Shtizat në Manastir thyheshin se cili alfabet duhej të merrej për shkrimin shqip, ai arab apo latin!?
“- Aferim! P. Gjergj!… Aferim të kjoftë – bërtiti më të madhe një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha:
– Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…”- dëshmon At Fishta, për të potencuar fitoren e “fesë së re” mbi fetë e të parëve: shqiptarizmës!
Ndër intelektualët shqiptarë kishte edhe të tillë që dëshironin alfabetin grek si botuesi Ismail Hakiu dhe fillimisht “Besa” e Thoma Avramit, i cili më pas iu bashkua idesë së Sami Frashërit, madje duke përdorur racizma kulturorë kundrejt grekëve, njëjtë si Mihail Grameno.
Por, ndonëse një popullsi me një shumicë islame, argumentet e At Fishtës ishin më bindëset.
Duke u mbështetur te Nathalie Clayer, libri “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, armiqësia kundrejt grekëve u forcua edhe më shumë në fillim të vitit 1905, kur një bandë nacionalistësh grekë vrau priftin ortodoks të krahinës së Follorinës, Papa Kristo Negovani, i dalluar si patriot i zjarrtë i shqiptarizmës, shkrimtar e redaktor i shumë shkrime e shqip. Negovani “u ngrit në rangun e “dëshmorit të kombit” nga gazeta e Shahin Kolonjës.” (Clayer, 2009. Fq. 409.)
Sipas Clayer, Kolonja nxiste lexuesit të hakmerreshin duke e parë hakmarrjen sipas shëmbëllesës së Qerbelasë, duke e krahasuar priftin ortodoks shqiptar me martirin Hysein, nipi i Profetit. “Papa Kristos do “t’i merrej haku” nga çeta e parë nacionaliste shqiptare, krijuar në shumicën e saj nga myslimanët toskë.” (Po aty, fq. 409.)
Pra, çeta e Çerqiz Topullit u ngrit kundër turqve osmanë, por edhe nacionalistëve grekë që masakruan priftin Neogovani. Ishin fjalët e Hoxhë Afiz Ibrahimi i ardhur nga Shkupi, ato që i vumë përkrye të këtij shkrimi, e që i entuziazmoi pjesëmarrësit, pa dallim.
Fjala e At Fishtës ishte duartrokitur si të ishte një himn lufte.
Kryetari i Komisionit të Kongresit të Manastirit besohet se do të prishte logun e burrave po mos të ishte treguar tolerant që të pranoheshin dy alfabete njiherit, ai i Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe alfabeti i “Bashkimit”!? Kjo sjellje e At Fishtës ishte kritikuar nga Abat Doçi, të cilin ai e përfaqësonte në Kongres.
Sipas dëshmisë së vetë At Fishtës, themeluesi i Shoqërisë “Bashkimi”, Abati Doçi, i ishte drejtuar: “Pater Gjergj, unë të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë!?” Ashiqare, për ta ngritë shqiptarizmën edhe më parimori ndër ta, do të bënte kompromis!?
“Por, Shqypnija nuk mund të bahej ndryshe” – vlerësonte ai.
Ky akt dëshmon për dimensionin e luftës për “fenë e re”, atë të shqiptarizmës.
Ky rast unik në luftën e lëvizjeve kombformuese gjithandej si dhe betimi për hakmarrje ndaj grekëve nga nacionalistët shqiptarë, të besimit myslimanë për vrasjen e priftit ortodoks Papa Kristo Negovani si “martir i gjuhës” e përligj atë që thotë Emilio Genttile te libri “Fetë e politikës”, se pikërisht përmes eksperiencës së Luftës së Madhe u zhvilluan elementet fillestare të “një feje civile”, të themeluar mbi mitin e kombit, në shtete të reja (Kanadaja, Australia, Zelanda e Re), që falë pjesëmarrjes në konflikt kishin fituar përfundimisht pavarësinë si entitete shtetërore.
“Në këto shtete miti i Luftës së Madhe dhe kulti i dëshmorëve ishin bërthama rreth së cilës nisi të formohej një yllësi embrionale mitesh, ritesh e simbolesh, ku shprehej ose kërkonte të konsolidohej shfaqja e identitetit të një kombi të ri në formim e sipër.” (Genttile, 2009).
Kjo “fe e re” ishte ideja kombëtare, që la fetë e para mënjanë për ta konsoliduar Lëvizjen çlirimtare deri në pavarësinë kombëtare (1912) dhe te Ligji i parë kushtetues (1920).
Kongresi i Lushnjës nxori aktin më të rëndësishëm në historinë e konstituimit të kombit shqiptar: Statutin e Lushnjës, që përbënte një ligj kushtetues.
Ishte lindje e vështirë e një alfabeti, por që mbeti themel i fortë i kombit shqiptar. “Kombin e bën gjuha”, sipas Johann Von Herder (1744-1803), filozofi gjerman që e shihte kombin si mishërim i gjuhës së tij. Argumentet e At Fishtës për alfabetin latin të shkrimit shqip ishin racionale dhe shkencore (Perëndimi si zhvillim), kurse argumentet e atyre që këmbëngulnin për alfabetin arab ishin metafizike dhe teologjike (Lindja si konservim), prandaj shumica shqiptare e rilindësve myslimanë iu bashkua zërit të rilindësve shqiptarë të krishterë, pra zërit të arsyes e jo besimit!
Porse, kombkrijimi sipas autorëve postmoderë, (natyrisht se e shohin Kushtetutën dhe ligjin e përbashkët që i nënshtrohet një bashkësi njerëzore si faktorët dominantë në kombkrijim) shkon përtej gjuhës së përbashkët.
P.S.
Nuk e di pse e si âsht menue germa e dyzueme NJ, por nëse e kemi N dhe J kjo germë duhet me u heq e me e rikthy Ñ/ñ- ñatañat/ngatangat, lañ/lang, me ña/nga, ñe/ngè, peñ/peng etj.
Po e sjell këtu edhe menimin e gjuhëtarit geg Getoar Mjekut, i cili njashtu thotë se nuk âsht e thanun që secili tingull me u shënu me grafemë të veçantë:
“Pse atëherë me e shenu ñ-në? Me e dallu — si te fjalët qenie e thënie — prej dy tingujve n-j kur qëllojnë ngatangat?
Nëse dojmë me e shkru saktë shqiptimin e shqipes, atëherë ish dashtë me e pasë germë të veçantë për ñ-në. Spanjishtja e ka ñ-në. Andaj emnin e kryetarit të Meksikës e shkrujnë Enrique Peña Nieto, shqipto: Enrike Peña Njeto.”