Connect with us

Hi, what are you looking for?

Kritikë

Vera pa Kthim (Inane): prelud ndaj marrëzisë

‘Realiteti është djallëzor’ (Persona, Ingmar Bergman, 1966)

Nuk e mbaj mend kur qe hera e fundit kur pashë një film kaq interesant sa Vera pa kthim. Një film me një cilësi qenësisht teatrale dhe një muzikalitet që qëndron si mjeti më thelbësor përmes të cilit forcohet efekti dramatik, krijohet ritmi i tregimit dhe atmosfera e duhur për personazhet që të shprehen. Skena e parë funksionon si një prelud i kësaj historie të trishtuar që ka të bëjë me ëndrra të humbura, shpresa të humbura dhe njerëz të humbur. Ekrani bardh e zi, notat e këndshme në piano, një dritare e hapur që lejon ajrin e pastër brenda, dhe hapat e një burri misterioz i cili po afrohet – me çdo hap të tij një flutur në bark fluturon çmendurisht. Është Gori që po kthehet mbas 30 vitesh për të vazhduar jetën me Sanën, aty ku e ndëprenë në kohën e luftës. Ajo po e pret, si gjithmonë, ai troket në derë, dhe kur zëri i tij i thellë dëgjohet nga mbrapa derës sikur po vjen nga një vend i errët ajo humb botën poshtë këmbëve të saj dhe bie përtokë. Ky climax që ndodh vetëm 5 minuta nga fillimi i filmit – një sekuencë veçanërisht e bukur, plot trishtim dhe nostalgji, dhe e cila tregon një histori të vogël në vetvete – është hera e fundit kur të dy do të jenë të lumtur në krahët e njëri tjetrit, sepse që tani dhe deri në fund Sana do sillet vërdallë duke u përpjekur më kot të ringjallë pasionin e dikurshëm.

Vera pa kthim është një dramë intensive, një histori dashurie me momente sentimentale, momente dëshpërimi, tmerri, urrejtjeje dhe sensualiteti, me disa pika mazokizmi të ashpër, dhe me elemente aq nga Teatri i Mizorisë (Theatre of Cruelty) sa dhe nga Teatri i Absurdit (Theatre of the Absurd) – para se gjithash, ka një ‘pseudocouple’ (iluzioni i një çifti që nuk është në të vërtetë çift) në qendër të tregimit. Personazhe të humbur dhe lundrues, të mbërthyer në rutina dhe në gjeste rituale, të bllokuar në një histori; një gjuhë e pamjaftueshme për të komunikuar, paaftësia për të shkatërruar një realitet të rremë, të gjitha elemente që e bëjnë këtë histori absurdisht të bukur.

Ka diçka të çoroditur nga Who’s Afraid of Virginia Wolf (Mike Nicholls, 1966) një film i adaptuar në ekranin e madh nga shfaqja e Edward Albee i cili njihet si personazh kyç midis absurdistëve të kohës të tij dhe ku Elizabeth Taylor si Martha krijon një botë të rreme për ta jetuar dhe ka një marrëdhënie dashurie-urrejtjeje me të shoqin e saj. Ka diçka tragjike nga The Odyssey (Andrei Konchalovsky, 1997) ku Pinelopi e lodhur duke pritur Odisean e saj të dashur shtrihet në bregdet dhe përmes dallgëve që përqafojnë trupin e saj e ftonë atë për t’u rikthyer në shtratin e saj. Ka diçka paranojake nga Persona (Ingmar Bergman, 1966) ku ‘realiteti është djallëzor’ dhe Bibi Anderson ngadalë shndërrohet nga një infermiere në një paciente. Madje Persona dhe Vera pa Kthim kanë një skenë të ngjashme në të cilën personazhi kryesor rrëfen një ngjarje me përmbajtje seksuale tek personazhi tjetër. Është momenti kur infermierja Bibi Anderson i rrëfen Mrs. Vogler një incident që ndodhi disa kohë më parë, në plazh, ku ajo bashkë me një shoqe u njohën me 2 djaloshë dhe patën marrëdhënie seksuale me ta. Po ashtu ndodh edhe në Vera pa kthim. Momenti më shpërthyes i filmit është ai ku Anila Bisha, në një aktrim që na kujton momentin e saj të fundit tek filmi Bolero, i tregon Gorit marrëdhëniet e saj seksuale me një burrë tjetër, dhe i jep çdo detaj se si ndodhi. Është një moment që mban një peshë shumë të rëndë në këtë histori sepse përmes Sanës po na zbulohet para sysh gruaja e filmit shqiptar, sensualiteti i saj i cili i është mohuar për dekada në ekranin tonë të madh. Siç kam shkruar edhe herë tjetër, filmi artistik në shoqërinë tonë ka diskualifikuar identitetin seksual të femrës, dhe pikërisht këtu në këtë moment e shikojmë atë që zbulohet me sillë si një dallgë e madhe dhe me një sinqeritet të jashtëzakonshëm. Ashtu siç Sana ka pritur 30 vjet për t’ia dedikuar shpirtin dhe trupin e saj Gorit, ashtu dhe figura e gruas në filmin shqiptar ka pritur për shumë kohë për t’u zbuluar në ekranin tonë me të gjitha karakteristikat e saj njerëzore.

