Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Quf Quf Uff! (Pjesa I)

Pse me konë i sinqertë kur mundesh me rrejtë pa naj konsekuencë negative serioze, bile bile edhe me të dashtë njerëzit edhe pse i rren? Pse me folë të vërtetën kur mundesh veç me e përmendë si fjalë, e tue e përmendë me e mashtrue rrafsh e barabartë nji popull? Me e thanë të vërtetën nuk asht fort e randësishme, bile s’ke as çka me u lodhë, përderisa rrenat që i thu ditë e natë ka boll njerëz që i besojnë.

Boll asht mjaftueshëm, sidomos kur politikat komunikohen në facebook, ku pëlqimi ndikohet prej fiksimit me krijue nji imazh të vetes që i shkon për shtati llajkave.  Me këtë logjikë na udhëhiqemi qe sa. Dhe po funksionon. Gjithë ka funksionue. Sepse, njerëzit e lejojnë këtë.

Këto ditët e fundit me rastin e dekës së Agollit dhe cirkut kombëtar të vorrimit të tij në njanën anë, e me rastin e përvjetorit të Musine Kokalarit dhe lavdimit të saj po nga këta të njëjtit në anën tjetër, kam mendu shum. Dhe ndoshta gabim, por erdha në nji përfundim që na shqiptarët me e këqyrë hollë e hollë, knej kufinit, anej kufinit, kudo që jemi kurrë nuk jena marrë me të kaluemen tonë. Na kena qef me harru. Me përjashtim të gjakut të njani tjetrit. Ah, gjak marrim edhe dekada ma vonë. I vrajmë fëmijët për bamat e baballarëve e gjyshërve, e stërgjyshërve. Ka të bajë me krenarinë kjo. Ate burrnoren. Nuk e kuptoj!

E kaluemja nuk asht e thjeshtë, kuptohet, dhe kur them me u marrë me të nuk e kam fjalën në kontekstin e pastrimit të hesapeve, ose të vizatimeve bardh e zi të së drejtës dhe së padrejtës, së keqes dhe së mirës, por e them në kuptimin e përpunimit të traumave dhe të ndërtimit të nji ndërgjegjeje e cila e sheh të kaluemen si mundësi me ndërtu nji të ardhme ma të mirë dhe e ban këtë së paku tue i kuptue dyshimet e veta, për mos me thanë tue krijue dyshime me qëllimin e thjeshtë me mësue qysh nuk dojna me qenë.

Na, kudo që jemi, i kemi pranu komunistat si demokratë dhe prandaj kurrë nuk e bamë demokracinë; na kemi pranu hajnat si heronj prandaj kurrë nuk u çliruem; na kemi harrue heronjtë prandaj kurrë nuk u rritëm; na i kemi toleru snobat me u na shitë si intelektualë, prandaj … (nuk di as qysh me e vazhdue këtë fjali ma përpara); na kemi harrue vuejtjet e robnimit prej tutës që na akuzon dikush që s’po dijna me e shijue lirinë, prandaj kurrë nuk u revoltuem. Na nuk e dina kush jena pa keqtrajtim e nënshtrim. Prandaj tolerojna po get në nji masë të madhe me na keqtrajtue çdo idiot që mrrin me ble nji karrige në qeveri. Përmes viktimizimit që na bahet na gjejna kuptim në ekzistencën tonë, përndryshe nuk e dijna çka dojna. Liri po, ama çka me bo me te? Jemi konfuzë, jemi inferiorë, se na e kanë shti në gjak gjeneratë mas gjenerate që na nuk jena njerëz, që na nuk e dijna çka asht liria. Çmimin ia dijna, por vlerën jo. Përqata dijna me dekë për te, por jo me jetue për te. Bishtin mes kamëve, e patëm s’e patëm, na e ndjenja.

Treni i pajtimit dhe së vërtetës

Nuk asht e çuditshme që Thaçi sot kcen me muzikën e ambasadave të hueja për me pshtu bythën e vet.  Ky që e ka përça këtë popull kah asht sillë, sot kërkon pajtim dhe kërkon shërim të traumës dhe jo që kcen, por fjalë për fjalë reciton kërkesat e tyne të cilat mundohet me na i shitë neve popullit si vullnet të tij, si përgjegjësi institucionale morale, racionale, vizionare bla bla bla. Vullnet, tamam qysh i ka hije nji kryetari shteti, nji njeriu të kulturuem e paqedashës. Vullnet, pra. A kam nevojë me nënvizu najqysh ironinë këtu? Thaçi nuk ia di as kuptimin fjalës “pajtim” e le mo “të vërtetës” dhe tashti dojka me e themelu nji komision për te… a thu kush ka me e udhëheqë, naj dajë i tij?

