Një nga shfaqjet më të çuditshme të këtyre viteve të fundit ka qenë dëshira për të çmitizuar kulturën, gjë që në vetvete më ngjan si një vetkundërshtim qesharak. Kultura vetë është një grumbull mitesh i tejzgjatur në kohë. Mitet nuk çmitizohen, por vetëm zëvendësohen.
Mitet janë themelet e një botëkuptimi. Botëkuptimi është marrëdhënia që ne kemi me gjjthësinë. Marrëdhënia që ne kemi me gjithësinë shfaqet në tërësinë e ligjërimit. Por edhe ligjërimi ka kufijtë e vet. Ligjërimi do të përfundojë diku, pasi njeriu nuk mund të pyesi pse pafundësisht. Arsyeja e arsyes diku përfundon: buzë heshtjes së paarsyeshme. Mes heshtjes dhe ligjërimit fshihet miti. Mes paarsyeshmërisë dhe arsyes fshihet miti.
E nis këtë shqyrtim të librit Shtrati i Prokrustit të Alket Çanit me një sqarim të domosdoshëm të mitit, pasi vetë libri në thelb është në kërkim të mitizimit të përvojës. Para se të futem më thellë në shqyrtimin e librit, dua të them me plot gojën se ky është një ndër librat më të mirë me poezi të shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe. Një lexim i domosdoshëm. Më pas do shikojmë edhe librin e mëvonshëm të Çanit, Memento Mori, ku vëmendja kalon nga miti tek kujtesa.
Si fillim duhet të sqarohet një herë vetë titulli i librit: Shtrati i Prokrustit. Në mitologjinë e lashtë greke Prokrusti ishte një farkëtar, i cili i ftonte udhëtarët të flinin te shtrati i tij prej hekuri. Prokrusti ose i zgjatonte ose i gjymtonte udhëtarët, pasi asnjëri prej tyre nuk e kishte masën e duhur për shtratin.
Shtrati i Prokrustit është një përfaqësim simbolik i vetë mitit. Te miti, përvoja gjen prehje, por e stërzgjatur ose e gjymtuar. Përherë ka një mospërputhje midis mitit dhe përvojës. Te poezia “Shtrati i Prokrustit” gjejmë vargjet:
“Koha qe vdekja jonë, fati ynë i vetëm,
Mundësia e vetme, e vetmja portë e hapur,
Gjersa gjetëm më në fund këtë shtrat të ëndërruar,
Ku kishim qenë të ngujuar gjithë jetën.”
Shtrati i Prokrustit është tejkalimi i kohës dhe vdekjes: është vetë trajta mitike e jetës. Miti është si shtrati i Prokrustit: përvoja flijohet për t’i përshtatur një trajte hyjnore.
Te poezia “E menduar shpejt”, shikojmë pikërisht këtë kërkim të mitit te përvoja në vargjet fillestare:
“Në gjithçka të lashtë
Unë kërkoj mitin,
Legjendën, thelbin e saj gri.”
Miti është thelbi i përvojës dhe historisë. Më poshtë, poezia vazhdon:
“Nuk janë pjesët që bëjnë të tërën.
Është e tëra që ndahet në pjesë.”
Mitet nuk janë të njëtrajtshme. Mitet nuk e flijojnë shumëllojshmërinë e përvojës për t’u bashkuar në një. Është pikërisht e kundërta: përvoja që shfaqet në njëtrajtshmëri të pandashme ndahet në pjesë nga mitet.
Ne jemi në kërkim të një trajte mitike të jetës ku prehet përvoja. Por pyetja që duhet të shtrohet tani është: Cila është trajta mitike e jetës? Çfarë ngjyrimi ka kjo trajtë mitike e jetës? Përgjigjet e këtyre pyetjeve gjenden te poezitë “Kënga e Jasonit” dhe “Kënga e Odiseut”. Trajta mitike e jetës është jeta si një udhëtim i pakuptimtë, një udhëtim i paqëllimtë që kundërshton vetveten.
Udhëtimi i Jasonit për pavdekësi shfaqet i pakuptimtë nëpërmjet pyetjeve të shumta brenda poezisë:
“Po përse kishim shkuar gjer në Kolkidë?
…
Përse u desh të humbte kaq kohë?
Përse u deshën ikjet, magjitë, betejat?”
Ndërkohë te poezia “Kënga e Odiseut” e shikojmë udhëtimin e paqëllimtë te vargu:
“Vetë e zgjodhëm endjen e përjetshme.”
Udhëtimi jo vetëm është i pakuptimtë, por vetëkundërshtues. Pikërisht këtë vetëkundërshtim të jetës si një udhëtim e shikojmë te vargjet e fundit e “Kënga e Jasonit”:
“Një vdekatar që kërkoi të bëhej i pavdekshëm.
Vetmitar shkoj aty ku s’më pret njeri
Me anije të plakur sa trupi im, të vjetër
Sa kjo dhimbje…
Ti Argo që më blatove lavdinë, më sill tani
Edhe vdekjen.”
Jasoni këtu kërkon edhe pavdekësinë, edhe vdekjen. Vetë udhëtimi kundërshton vetveten dhe nuk ka një qëllim të përcaktuar. Ndërkohë që te Rreshpja udhëtimi poetik ka një trajtë të caktuar, jeta si një udhëtim i vazhdueshëm zhgënjimesh të njëpasnjëshme, te vepra e Çanit udhëtimi nuk ka kuptim, nuk ka qëllim.
Te poezia “Muzg” ku shohim ndryshim nga një gjendje në një gjendje tjetër, përshkruhet pikërisht përjetësia e këtij udhëtimi të pakuptimtë:
“Gjithçka: edhe jeta edhe vdekja
Ndjehen befas të mashtruara
Nga mospërfillja e gjërave të papërcaktuara.”
