Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

“Shënime mbi shtetndërtimin” si ftesë për të vendosë autoritetin e pyetjes

Vështrim mbi librin e Adem Behës, “Shënime mbi shtetndërtimin: pavarësia, paqartësia dhe qeverisja në Kosovë” (Logos-A, 2019).

Në kohën kur shoqnia jonë po vlon prej diskutimeve të nxehta mbi tema e çështje kontraverse, libri i radhës i Adem Behës është kontribut tejet i mirëseardhun si angazhim në këto debate. Por, ndryshe nga forumet e zakonshme ku ndodhin debatet (zakonisht në forume virtuale në internet e televizion, si dhe në ato reale: në kafe, rrugë e shtëpi), fjala e shkrume pasqyron përgjegjësi ma t’naltë për fjalën e thënë në publik.

Përfshirja e akademikëve në diskutimet e debatet publike është kontribut i mirëpritun. Natyrisht, nuk jam pretencioz në këtë qëndrim, se jam i vetëdijshëm dhe e pranoj se në momentin që akademikët marrin pjesë në debatet publike, ata nuk mund të pretendojnë kurrfarë epërsie të opinioneve e qëndrimeve të tyre në raport me të tjerët në hapsinën debatuese. Pikërisht, sepse kjo hapsinë ose sferë publike është… publike. Pra, për të gjithë barabar, por e askujt më shumë se e të tjerëve.

Mirëpo, angazhimi i akademikëve, sferën pubike e pasuron me traditën intelektuale dhe njohuritë shkencore që ekzistojnë nëpër biblioteka me të cilat ata janë të familjarizuar, kanë marrë mundin e kohën për t’i njoftë e studiu dhe për t’i përdorë ato në mendimin e tyne. (Dhe kjo nuk është mburrje për ta, por thjesht ka të bëjë me profesionin, me fatin (a fatkeqësinë) e tyne.) Prurja e erudicionit akademik në sferën publike është vlerë e shtuar në diskutimet për çështjet e publikut. Dhe për këtë “defekt profesional”, ata nuk mund të qortohen.

Natyrisht, kjo që po them s’asht asgja e re, se neve nuk na kanë mungu intelektualët e akademikët në diskursin publik, sidomos kur shoqnia ka pasë ma së shumti nevojë për ta. Por, më duket se tash kur po mendojmë se nuk na duhen fort, diskutimet publike po dominohet nga të ashtuquajtun “analistë”, “ekspertë”, “njohës të fushave (e maleve) të ndryshme”, e tjerë. Andaj, vlerësoj se intervenimi i akademikëve në debatet publike, siç është ky libër i Ademit është prurje e mirëpritun në diskursin publik, pasi që shkrimet publicistike të përmbledhuna në të janë të formume nga njohuritë e shkencave shoqnore me të cilat autori është i familjarizuem.

Janë një numër shkrimesh të klasifikume në pjesë tematike. Por, si çdo klasifikim, edhe atëherë kur bëhet nga autori—ose sidomos kur bëhet nga autori—asht i papërsosun dhe reduksionist. Du me thanë se shumëllojshmënia e temave asht ma e gjanë seç mund të paraqitet në “Pasqyrën e landës” në faqet e para të librit.

Sidoqoftë, unë kam zgjedhë vetëm një pjesë për ta diskutu shkurt, domethanë shkrimet në pjesën e titullume “Demokratizimi dhe kultura politike”.

Gjuhëreja politike orwelliane

Kjo pjesë e librit hapet me artikullin “Gjuhëreja politike orwelliane: 2+2=5” që flet për një dukuni të pranishme në regjimet totalitare dhe autoritare: ndërtimin e fjalorit politik përmes të cilit synohet të manipulohet konceptimi i vetë regjimit duke e vënë nën kontroll mendimin mbi të kalumen e të tashmen e tij, e rrjedhimisht duke e vënë nën kontroll vetë shoqninë nën diktatin total(itar) të një fjalori të sajuem nga burokracia e shtetit, pra përmes gjuhëresë orwelliane në romanin distopik “1984”.

Në të vërtetë, kjo teknikë e manipulimit të mendimit përmes gjuhës është armë ideologjike e çdo regjimi politik, veçse ato totalitare i kanë duart më të lira për ta përdorë atë me efikasitet ma të madh. Kështu, edhe regjimi jonë, për hir të “korrektësisë politike” e manipulimit të ndjenjave e mendimit të popullatës, sajon e përdor një gjuhë si robotike, të huaj e të papërdorur në gjuhën kollokviale ose të përditshme pupullore, si për shembull, “korrupsion” në vend se hajni ose vjedhje e pasurisë publike; por edhe shtrembëron kuptimin e fjalëve, si për shembull “demokraci” për të emërtuar zgjedhje me vota kishe të lira e të paanshme; “çlirim”, “reforma” (në arsim, etj), “sovranitet”, “pavarësi”, “integrim europian” me të cilat synohet të konstatohen gjendje që nuk ekzistojnë askund në realitetin tonë politik e kulturor, por veç të regjistrume në dokumente e raporte qeveritare e tekste shkollore, në propagandën zyrtare e gjysmëzyrtare të televizioneve, shtypit e portaleve, e jo rrallë edhe të organizatave (kishe) joqeveritare.