Pajtimi dhe e vërteta asnjiherë s’janë ide e keqe. Në fakt janë kusht për nji shoqni që do me ecë përpara. Por pajtimi dhe e vërteta duhet me u kërkue prej shoqnisë si nevojë themelore për shërim e zhvillim. Jo me u “urdhnue” prej nalt. Kur themelohen komisione për pajtime e të vërteta prej nalt, shtrohet pyetja qyshdokoftë, të vërtetën e kujt? Dhe këtu nuk e kam fjalën tek perspektivat e popujve të anmiqësuem, por te individët që udhëheqin me ato popuj. Sepse këta individë, për arsye individuale krijojnë këto komisione pajtimesh. Paramendojeni nji film, Thaçi tue e luejtë pajtuesin. A mundeni me e paramendue Thaçin në vend të Anton Çettës allahile? A e paramendoni dot naj të vërtetë tue dalë prej gojës së tij?

Treni i ambasadave

Njëjtë sikur që ia paluen kurrizin Thaçi para vorreve të serbëve në pllakat e të cilave shqiptarët quheshin terrorista, tash po ia palojnë, me nerë me thonë koqet, tue e urdhnue me luejtë pajtuesin e popujve. Pyetja asht, a mos janë idhnu pak si shum ambasadat për ato telefonat e përgjueme ku ky në bisedë me dosta “luen pak koqe” me ta? Nuk asht pyetje. Veç thash!

Dhe nuk asht problemi tek pajtimi, kena nevojë për te shum, problemi asht që pajtimin s’mundet me e ba nji njeri që asht në njanën anë viktimë e të zezave të veta, e në anën tjetër e zeza e viktimizimit tonë si shoqni. Dhe arsyeja asht e thjeshtë: SEPSE përderisa atij pajtimi “i duhet” me e luejtë politikanin e reformuem e demokratin e misionit të ri, si xhoker për me pshtue prej burgut, kësaj shoqnije pajtimi i duhet përnime.

Tashti, që Kosova duhet me u marrë me të kaluemen e saj, e me viktimat e me traumat, duhet. Pa dallim etnie. Na u shterr zani sojit të vogëlsisë tem, tue hangër mut nëpër shkrime palidhje, që duhet, duhet dhe që s’u morëm kurrë sot e kësaj dite asht krim ndaj paqes e ardhmënisë tonë. Megjithëse për aq sa vlen, njerëzit e vegjël të kësaj shoqnije, prej projektit në projekt me gjithë vështërsitë po merren vazhdimisht me pajtimin dhe ndërtimin e paqes, disa ma të suksesshmit prej tyne bile në bazë vullnetare, si shërbëtorë të denjë të menaxherave të organizatave të mëdhaja që drejtojnë projektet prej zyreve të tyne me karriga të lëkurës e i parkojnë xhipat para zyreve me qira marramendëse. Dhe këta njerëz të vegjël kanë arritë diçka, por problemi qëndron tek fakti që puna e tyne nuk shihet po nuk e pat vulën e bashkëpunimit të naj ministrie diku, e ministritë bashkëpunojnë ose jo varësisht prej asaj a shohin a jo naj mundësi me e luejtë “ekspertin” me naj trajnim e me i marrë do pare, ose me udhëtue jashtë shtetit me naj konferencë. Kujdes mos harroni në konferenca me i prezantue të parët, se mujnë me t’u idhnue për mungesë respekti ndaj shtetit. Me fjalë tjera, marrëveshja e bashkëpunimit në këto raste në fakt asht veç nji marrëveshje tjetër e nënshtrimit. Dhe natyrisht n’daç me të shkue mirë biznesi i OJQ-së, ke me u nënshtrue. Por mos keni dert, ata që OJQ-në e shohin si biznes nuk e kanë problem nënshtrimin, se nxjerrin për vete najsen, e qaq ju mjafton.

Neve nuk na duhen komisione pajtimi prej Thaçit, as nuk na duhen ambasadat me na kallxue çka na duhet. Çka na duhet asht nji udhëheqësi që nuk ka nevojë me kërkue falje që romit i thotë maxhup, sepse nuk i thotë; çka na duhet asht nji qeveri që nuk ka nevojë me i kërku falje grave që i quen lopa, sepse nuk i quen; çka na duhet asht nji opozitë që ka ide ma të mira reth forcës së argumentit sesa retorikën nacionaliste plot përralla; çka na duhet asht nji kriminel ma pak në qeveri e nji idiot ma pak brenda e OJQ-ve që bashkëpunon me ta; çka na duhet asht nji hipokrizi ma pak githandej.

