Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Vera andrron detin: Kosova andrron ndryshimin

Me 4 filma debutues nga katër gra regjisore, me personazhe kryesore gra me perspektiva, background-e dhe mosha të ndryshe, filmi i gruas dominoi në kinematografinë e Kosovës në vitin 2021.

Blerta Basholli, Norika Sefa, Kaltrina Krasniqi dhe Luana Bajrami, të gjitha na treguan histori interesante, intriguese dhe mbresëlënëse, e kjo në vetvete është diçka shembullore për ne të gjithë, sepse ky është një shembull i diversitetit dhe përfshirjes në kulturën vizive, për ç’gjëra bëhet fjalë shpeshherë në kohën tonë. Dhe është një hap pozitiv që premton një kulturë filmi po aq të larmishme dhe gjithëpërfshirëse në të ardhmen.

Nëse ka diçka për të lavdëruar në filmin debutues të Kaltrina Krasniqit, është përdorimi inteligjent i muzikës leitmotiv – një muzikë karakteristike e cila përdoret në koordinim të përsosur me lëvizjet e kamerës së Sevdije Kastratit, për të krijuar një motiv kryesor që e rrethon filmin nga fillimi deri në fund, në momente kyç. Në përgjithësi, është elementi më dinamik i tregimit, por fatkeqësisht është përdorur edhe në momentet kur nuk duhej – nuk përputhet me imazhet e fundit të filmit ku Vera është në det me familjen e saj dhe atmosfera e ritmi i imazheve është ndryshe nga atmosfera e ritmi i muzikës. Një melodi pak më e lehtë dhe e ngrohtë mbase do të kishte një efekt më të drejtpërdrejtë.

Në thelbin e vet, “Vera andrron detin” është një film simpatik, që zhvillon mjaft mirë dhe me një ritëm të rregullt dhe të saktë historinë e Verës nën regjinë të matur, të përmbajtur dhe të kujdesshme të Kaltrina Krasniqit, e cila na zhyt ngadalë nëpër sokakët e shumtë të historisë që po na tregon. Filmi trajton dy konflikte paralelisht: konfliktin midis së mirës dhe së ligës, që përbën komplotin kryesor të filmit, dhe konfliktin midis së vjetrës dhe së resë, midis brezit të Verës dhe brezit të së bijës Sara, si subplot. Në intrigën kryesore, Astrit Kabashi gjallëron realisht dhe me përpikëri matematike një horr, një njeri me vese dhe të paskrupull, një njeri të mjerë – gjithsesi, nuk prisja diçka më pak nga një aktor i nivelit të tij. Kurse Vera – portretizuar me një performancë të detajuar në çdo gjest të vogël nga Teuta Jegeni Ajdini, një grua që në dukje shkon kundër shoqërisë patriarkale dhe traditave tradicionale, por aty ku duhet të reagojë, ajo në të vërtetë qëndron në mosveprim të plotë në këtë aspekt.

Spoiler Alert: edhe pse ajo në fund vërtet zbulon korrupsionin e personave në pozicione të larta në shoqëri (përfshirë edhe të të shoqit Fatmir Gashi), ky është një veprim në suazën e përgjegjësisë të individit të mbrojë të drejtën në një shoqëri ku korrupsioni mbizotëron dhe jo një veprim që mund të shkaktojë ndryshim në traditat që zhvlerësojnë pozicionin e gruas në një shoqëri dhe të cilat filmi thekson, për shembull, pozitën e disfavorshme të gruas në çështje trashëgimie. Vërtet, Vera tregon se ka potencialin për t’u zhvilluar në një personazh me nxitje të fuqishme dhe mënyra se si ajo vendoset në qendër të vëmendjes së kuadrit tregon se është elementi kryesor i filmit (por janë edhe skenat ku personazhet kryesore, Vera dhe Sara, qëndrojnë në anën e kuadrit, gati për të rrëshqitur jashtë tij, simbolikë e psikologjisë në të cilën gjenden ato gjatë situatave që po përjetojnë). Por, është gjynah që dialogët nuk janë zhvilluar aq sa t’i lejojnë kohën apo vendin për ta çliruar të gjithë energjinë e saj dhe për t’u zbuluar si një personazh vërtet dominues. Jam e bindur se Teuta Jegeni Ajdini do t’ia arrinte të shpaloste atë energji pa vështirësi.

Në dy momentet më të përshtatshme që Vera duhej të vepronte si një personazh i tillë dhe që duhej të dilte fituese në të dy konfliktet, ajo rri në heshtje. Momenti i parë është skena ku ajo është në një dhomë me burrat e katundit dhe i dëgjon me vëmendje e durim, në heshtje, kur ata e nënshtrojnë dhe gënjejnë për çështjen lidhur me shtëpinë e saj në fshat. Qëndrimi i saj është simbolik, në të tillë mënyrë që tregon vendin e kufizuar të gruas në një rend patriarkal, ku zëri/opinioni i saj nuk bën diferencë ose nuk dëgjohet nga askush. Dhe momenti i dytë është skena kur e bija, Sara, e konfronton me pyetjen ‘çfarë shembulli më ke dhënë ti mu?’ Vera përsëri dëgjon, nuk përgjigjet, thjesht reagon me një shuplakë dhe vazhdon ta shtrojë tryezën për darkë.

Mjerisht, monologu i Sarës përngjan si një akuzë a turpërim i identitetit të gruas shtëpiake kur mund të kishte qenë një shans brilant për Verën që të shpjegojë përse ajo ka qenë një shembull i tillë dhe kështu ta ngushtojë hendekun ndërmjet dy brezave. Edhe ai background i paktë që na zbulohet drejt fundit të filmit kur nënë e bijë diskutojnë brenda në makinë dhe Vera na tregon pak nga e shkuara e saj, është në drejtim të saktë por jo mjaft. Por, si element për ta drejtuar filmin drejt rezolucionit është një moment i bukur dhe intim ku muzika përdoret për ta krijuar atë rrjetë që do t’i lidhë të dy personazhet – siç ndodh në shumicën e filmave kosovarë kohën e fundit, për shembull ‘Zgjoi’, ‘Në Kërkim të Venerës’, ‘Zana’, ‘Shpia e Agës’.

Nëse duam vërtet ta quajmë Verën një personazh me tendenca kundër asaj që quhet ‘masculine entitlement’ dhe një personazh që mund të hedhë dritë mbi ato pjesët e traditës që detyruan gratë të ecin në një udhë të përcaktuar, do të ishte më efektive nëse ajo do t’i shfrytëzonte dy rastet e shkëlqyera që Doruntina Basha ka krijuar në skenarin e saj, për të qenë më verbale. Mbase kjo është thjesht një wishful thinking nga ana ime dhe mënyra se si dialogët në këto raste të caktuara janë përdorur është për ta kaluar mesazhin e pozicionit të kufizuar të gruas dhe jo të na japë një shembull gruaje që reagon në mënyrë aktive për të ndikuar një ndryshim në traditat të disfavorshme për gratë. Pra, filmi është mjaft inteligjent për të ngacmuar intelektin, ndjenjat dhe instinktet e shikuesit, por krijon një boshllëk që në sipërfaqe mund të mbulohet vetëm nga imazhet e shfaqjes eksperimentale ku Sara performon – aty ku Kaltrina Krasniqi tregohet një bona fide regjisore guximtare dhe vizioni i saj për ta trazuar status quo-në trensformohet në formë konkrete dhe abstrakte në të njëjtën kohë.

Très Bien!

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.