Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

President, ju më fyeni çdo ditë

***

Jam mëse i bindur se ky vend i absurdshëm njerëzor, është dëshmia e fundit e forcimit të budallallëkut. Këtu nuk ka vend për përmirësim. Këtu nuk ka vend për asnjë shenjë njerëzore. Ky vend është i djajve. I lukunisë së ujqërve. Poeti boshnjak Vuk Kërnjeviq, ka një varg në njërën prej poezive të tij, në fat e kemi pamundësinë. Ky vend është i tillë. Sepse në të vërtetë po ta shohim me mendje më të hapur. Jemi bërë gjak nga njëri tjetri. Për çdo ditë të lume, duhet ta krijojmë një kaptinë të re të sakrificës vetjake. Për çdo ditë të lume, ne bëhemi heronj. Në secilën ditë, ne hamë gishtërinjtë tanë. Në secilën ditë, ne pësojmë traumë kombëtare. Në secilën ditë, ne përbuzemi nga pishpirikët politikë. Ne poshtërohemi dhe qajmë në heshtje. Qajmë dhe luajmë nga mendtë sepse kjo është e drejta jonë e pamohueshme. E drejta jonë legjitime. Ne jemi bijtë dhe bijat e kësaj Republike të re. Kjo Republikë e frikshme. Kaq e vogël në sistemin e madh të kombeve. Në rrjedhën e llahtarshme të zhvillimit të rendit të ri botëror. Kjo Republikë e bajatshme. E krisur. Pa estetikë. Pa barazi. Pa dinjitet. Krejt e luajtur nga fiqiri. Pa asnjë lloj tendence për të qenë normale. Çdo ditë të lume na shtyp kokën. Na hedh rrjetën sipër dhe luan me esencën tonë. Dhe në këtë mënyrë na shndërron në viktima të fyerjes. Ne fyhemi çdo ditë. Çdo mëngjes. Çdo mbrëmje dhe ne frymojmë ashpër nën diktatin e fyerjes. Dhe po. Nga 3 deri në 5 vjet, ndëshkohen erërat dhe këngët e mrekullueshme të zogjëve barbar.

***

Paralajmërimi për ndryshimin e këtij Kodit Penal dhe të kësaj Procedure Penale nga një Komision që është themeluar nga ky Presidenti me prirje për të qenë i paprekshëm nga klithma e të nënshtruarit të tij, është përbuzës dhe një kërcënim i lirisë ndaj nesh, pa asnjë përjashtim. I dashur President, nobelisti i hershëm Rabindranath Tagore, mendon se është shumë lehtë ta mbysësh lirinë e brendshme të njeriut në emër të lirisë së jashtme. Ish kryeministri i Francës Leon Blum, mendonte se një shoqëri që pretendon t’u sigurojë njerëzve lirinë, duhet t’ia nisë me garantimin e ekzistencës së tyre. I dashur President, ne nuk ekzistojmë. Si mund të të fyejmë. Kur as nuk jemi. Kjo është e pamundur. Oh, i adhuroj politikanët, janë të vetmit njerëz që nuk flasin kurrë për politikën. I dashur President, Ezopi thotë se asnjë skllav nuk është më fatkeq se se ai që nxjerrë në dritë fëmijë të destinuar për të qenë skllevër. Politikani rus Nikita Hrushçov, mendonte se politikanët janë njëlloj gjithandej, ndërtojnë ura edhe kur nuk ka asnjë lum. Po çka dreqin dërdëllis kështu. Nuk jam në tokën e bukës. Nuk jam sikurse nuk kam qenë kurrë, bir i realitetit. I këtij realiteti që nuk do të pranohet kurrë një nga komb i lirë.

***

Pra krejt e qartë. Ne përveç se nuk duhet të fyejmë flamurin, stemën apo himnin ne nuk duhet të fyejmë as një president atëror që na konsideron turmë delesh, një Kuvend që fyerjen e ka doktrinë brenda hapësirës së saj vepruese, një kryeministër që fyen gratë, një qeveri të lëkundshme pa asnjë parim qeverisës e madje as Gjykatën Kushtetuese të Republikës sonë që është në shërbim të palëve të lartpërmendura. Pashë Krishtin. Pashë Allahun. Pashë Jehovajin. A jeni normal. A nuk jemi të fyer nga ju. A nuk jemi të përbuzur nga ju. Por që të qetësohemi nëse mundemi. Të flasim qetë përsëri. Duke ndjerë fyerjen si lëkurë gjithmonë kam dashur të mos kem punë me këto autoritete të përdala. Thjeshtë jam munduar ta ushtroj vullentin tim si qytetar i lirë. Dhe bash kur të vendosësh që të mos merresh me to gjithnjë duke mos e mënjanuar këtë gjë si dobësi qytetare dhe mangësi njerëzore, ata dalin dhe merren me ty. Kur ty që je i zënë nga lufta e përditshme për të ja dalur, as nuk të ka shkuar në mendje të fyesh dikënd. Ngase ka kohë që e ke pranuar këtë diktat shtypës. Këtë pamundësi për të ndryshuar gjendjen. Këtë qorrsokak ballkanik. Thjeshtë të dalin para hundës dhe o Zot, çdo ikje do të ishte ideale, nga ky pisllëk politik që udhëhiqet nga incidentet. Dhe çdo fyerje për ta, do të ishte uratë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.