Artikujt në këtë pjesë hetojnë karakterin manipulues të “gjuhëresë” në Kosovën ahtisariane, dhe përpiqen të gjejnë idiomën që emërton më së drejti realitetin.

Mbi diskursin e deformimit të votës

Në artikullin “Mbi diskursin e deformimit të votës”, autori vëren se diskursi i “deformimit të votave” –dikur tabu në Kosovë—u konstatua vetëm në zgjedhjet e vitit 2010. Natyrisht, është e ditun që dukuria e manipulmit të votave, e kështu edhe e vullnetit të popullit ka shoqëru edhe zgjedhjet para atij viti. Por për të, ndërkombëtarët nisën të flisnin vetëm në 2010-tën. Pse në 2010-tën? Sepse ky ishte viti kur zgjedhjet u organizuan nga vendorët për herë të parë. Ma parë, në vitin 2007, UNMIK-u nuk kishte raportuar fare për keqpërdorimet në procesin e votimit, e as për ankesat dhe adresimin e tyre, sepse zgjedhjet organizoheshin nga misionet ndërkombëtare dhe ata vetë s’mund të vinin në dyshim aftësinë e tyne demokratizuese. Veç kur dështimi i zgjedhjeve të lira e fer mund t’u faturohej vendorëve, ndërkombëtarët nisën me folë për “deformimin e votave”.

Ky hetim i autorit na thërret që, saherë që ndërkombëtarët të konstatojnë publikisht një “sekret publik”, na duhet të bëjmë pyetjen: Pse tash? Pse bash tash nisi të flasë UNMIK-u, EULEX-i, ambasadorët për diçka që na e kena ditë dhe e kena thanë tashma?! Mundemi me gjetë përgjigje interesante (p.sh. nëse pyesim, pse vetëm tash së voni në ambasador i një shteti me ndikim në Kosovë foli për “kulturën e pandëshkueshmërisë” në Kosovë, etj).

Parapyetja, pyetja dhe debati

Mirëpo, plagën e shoqnisë kosovare, Ademi e gjen pikërisht te mungesa e pyetjes. Kjo mungesë ka lënë një boshllëk që është plotësu me afirmime, shejtnime, legjenda, profetë, heronj, e të vërteta absolute të padiskutueshme, ose siç thotë autori, “autoriteti i pyetjes është zëvendësuar me autoritetin e babës, heroit, e me radhë”. E kur s’ka pyetje, s’ka as debat, Veç akuza.

Pushteti ka zgjeruar kthetrat edhe në sfera e institucione publike duke pamundësu pyetjet në lidhje me vetë pushtetin. Ky sindrom nuk ka kursy as institucionet shkencore e arsimore ku, siç shprehet me elokuencë autori, “ka folklorizim të shkencës, por jo studim shkencor të folklorit”.

Pyetje nuk shtrohen. Afirmacionet/pohimet ofrohen nga qendrat. Mungesa e pyetjes rezulton në mungesë të debatit pubik, rrjedhimisht në mungesë të hapsinës së shqendërzume publike, ku do të mund të pyetej. Andaj, në librat me të drejtë konstatohet se “nuk ka ngjarje politike të brendshme”, por veç të jashtme, pra “intervenime” e ndikime nga jashtë.

Mos klith, zonjë!

Por, siç vëren Ademi, popullata “nuk ka zë” për me folë, por veç zë me të cilin ulërin, fërshëllen e zukat. Popullata, pra, nuk e zotëron fjalën, por vetëm klithjen. (Prandaj, artikulli të cilit po i referohem titullohet “Mos klith, zonjë!”) Për popullatën, pra në emër të tyre, flasin të tjerët: politikanët, “miqtë ndërkombëtarë”, e “shoqëria civile”. Ademi thekson se veç atëherë kur kalohet nga “regjistri fonik” tek “ai i artikulimit politik”, d.m.th. kur “guxon me folë”, populli bëhet “zot i fatit” të tij dhe “e shpall veten qytetar”.

E, libri që po e promovojmë sot, është pikërisht ftesë për të ba pyetje, për të “vendosë autoritetin e pyetjes [që] vë në pikëpyetje autoritetet, cilatdo qofshin ato”. Është thirrje për guxim me folë, pra për artikulim politik. Është thirrje për të tejkalu afirmacionin mbi të cilin është ngritë shoqnia jonë dhe për të hapë debatin, sepse, siç shprehet autori, “rruga nga afirmimi te debati kalon përmes pyetjes”. Shkurt, është  ftesë për “me guxu me folë” me termet tona, me e ndërtu narrativin tonë vetë ne, e që duke u bë “zot I fatit tonë” të “shpallim veten qytetarë”.

Për ma tepër, duhet me e lexu librin…

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.