk është fort i kujdesshëm.

Libri ka përplot gabime drejtshkrimore. Kryesisht të tilla që çalojnë në përdorimin e shkronjës ‘ë’. Por edhe të tjera. Po flasim për një botim të Akademisë dhe jo për një opinion në gazetë.

Ia vlen të ripërmendim edhe numrin e madh të citimeve të cilat autori i lë pa adresë, referencë. Sidomos te parafrazimet. Por ndërkohë, edhe referencat që jep nuk komunikojnë me lexuesin shqipfolës. Të gjitha referencat e Kullashit janë në gjuhën frënge, dhe një shqipfolës jofrëngjishtfolës, kurrë nuk mund ta dijë se a po citon drejt Kullashi [unë për vete, nuk e kontestoj në këtë pikë]. Dhe më e rëndësishmja, se si dhe sa po parafrazon!

Shkrimi akademik nuk njeh as burra të mirë e as gra të mira. Madje, ai nuk e njeh as faktin që në shqip nuk janë të përkthyer disa libra të caktuar. Ai është i verbër dhe kërkon rregullsi të përpiktë. Dhe kjo rregullsi [zëvendësja e origjinalitetit sipas Foucault-së] është themeli ku duhet të qëndrojë ngrehina akademike.

Për ta ambalazhuar ‘akademikçe’ librin e tij të botuar nga Akademia, dhe me gjasë duke dashur t’i ndjellë një efekt sa më trullues lexuesve mediokër, Kullashi bën diçka ‘mahnitëse’: në fund, menjëherë pas përfundimit në shqip, ndodhet edhe përfundimi në gjuhën frënge. Rimendojeni përsëri pa paragjykim: libri i ka 520 faqe në shqip, që i dedikohen lexuesit shqipfolës dhe 10 faqe frëngjisht që i dedikohen atij frëngjishtfolës. Zor se lexuesi frëngjishtfolës do t’i lexonte pesëqind faqe në shqip, pa e ditur gjuhën, vetëm sa për të mbërritur në një rezyme të shkruar në gjuhën e tij. Ose, një lexues frëngjishtoshqipfolës, zor se do ta rilexonte rezymenë njëherë në shqip dhe njëherë tjetër në frëngjisht.

Postscript: Shkrimi e përmban një stil personalizues, e pranoj. Por kjo është vetëm ana e sipërfaqshme e tij. Në thelb, shkrimi është objektiv dhe i rregullt. Autorin e librit në shqyrtim nuk e njoh ndryshe veçse si autor të këtij libri. Dhe nuk kam asgjë kundër tij, përjashto librin.

_________

[1] Foucault, Michel, Pushteti dhe Dija, faqe 28, botuar nga ISP dhe Dita 2000, përkthyer nga Orgest Azizi dhe Persida Asllani

[2] Foucault ishte një kundërshtar i autorit dhe parathënies – si vendosje e diktatit të tij.  Ja ironia e tij kur botuesi i tij i kërkoi që të shkruante një parathënje për librin e tij: “Unë jam autori. Fiksojeni mirë portretin ose profilin tim. Unë jam emri, ligji, sekreti dhe shpirti i thellë i gjithë shembëlltyrave që do të rreken të qarkullojnë nën emrin tim […] Unë jam monarku i vetëm i gjithë sa kam thënë dhe ruaj mbi të të drejtat e një sovraniteti të plotë: atë të kuptimit që kam dashur t’u jap fjalëve të mia”.

[3] Jakob Mendel është personazh i një novele të Stefan Zweig-ut, karakteristikë e të cilit është memorizimi i librave. Mendeli di gjithçka për formatet, titujt, çmimet, ilustrimet apo faqet e librave – por asgjë për përmbajtjen.

[4] Kullashi, Muhamedin, Pushteti dhe Dija te Michel Foucault, ASHAK, 2008, faqe 12

[5] Foucault, Michel, Pushteti dhe Dija, faqe 52 | “Si parime rregulluese për analizën duhet të na shërbejnë katër nocione: nocioni i ngjarjes, i serisë, i rregullsisë, i kushteve të mundsisë. Siç e shohim këto kundërvihen term më term, ngjarja me krijimin, seria me njësinë, rregullsia me origjinalitetin dhe kushtet e mundësisë me domethënien.

[6] Për këtë temë, Foucault ka edhe një mori shkrimesh, intervistash e leksionesh. Vlen të përmendim atë të mbajtur në College de France më 7 janar 1976, të cilin Kullashi nuk e shqyrton.

[7] Për të vërtetuar këtë nuk duhet shumë mund. Sidoqoftë po i japim disa adresa vetëm për faqet e para: 27, 28, 32, 37, 45, 53 etj.

[8] Kullashi, Muhamedin, Pushteti dhe Dija te Michel Foucault, faqe 31

[9] Foucault, Michel, Pushteti dhe Dija, faqe 159

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.