Drama psikologjike e Sanës përforcohet nga teatraliteti i gjesteve të saj kur në momente kyçe, filmi e lejon të na tregohet hapur si e tërbuar, e lënduar, e fiksuar pas një dashurie të humbur, e qarë nga dhimbja e brendshme, e hutuar sepse ka diçka që nuk shkon në të gjithë këtë histori, e frikësuar nga vetmia, e trishtuar nga koha e shumtë e pritjes, dhe më në fund e zhgënjyer nga realiteti dhe zgjedhjet e saj për jetën. Aq më tepër, imazhi i Gorit është gjithashtu një element që tregon gjendjen shpirtërore të Sanës – i dobët, i ngadalët, i heshtur dhe i lodhur, sigurisht i largët, është një figurë e imagjinatës së Sanës por është edhe një alterego e saj në të cilin pasqyrohet gjendja shpirtërore e saj e rraskapitur nga jeta. Sana është një personazh që na kujton se ‘pritja e pakuptimtë, është e pamend’ siç është shprehur regjisori i filmit Besnik Bisha në një intervistë për BalkanWeb. Sana na kujton se kufiri midis sanitetit dhe marrëzisë është vetëm një fije e hollë dhe Gori është aty për të na treguar se çfarë ndodh nëse ajo pritet.

-Mini-interview with Anila Bisha

F. A mendoni se personazhi i Sanës është një ‘hero’ apo një ‘viktimë’ e rrethanave të jetës së saj?

A. Nuk mendoj se Sana është një heroinë. Madje e thotë edhe vetë në një nga monologët e saj që heroizëm nuk ka në rastin tim, por mendoj se kjo është një zgjedhje nga ana e saj që për mendimin tim është e gabuar.

F. Momenti shpërthyes i filmit Vera pa kthim është momenti kur Sana i tregon Gorit marrëdhëniet e saj seksuale me një burrë tjetër. Kur e pashë skenën për herë të parë m’u duk sikur dallova të njëjtin pasion tek aktrimi juaj si në skenën e fundit tek filmi Bolero 22 vjet më parë, kur Ina e konfronton të atin e saj për rrugën e keqe që ajo u detyrua të merrte për të shpëtuar familjen e saj nga varfëria. A mendoni se ka diçka që i lidh këto dy personazhe?

A. Në filmin Bolero ajo ka një shpërthim revolte ndaj të atit që e akuzon se është kthyer k…. e që në fakt ai është shkaktari i transformimit të saj në të tillë pasi ai e braktisi familjen duke i lënë asaj mbi supe një barrë të madhe siç ishte përkujdesja dhe ushqyerja e familjes. Megjithëse largimi i tij ishte për shkak të varfërisë nuk e justifikon atë. Ndërsa Sana e ndjen që e ka bërë kot këtë sakrificë dhe mundohet t’i japë kurajë vetes se në fakt ka bërë një gjë të mirë, pra ka bërë veprimin e duhur dhe trishtohet shumë kur e mendon që veprimi i saj ka qenë i padobishëm. Në ndryshim nga Ina tek Bolero që revoltën e ka ndaj të atit, tek Sana e ka me veten dhe mundohet ta adresojë tek Gori që në fakt nuk ekziston.

F. Përfundimisht i gjithë filmi është një ëndërr e Sanës që përsëritet çdo javë. Është një element tragjik i filmit që e transformon Sanën në një figurë mitike – si një Penelopë moderne që pret Odisean e saj të kthehet. Pra kemi kaluar nga figura femërore e rrugaçes (Ina para 22 vitesh) tek figura e femrës së virgjër (Sana sot). Ku qëndron Anila Bisha midis tyre si aktore, si e arrini transformimin psikik për t’iu kushtuar sa më shumë realizëm këtyre figurave?

A. Ina nuk është rrugaçe por viktimë e rrethanave të familjes dhe e shoqërisë. Ndërsa Sana ka bërë zgjedhje. Pra nëse Ina ka bërë zgjedhje të gabuar për arsye të rrethanave të krijuara, pra u viktimizua. Sana mendoj ka bërë zgjedhje të gabuar të cilën shpesh mundohet t’ia servirë vetes si një gjë të mirë. Pra kjo është lufta e brendshme që zhvillohet brenda saj. Këto përjetime me kanë bërë që ta bëj diferencën thelbësore midis këtyre dy personazheve.

