Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Turpi më i madh në historinë e OKB-së

photo: BIRN

Enver Robelli, “Ratko Mladić dhe banaliteti i të keqes – një kronikë mbi luftën e Bosnjës dhe karrierën e një krimineli”, Koha, Prishtinë, 2022. 

Me arrestimin e dy liderëve të sërbëve të Bosnje e Hercegovinës Radovan Karadžić-it më 2008 dhe të Ratko Mladić-it më 2011, Sërbia nën Presidentin Boris Tadić sikur bëri një përpjekje për ta mbyllur një kapitull të errët të historisë së saj më të re, të paktën sa u takon krimeve kundër civilëve boshnjakë. Ndërmarrja për ta mënjanuar njërën prej pengesave në rrugën drejt integrimeve europiane nuk qe e lehtë, ngaqë një pjesë e mirë e shoqërisë sërbe e shihte Tadić-in si ‘tradhtar të kombit sërb’, ‘shërbëtor të Perëndimit’ e ‘dorëzues të heronjve sërbë në Hagë’. Për fat të keq, kjo përpjekje e tij për t’ia shlyer këtë njollë Sërbisë, u shkatërrua tërësisht nga pasardhësi i tij Aleksandar Vučić, nacionalist virulent dhe aktualisht President i Sërbisë, i cili e lartësoi figurën e Ratko Mladić-it.

Për këtë kriminel sërb tashmë e kemi një biografi, ndonëse për momentin vetëm në gjuhën shqipe. Autori i biografisë së Mladić-it është gazetari Enver Robelli. Libri përbëhet nga 42 pjesë të shkurtra, një pjesë e mirë e të cilave mund të themi se do të funksiononin edhe si artikuj më vete.

Në pjesët e para të biografisë prezentohet kryesisht arrestimi i Mladić-it, për të vazhduar me krimin e tij më monstruoz, të njohur ndërkombëtarisht si gjenocidi në Srebrenicë, me ç’rast forcat sërbe në korrikun e vitit 1995 masakruan rreth 8 mijë boshnjakë myslimanë civilë të paarmatosur. Ky krim, siç thoshte atëherë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, paraqet “turpin më të madh në historinë e OKB-së”, sepse Këshilli i Sigurimit i OKB-së qysh më 1993 e kishte shpallur Srebrenicën zonë të mbrojtur.

Vend të rëndësishëm në këtë libër zë përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare për këtë krim. Autori këtu na ofron shumë të dhëna për veprimet, përkatësisht mosveprimet e përgjegjësve kryesorë ndërkombëtarë për ta parandaluar gjenocidin në Srebrenicë, konkretisht për të dërguarin special të OKB-së Jasushi Akashi, komanduesit e trupave të OKB-së nëpër Bosnjë e Hercegovinë Philippe Morillon e Bernard Janvier, pastaj komandantin e helmetkaltërve të OKB-së Thom Karremans, e me radhë. Autori këtu na ofron të dhëna tronditëse, si bie fjala fragmente nga dëshmia e komandantit Karremans në Tribunalin e Hagës, kur e pranon se gjatë negociatave me palën sërbe më shumë kishte menduar si t’i mbronte dhe nxirrte ushtarët holandezë me automjetet e tyre nga Srebrenica, sesa ta mbronte popullsinë boshnjake të kanosur nga forcat sërbe.

Robelli vë në pah përgjegjësinë e afro 400 trupave holandeze, që në emër të OKB-së duhej ta mbronin popullsinë civile, madje na ofron informata rrënqethëse se si trupat holandeze në ikje i kishin lënë banorët e Srebrenicës në duart e Ratko Mladić-it, si ishin pritur në Zagreb nga Princi i Kurorës Willem Alexander, i cili u kishte thënë: “edhe në emër të nënës sime dua t’ju shpreh admirimin për atë që keni bërë në Srebrenicë”.

Mirëpo, autori sjell edhe të dhëna se si Qeveria e Holandës e ka trajtuar përgjegjësinë e vet për gjenocidin në Srebrenicë: Më 2002, shtatë vjet pas masakrës, pasi e kishte shqyrtuar një raport prej shtatë mijë faqesh, të shkruar me kërkesë të Qeverisë nga Instituti Holandez për Dokumentimin e Luftës (NIOD) e të mbushur me akuza të rënda kundër udhëheqjes ushtarake dhe politike të Holandës, Qeveria socialdemokratit Wim Kok, kishte dhënë dorëheqje për shkak të gabimeve më 1995.