Është nëpërmjet mospërfilljes, nëpërmjet kalimit të vazhdueshëm mes gjërave të papërcaktuara që udhëtimi vetëkundërshtues dhe i paqëllimtë arrin të tejkalojë jetën dhe vdekjen. Duke tejkaluar vazhdimisht çdo gjë, tejkalojmë edhe jetën, edhe vdekjen, dhe arrijmë te trajta hyjnore.
Në këtë botëkuptim, çdo gjë përjetohet si një mundësi për të udhëtuar. Këtë gjë e shohim te poezia “Gjeografi”:
“Zëra të thellë
Të detit. Ju dëgjoj
Ngado që shkoj.”
Çdo përvojë kthehet në një det ku nuk duhet të qëndrojmë, por të lundrojmë për ta tejkaluar.
Te libri i fundit i Alket Çanit, Memento Mori shohim një ndryshim të thellë në botëkuptim: kemi një largim nga miti dhe një vajtje tek kujtesa. Një libër i tërë mund të shkruhet kushtuar shprehjes Memento Mori dhe shpjegimit të saj, por këtu po ju jap një shpjegim të shkurtër të saj: Memento Mori i referohet një praktike mesjetare fetare ku njerëzit i rikujtojnë vetvetes se çdo gjë në këtë botë do vdesi një ditë, në mënyrë që ata t’i kushtojnë më shumë rëndësi gjërave të përjetshme. Mendimi im është se libri i Çanit ka tri poezi të shkëlqyera, që e përmbledhin vetë librin: Gjeografika XII, Ditë Marsi dhe Kënga e Karontit.
Gjeorafika XII
Ti që udhëton.
Që grah pa reshtur drejt horizontesh.
Që sheh majat si lëkunden përtej xhamit.
Që ecën.
Që ndalon.
Që i vë veshin frymëmarrjes sate për t’u ndier i gjallë.
Që del në rrugë me tezga për të shitur ide.
Që blen çikërrima.
Që bën marrëveshje.
Që bën sikur.
Që bën sikur bën sikur.
Që ngre krye.
Që nxehesh.
Që vë kujën.
Që qetësohesh.
Që hesht për të provuar praninë e botës.
Që mëson të flasësh shtruar në afshet e asfaltit.
Që rri kot.
Që përton.
Që i thur lavde përtacisë.
Që, ngaqë do të bësh gjithçka, nuk bën asgjë.
Që sodit.
Që me vështrime prish ekuilibrin e gjërave.
Që i përdor idiomat si iluzionet.
Që kacavaresh në jetë si urthi në mur.
Që pret gjithçka.
Që s’pret asgjë.
Që si Herakliti, nuk mbytesh dy herë në të njëjtën pikë uji.
Që jetën e merr si lojë dhe si plojë.
Që ngutesh.
Që ke mësuar të durosh.
Që numëron yjet e fundit të natës.
Që ke pandehma.
Që pandeh se kupton.
Që rrekesh t’u vësh emër gjërave të panjohura.
Që endesh në mendjen tënde si në rrugët e qyteteve të mëdha.
Që sheh ëndrra erotike.
Që ke dashur dhe urryer trupin tënd dhe të tjetrit
Që pret njerëz.
Që, si Karonti,përcjell njerëz për në botë të tjera.
Kujtoji edhe një herë të gjitha këto,
Para se të zhdukesh.
Siç e shikojmë në poezinë e mësipërme, ajo që ngel nga udhëtimi nuk është më trajta mitike e jetës, por vetëm vdekja dhe kujtimi. Ngelet vetëm kujtimi i dikujt që ka udhëtuar tërë jetën, kujtimi i një plaku që, i lodhur nga jeta, rikthehet tek e kaluara. E kaluara përmbushet brenda kujtimit.
Edhe kur miti shfaqet te vepra Memento Mori, ai shfaqet thjesht si një kujtim i turbullt. Pikërisht këtë gjë shikojmë te poezia “Ditë Marsi”.
Ditë Marsi
Në Lecco të Italisë,
më 9 mars 2014,
shqiptarja E.Ç.
theri tri bijat e saj të mitura.
U tha se këtë e bëri
për t’u hakmarrë ndaj të shoqit, babait të vajzave,
që e kishte braktisur për një grua tjetër
më të re.
Kjo ishte ngjarja. Ndërsa ne
kujtuam Medean,
Jasonin,
Argonautët.
Bashkën e artë…
Siç shikojmë, miti nuk është më në thelb të përvojës. Miti nuk është duke u jetuar sikurse te Shtrati i Prokrustit. Këtu miti është vetëm një kujtim i mjegullt, që rrjedh si pasojë e përvojës.
Por marrëdhënia midis udhëtimit dhe kujtesës merr një trajtë edhe më të qartë te poezia “Kënga e Karontit”. Jeta jonë është si udhëtimi i Karontit: ne përherë shkojmë diku tjetër duke mbajtur nën vete kujtesën e gjërave të shkuara dhe të njerëzve të vdekur. Në këtë kuptim, ne jemi si Karonti: ne shtyjmë të vdekurit diku më tej. Të vdekurit prehen në kujtimet tona.
Vepra e Alket Çanit në tërësi është një shqyrtim i gjatë dhe i bukur poetik i udhëtimit. Pavarësisht se çfarë ngelet nga udhëtimi, përplotësimi i kujtimit apo trajta mitike e jetës, një gjë është e sigurt: jeta mund të përfytyrohet vetëm si një udhëtim i vazhdueshëm.