Treni i fejsbukut dhe autobusat

Nuk na duhen trenat, që i ndalim ose nuk i ndalim, as autobusat që prishen ose nuk prishen për me e kuptue që po ushqehemi me propagandë në tana anët. Popull, provokimet prej Serbisë s’kanë nevojë me bo “quf quf” për me u pa, i kemi në rafte të dyqaneve, i kemi në ekran të televizorit. Hajt boni uff!

E edhe autobusa për aq sa vlen, kemi pasë edhe para luftës. Çka s’kemi pasë para luftës asht pavarësia, të cilën nuk duhet me ia lejue na vetës sot me e kujtue si dita kur “u banën me autobusa” (të cilët u prishën ose s’u prishën, kujt po i duhet gjithë ky lajm idiotik allahile? Lajm të cilit i bie pre kryetari i kryeqytetit tonë e merret me te nëpër statusa tanë ditën, thue se nuk ka punë ma të mençme. “Damn it”.) Thashë të foli pak anglisht për kryetarin tonë të shehrit, që na ka studiu në Harvard, i cili këto ditë me edukatë shembullore e uroj ekipin e filmit “Home” për çmimin në Bafta, na uroj neve qytetarëve autobusat e ri, thue se i kemi shpikë vet, por pavarësinë jo. Se ajo ka pikë prej qiellit. Kjo idiotësi nuk na duhet. Nuk na duhen as përkuljet e idiotave prej atje nalt para vorreve të dëshmorëve këtu poshtë. Vorret janë të popullit. Bollni mo! E dijna që mundeni me e laku kurrizin, kurrgjo tjetër mos ditshim!

Treni i pavarësisë

Çka na duhet neve, asht nji qeveri që nuk konsideron që përshkak të interesit të përfitimit financiar numri i grave që janë përdhunue gjatë luftës mundet me u rritë. Qysh u rrit ai i veteranëve, që për çudi nuk i la përshtypje qeverisë hiç, por edhe ma zi as popullit nuk i la fort përshtypje, përveç nëse mujna me i llogaritë si protestë gjurmët e dhambëve tanë plot mllef në lugët e pllastikës të makiatove tona të përditshme? Kësaj qeverie kriminale nuk i la përshtypje as që Kosova e ka nji sistem të arsimit në nivel katastrofik të cilin natyrisht e krijuen vetë këta dreqën, kadaldale vit mas viti e shkatrruen; sikur që nuk i la përshtypje që fëmijët vdesin prej mureve të shtëpive historike e kurrkush nuk shkon në burg; sikur që nuk ia ninë fort kurrkujt që fëmijët tanë rrezikohen çdo ditë nëpër rrugë se s’kanë as trotuare ku me ecë, përveç nëse mujna me i llogaritë si protestë gjurmët e dhambëve tanë plot mllef në lugët e pllastikës të makiatove tona të përditshme (qita e thashë më duket nji herë. Shnosh!)? Kriminelëve nuk u len përshtypje pra asnji idiotësi tjetër që e ban jarania e tyne, e afërt, ose e afrueme pavarësisht sa e largët. Nji mut.

Çka na duhet asht nji opozitë që e pranon pavarësinë e këtij vendi dhe nuk e shet odave e shesheve (që nuk i kena qaq sa thojnë që i kena) si cenim për bashkimin kombëtar, e cenim për gjuhën shqipe e pse jo edhe kërcnim për ekzistencën e shqiponjave të maleve tona të nemuna ose të bekume. (Moti s’kam pa shqiponjë llajv, duhna me dal ma shpesh maleve).

Flamurat, si ai si ky, lecka janë çdo herë. Harna, të prodhueme najkun. Nerën flamurit ia jep njeri, e jo e kundërta. Dhe ia jep, ose nuk ia jep me vepër, jo me fjalë. E sidomos jo me fjalë të kota e të budallavta. E për aq sa vlen, nuk e pranoj hipokrizinë e atyne që më thojnë që e dojnë (veç) flamurin kombëtar (kuq e zi) si atdhetarë të mëdhenj që janë dhe të njëjtin tani për festa kombëtare e varin në bandera si me dashtë me e dënue për krime ndaj njerëzimit. Pramendojeni nji flamur tue u mundue me e përqafu banderin, por banderi bander, nuk merr vesh, e dikur flamuri dorëzohet ndaj erës dhe zhagitet si paçavër rrugëve me emna dëshmorësh. I braktistun prej banderit, flamuri me të cilin krenohen patriotat ani pse edhe me e pasë gjuhën gjarpën ata nuk e dallojnë. E valojnë, oh e valojnë. Dashni valla, se jo mahi. Dashni që bahet përshesh në retorikën e pllazma-keksave.

 

vazhdon…

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.