Në këtë libër Robelli ofron përshkrime e të dhëna të vlefshme edhe për vende, personalitete të rëndësishme politike, ushtarake e intelektuale, si dhe ngjarje që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me kryepersonazhin e librit Ratko Mladić. Për shembull, të dhëna politike, ekonomike e kulturore nëpër periudha të ndryshme historike për fshatin Lazarevo, ku u arrestua Mladić-i, për qytetin më të afërm të këtij fshati Zrenjaninin, pastaj për vetë qytezën e Srebrenicës. Autori sjell të dhëna edhe për jetën e përditshme të këtyre vendeve, e edhe për jetën e përbashkët mes pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme etnike e fetare.

Mjaft me rëndësi janë edhe informatat e ofruara për individë të lidhur drejtpërdrejt me Mladić-in, si avokatin e tij Miloš Šalić nga Peja, pastaj kundërshtarin e tij Naser Orić-in, komandant i forcave boshnjake në Srebrenicë , i cili, siç na tregon Robelli, më parë kishte punuar në Ministrinë e Brendshme të Sërbisë, kishte shërbyer edhe në Kosovë, e madje kishte qenë edhe në ekipin e truprojave të Milošević-it.

Prezentimi i veprimtarisë së Orić-it është ndër elementët që këtë libër e bën neutral e objektiv, ngaqë përmenden edhe shkeljet e rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare nga pala boshnjake, si dhe lidhjet e politikanëve boshnjakë me grupe kriminale. Në libër figurojnë edhe të dhëna për krimet e luftës të kryera nga disa oficerë kroatë, kryesisht kundër sërbëve të pambrojtur, shumica pleq e plaka. Këtu potencohen edhe përpjekjet e autoriteteve sërbe për të reflektuar mbi krimet kryera kundër boshnjakëve, sidomos në Srebrenicë, siç janë: Rezoluta e Kuvendit të Sërbisë, që ndonëse nuk e përmend nocionin gjenocid, dënon krimin masiv në Srebrenicë në kuptim të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pastaj prania e Presidentit Tadić në Srebrenicë, e me radhë. Këta janë disa hapa të vegjël përpara, të cilët janë rrënuar tërësisht me ardhjen në pushtet të Vučić-it.

Duhet thënë se për hartimin e këtij libri autori ka shteruar lakmueshëm shtypin rajonal (sërb, boshnjak e kroat), pastaj atë gjerman, zvicerian e austriak, por edhe atë britanik e amerikan. Po ashtu, ai ka përdorur dokumente me rëndësi të veçantë, si aktakuzat e Tribunalit të Hagës, jo vetëm kundër Karadžić-it e Mladić-it, por edhe të akuzuarve të tjerë të përfshirë në gjenocidin e Srebrenicës, e edhe në krimet e tjera në Bosnje, e plot dëshmi e vendime të gjykatave kundër të akuzuarve të ndryshëm. Robelli ka shfrytëzuar edhe një mori raportesh të hartuara nga organizata e përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Nuk duhen harruar as librat e vlefshëm të personaliteteve të ndryshme politike, ushtarake, diplomatike, shkencore e mediale, nga rajoni e nga bota.

Njohja e mirë e rajonit, pastaj e historisë, jo vetëm politike, por edhe ekonomike, kulturore, mandej e luftërave gjatë viteve ’90, njohja e gjuhëve të rajonit, por edhe e atyre europiane, përcjellja me vëmendje e kujdes të veçantë për pothuajse tri dekada me radhë e zhvillimeve që lidhen me temën e librit, i kanë mundësuar autorit që ta shkruajë këtë libër të vlefshëm. Do të ishte e dobishme që ky libër të botohet edhe në gjuhët e rajonit (boshnjakisht, sërbisht e kroatisht), e pse jo edhe në gjermanisht e anglisht.

Këtë libër duhet ta lexojmë që të mësojmë saktësisht e detajisht se çka ka ngjarë në Srebrenicë, por edhe ta përkujtojmë këtë krim, nga më të llahtarshmit që ka parë njerëzimi ndonjëherë, mes tjerash edhe sepse ndërhyrja ushtarake e NATO-s më 1999 për të parandaluar krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë nuk do të kishte ndodhur pa dështimin kolosal të bashkësisë ndërkombëtare në Srebrenicë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.