F. Gori është kthyer pas 30 vitesh, dhe që në momentin e parë i thotë Sanës se e ka përvëluar malli. Megjithatë, gjatë gjithë kohës ai është i shkëputur nga bota dhe nga Sana – si ka ndikuar ky fakt në realizimin e karakterit të Sanës në marrëdhëniet e saj me Gorin?

A. Gori është imagjinatë e Sanës. Ajo e ka ndërtuar figurën e tij sipas imagjinatës së saj si njeriun me të cilin do të debatonte për të gjitha dilemat e saj. E për këto dilema ajo nuk mund të debatonte me kurrkënd tjetër përveç tij. Dhe në përfundim të këtij debati monolog është VETMIA duke refuzuar të ndërtojë familje, por të jetojë e vetme. Gjë që është e pariparueshme për sa të jetë gjallë.

-Mini-interview with Neritan Liçaj

F. Kush ka qenë deri tani personazhi më sfidues për ju, qoftë në teatër apo në film, dhe pse?

N. Të gjithë personazhet janë sfidë e re dhe impenjative nga pikëpamja profesionale! Kjo është e bukura e profesionit tonë. Ka personazhe që kanë një specifikë ose veçori të vështira për t’u perceptuar, njohur dhe sigurisht për t’u interpretuar. P.sh. narkomania, një njeri me personalitet të shqetësuar dhe karakter të dualizuar, me madhësi intelekti ose personazhe që janë një metaforë personazh si p.sh. në rastin e Gorit të Inane. Të gjithë këta që përmenda më lart si personazhe me specifikë të veçantë i kam interpretuar. Por të tillë ka plot në dramaturgji dhe që kërkojnë shumë punë.

F. Cili është procesi juaj në afrimin dhe ndërtimin i një personazhi dhe çfarë ju ndihmon t’i afroheni personazheve tuaj?

N. Procesi i parë dhe shumë i rëndësishëm është njohja e personazhit. Kur them njohja do të thotë ta zbërthesh personazhin dhe të bësh një punë të thellë njohjeje dhe zbërthimi të tij. Pa këtë fazë të parë të bërë mirë, nuk konsiderohet faza e ndërtimit të personazhit e cila synon t’i afrohet asaj çka dramaturgjia jep dhe këndvështrimit regjisorial mbi personazhin. Aktori është si mitër… merr një skelet, të themi të vdekur, e bardha mbi të zezë (në letër) dhe i jep atij fizionomi… kocka, nerva, muskuj, mendësi, shpirt, mënyrë të ecuri dhe gjithçka… pra lind një qenie.

F. Τek filmi Vera pa kthim, cili ishte momenti ose aspekti më i vështirë për ju si aktor për ta realizuar personazhin e Gorit sa më natyrshëm?

N. Personazhi i Gorit është një personazh inekzistent në jetë… ai vjen në ëndrrën e Danës ose në subkonshin e saj… pra nuk është një fantazëm por një njeri që ekziston duke mosekzistuar. Sana thotë në një batutë: ‘ka diçka që nuk shkon këtu’, pra Gori duhet të ndërtohej sa njerëzor dhe konkret aq edhe jokonkret. Kjo ishte ajo çka duhet të realizonim me ato role. Uroj t’ia kemi arritur.

F. Çfarë mund të na tregoni në lidhje me bashkëpunimin tuaj me Anila Bishën si co-star i filmit?

N. Ishte një bashkëpunim i mrekullueshëm si me producentët edhe me Anilën. Anilën e kam mikeshë që nga studimet, kemi luajtur shpesh bashkë dhe e njohim shumë mirë njëri tjetrin profesionalisht pra kuptohemi pa fjalë… dhe është partnere e mrekullueshme që të jep shumë dhe e ngrohtë interpretativisht. Me produksionin kam qenë ekstremisht i kënaqur pasi gjithçka ishte perfekte dhe Besniku si regjisor është shumë frymëzues, i kthjellët, kërkues dhe shumë i vëmendshëm me aktorin. I kushton shumë rëndësi. Më tepër s’mund të kërkosh nga një regjisor.

F. Gori është një njeri i kthyer nga varri, dhe nuk lidhet dot me botën e sotme. A kishte diçka që ju dëshironit të tregonit tek spektatorët përmes këtij personazhi, diçka relevant në ditët tona?

N. Nuk është se ka të bëjë me ditët tona si personazh… por në këndvështrimin e gjithë filmit është ëndrra e parealizuar dhe Dana duke u dashuruar ose duke mbetur prej 30 vitesh e dashuruar me Hirin shtron pyetjen e asaj çka filmi do të thotë: ‘pse duhet pritur tërë jetën diçka që e di që s’do të vijë kurrë’. Ka të bëjë me ditët e sotme pasi ne shqiptarët ngelëm duke pritur dhe s’po vjen asgjë nga ajo që ne dëshirojmë që të vijë… pra presim Godonë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.