Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

This Is America

Mbushur me referenca historike dhe bashkëkohore të konflikteve racore dhe pamjeve të pa-censuruara të dhunës me armë zjarri, videoklipi i ri muzikor nga Donald Glover (më mirë i njohur si Childish Gambino) i këngës “This is America” (Kjo është Amerika) lë shumë për të kuptuar. Kënga është kritikë sociale brutale që ka tërhequr vëmendje të madhe me më shumë se 64 milionë shikime vetëm brenda 4 ditëve, që kur u lansua në YouTube.

Shëmbëlltyra e “This is America” është kaotike e hipnotike, duke u lëkundur fuqishëm në pranëvënien në mes të argëtimit dhe dhunës.

Videoklipi dhe kënga të mrekullojnë dhe të bëjnë të ndjesh e të shijosh një prej veprave më delikate, duke ta rikujtuar historinë po aq delikate të komunitetit afroamerikan. Kjo vepër është përmendore e gjallë e ndikimit social që mund të ketë arti në shoqëri. Në shikim të pare mund të duket si këngë e zakonshme, mainstream, e estradës amerikane. Diçka në stil à la Drake – “We just wanna party, party just for you; Girl, you got me dancin’, yeah, girl, you got me dancing” (Ne thjesht duam të bëjmë party, party vetëm për ty; Vajzë, ti po më bën të kërcej, po më bën të kërcej)… Diçka thjesht gazmore dhe vetëm gazmore.

Megjithatë, mes rreshtash e më thellë, gjen elemente sociohistorike e sociopsikologjike, të cilat domosdo të sjellin ndërmend referenca reale politiko-sociale e historike, por të thëna mjeshtërisht përmes alegorisë, përmes metaforës, përmes artit delikat, me shije të stërholluar.

Por cilat janë alegoritë më evidente te kjo këngë?

Njeriu i zi që aspiron të jetë i bardhë

Një kitarë dhe një karrige brenda një salle industriale janë në qendër të imazhit të parë të videos. Në pak sekonda një burrë i zi ulet për të luajtur kitarë. Gambino vallëzon dhe bën mimika të çuditshme me sy të djathtë – duke iu referuar Uncle Ruckus. Ky i fundit është protagonisti kryesor i stripit “The Boondocks” që ishte strip komedi e përditshme që satirizonte politikën amerikane siç shihet nga sytë e një djali të ri e radikal të quajtur Huey Freeman. Uncle Ruckus ishte një nga protagonistët në këtë strip – një burrë afro-amerikan i moshuar, mbushur plot zemërim, i cili pretendon ta ketë një sëmundje të lëkurës që ia shndërron ngjyrën nga e bardha në të zezë. Ky i fundit mbetet një nga figurat më të shquara të fiksionit amerikan që trajton disocimin dhe refuzimin e identitetit të të qenit “i zi në Amerikë”.

Segregacioni

Njeriu me kitarë pastaj shfaqet i maskuar dhe Gambino i jep atij një goditje në qafë me armë zjarri duke marrë pozitë simbolike të trupit. Poza e Gambinos, derisa ai gjuan, është e stilizuar dhe e qëllimshme; ai lakon ijet e tij në të djathtë, me një gju kërrusur dhe dorën në ijen e majtë – pasqyrim çiltërsisht besnik, shëmbëllesë e imazhit të Jim Crow. Jim Crow është një tjetër personazh fiktiv i rrënjosur thellë në kulturën popullore amerikane. Origjina e Jim Crow shpesh i atribuohet “Jump Jim Crow”, një karikaturë që targetonte këngët e vallet e zezakëve të bëra nga aktori i bardhë, Thomas D. Rice, me fytyrë të lyer në të zezë. Shfaqjet e tij fillimisht filluan në 1832, dhe portretizuan një skllav me të gjitha stereotipet negative që lidheshin me komunitetin zezak të asaj kohe. Si rrjedhojë e famës së Jim Crow, kur në fund të shekullit të XIX legjislatura jugore miratoi ligjet e ndarjes racore të drejtuara kundër zezakëve, këto ligje u bënë të njohura me këtë emër. Ligjet prekën pothuajse çdo aspekt të jetës së përditshme, duke e bërë të detyrueshme ndarjen e shkollave, parqeve, bibliotekave, autobusëve, trenave dhe restoranteve.

Objektifikimi i kulturës afrikane

Pas dorëzimit të armës tek një adoloshent, i cili e kap atë më kujdes të madh, që të bën me dije se çfarë peshe simbolike kanë armët në Amerikë, Gambino vallëzon një valle të Afrikes Jugore. Ndërsa fokusi është në vallëzim, ne shohim në sfond që trazirat kanë filluar. Me këtë bëhet me dije se megjithëse njerëzit duan të përqafojnë dhe të marrin aspekte të kulturës zezake, mbyllin sytë ndaj abuzimeve që u ndodhin atyre në Amerikë.

Masakra në Charleston

Të shtënat e dyta në videoklip janë ende më eksplicite, ku Gambino hap zjarr me mitraloz në një kor të kishtarëve zezakë. Kuptohet të jetë një referencë për masakrën e nëntë personave në një kishë në Charleston në vitin 2015 nga supremacisti i bardhë i quajtur Dylan Roof. Të shtënat, si dhe vëmendja që u jepet atyre, ndodhin tepër shpejt në klip, duke iu referuar realitetit dhe mënyrës se sa shpejt harrohen tragjeditë.

Vrasja e Stephon Clark nga policia

Pas kësaj, nxënësit që Gambinon e përcjellin me valle gjatë këngës shfaqen si dëshmitarë të konfrontimit midis protestuesve dhe policisë, duke e regjistruar revoltën me telefonat e tyre celularë ndërsa gojët i kanë të mbështjellura me shalla. Në realitet, një i ri zezak, Stephon Clark, pësoi nga shtatë të shtëna prej policisë në mars të këtij viti. Policia po kërkonte një të dyshuar që kishte thyer dritaret e veturave. Clark, ndonëse gjendej në oborrin e shtëpisë së tij me telefon në dorë, u gjuajt nga policët që e thane se e kishin ngatërruar telefonin me armë. Vrasja e Clark ndezi një seri protestash të reja në ShBA që kërkonin dënimin dhe dhënien e përgjegjësisë për dhunën e forcës policore ndaj zezakëve.

Kalorësi i bardhë apokaliptik

Në fund të videoklipit, një njeri me ftyrë të mbuluar shihet duke kalëruar një kalë të bardhë. Në Dhjatën e Re të Biblës, kali i bardhë i njërit prej katër kalorësve të apokalipsit, përfaqëson vdekjen dhe fitoren nëpërmjet një konfrontimi të dhunshëm.

Në kohë trazirash të vazhdueshme politike dhe kulturore, “This is America” duket të jetë një përshkrim besnik i jetëve të zezakëve në Amerikë nga perspektiva e një zezaku, si dhe mënyra se si kultura amerikane në tërësi mund të kuptohet nga një zezak.

Kjo video përcjell kontrastin e perceptimit të kulturës popullore mbi “përvojën e zezë” (black experience) dhe realitetin e saj shpesh brutal, duke bashkangjitur kore të lumtura, harmonike dhe vargje të errëta dhe agresive. Ky kontrast mund edhe të aludojë në ndryshimet ciklike në humor sa herë që ka dhunë ndaj të popullit zezak në Amerikë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.