Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Albert Rohan, pionier i pavarasisë së Kosovës, vdes në moshën 83 vjeçare

Albert Rohan, pionier i pavarasisë së Kosovës, vdes në moshën 83 vjeçare

Shef i Kabinetit i Sekretarit të Përgjithshëm të KB Waldheim, arkitekt i polikës së Ballkanit i ministrit të jashtëm austriak Mock, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme nën Kancelarin Schüssel, këshilltar i Presidentit të Austrisë Kleistil, pionier i pavarësisë së Kosovës – nuk ka diplomat që ta ketë sajuar politikën e jashtme të Austrisë, e posaçërisht poltikën e saj ndaj Ballkanit, më shumë sesa Albert Rohan-i. 

Ishin blerë biletat e operas; ishin bërë rezervimet e hotelit. Qe fundi i qershorit dhe Albert Rohan-i së bashku me të shoqen Monikën dhe të tjerë të apasionuar pas operas, kishin dashur të kalonin ca ditë në Strasburg, në qytetin ku katër prej stër-stër-stër-xhaxhallarëve të tij kishin mbajtur pozitën e Princit-Peshkop për 102 vite me radhë dhe ku kishin ndërtuar pallatin e famshëm të stilit barok Palais Rohan. Disa ditë para se të merrte udhë, Albert Rohan-i vdiq.

Në mesjetë, Rohanët ishin sovranë të Bretanjës. Pas bashkimit me Francën, ata e merrnin veten për të barabartë me mbretërit francezë dhe kështu nuk pranonin të përdornin titullin e tyre princnor për të mos u dukur se janë të rangut më të ulët. U bënë të famshëm përmes ministrave, gjeneralëve, e kardinalëve të tyre. Më i njohuri prej tyre (edhe pse jo më inteligjenti, siç do ta cilësonte Alberti kushëririn e tij) qe kardinali Louis-René-Edouard de Rohan, kleriku i rangut më të lartë në Francë. Duke dashur t’i hyjë në qejf mbretëreshës Marie-Antoinette, u kredh në fatalen “aferë të qafores” që atë e la pa reputacion e liri, taksapaguesit pa miliona, dhe Marie-Antoinette-n pa simpatinë e popullatës. Gjatë Revolucionit Francez, familja Rohan u zhvendos në Austri dhe u vendos në shërbim të Perandorit. Pronat e tyre të mëdha në Bohemi (Çekosllovakia pas Luftës së Parë Botërore) u konfiskuan më 1945, ndërsa çifligu në Austrinë e Poshtme, shtëpia e prindërve të Albertit, u rrënua nga forcat ruse.

Më 1977, Albert Rohan u nominua shef kabinet i Sekretarit të Përgjithshëm të KB Kurt Waldheim. Vitet e kaluara në Nju Jork sikur e amerikanizuan. Më vonë, me t’u kthyer nga posti i tij ambasadorial në Buenos Aires, disi rastësisht, ai u bë drejtor për Evropën Lindore në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Ballkani u bë preokupim i tij, madje edhe kur u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme duke u bërë dimplomat i rangut më të lartë në Austri, ai mbeti për ne “Zotëri Ballkani”. Si shef ishte i rreptë, i ashpër madje, ndaj atyre që nuk jepnin rezultate, dhe miqësor, madje i afërt, ndaj atyre që punonin me përkushtim të paluhatshëm dhe pasion.

Pavarësia e Kosovës

Sigurisht që secili Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme ndërmerr udhëtime zyrtare. Por është shumë e pazakontë që diplomati kryesor të kalojë natën në një dyshek në dyshemenë e zyrës së përkohshme në Prishtinë, meqë gjatë luftës s’kishte dhoma hoteli të lira; apo që t’i drejtohet tyta e një mitralozi serb, i mbushur e gati për të shtënë, përderisa kalonte zonën e sigurisë mes trupave serbe e kosovare; apo që të kontrollohet në pikën e kontrollit ku kallashnikovët shkëmbejnë plumba vetëm 20 metra më tutje. E kam pasur privilegjin ta shoqëroj në këto e të tjera “aventura”.

Rohan-i qe instrumental që Austria kishte fituar ekspertizë të jashtëzakonshme në çështjet e Ballkanit, gjë që njihet ndërkombëtarisht dhe çmohet në veçanti përbrenda BE-së. Pas pensionimit nga shërbimi diplomatik, Sekretari i Përgjithshëm i KB Kofi Anan i kërkoi që të udhëhiqte, së bashku me ish presidentin finlandez Martti Ahtisaari, negociatat për statusin e Kosovës. Këto orvatje çuan te Plani i Ahtisaarit (që më drejtë do të ishte dashur të quhet Plani i Rohanit) sipas të cilit Kosova shpalli pavarësinë më 2008, në koordinim me komunitetin ndërkombëtar. Për shumë kosovarë, Albert Rohan-i është njëri prej baballarëve të pavarësisë së tyre. Vetëm disa ditë para së të vdiste, ai po konsultohej rreth anëtarësisë së Kosovës në Këshillin e Evropës, organizata kryesore e të drejtave të njeriut me seli në Strasburg.

Si i apasionuar i vërtetë i operas (opera e tij më e dashur ishte, jo befasisht, “Maria de Rohan” e Donizetti-it), u martua me skenografen dhe kostumografen nga Tiroli Jugor Monika von Zallinger. Gjatë viteve të fundit, Rohan-i ishte mjaft aktiv, shpesh duke marrë pjesë në podium dhe tryeza të rrumbullakëta dhe ishte komentues i respektuar mbi ngjarjet ndërkombëtare. Vdekja, pak para se të mbushte 83 vite, e mori papritur. R.I.P.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.