Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Anëtarësimi i Kosovës në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit

Anëtarësia në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit (GjPA) është e hapur për të gjitha shtetet nëpërmjet ratifikimit të Konventës së vitit 1899 ose 1907 për Zgjidhjen Paqësore të Mosmarrëveshjeve Ndërkombëtare, që formojnë sistemin e GjPA-së. Më 6 nëntor 2015 Kosova i dërgoi një letër Holandës, duke e njoftuar atë për qëllimin e saj për t’iu bashkuar Konventës së 1907-ës. Në përputhje me Nenin 95, Konventa e 1907-ës hyri në fuqi për Kosovën më 5 janar 2016. Ky duhet të kishte qenë fundi i çështjes, por situata e çuditshme në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në PCA mund të gjendet këtu. Në këtë shkrim së pari do të them disa fjalë për Kosovën, pastaj do të kaloj në detyrat e shtetit depozitar, dhe në fund do të konkludoj se pse Kosova ka të drejtën e anëtarësimit në GjPA.

Disa fjalë rreth Kosovës

Kosova është njohur aktualisht nga 111 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara (OKB). Kosova njihet nga të gjitha shtetet fqinje, me përjashtim të Serbisë, dhe nga 23 prej 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE). Më 27 tetor 2015 Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (MSA) me Bashkimin Evropian, e cila hap rrugën për integrimin e Kosovës në BE në të ardhmen. Kosova tashmë është anëtare e agjencive të OKB-së të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), si dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( BERZH) dhe mbi 70 organizatave të tjera rajonale, evropiane dhe globale, federatave dhe forumeve të tjera shumëpalëshe.

Detyrat e shtetit depozitar

Si shtet depozitar Holanda ka një numër funksionesh, të artikuluara në nenet 91-97 të Konventës së 1907-ës. Ndër të tjera, në bazë të nenit 93 Holanda ka detyrimin për të qarkulluar menjëherë tek të gjithë “Fuqitë” e tjera – lexo tek shtetet anëtare të GjPA-së – një kopje të vërtetuar të njoftimit, si dhe të aktit të aderimit, duke përmendur datën në të cilën ajo ka marrë njoftimin. Depozitari nuk ka të drejtë të ushtrojë kontroll substancial mbi dokumentet e dërguara dhe ka detyrimin të qëndrojë neutral.

Anëtarësimi në GjPA

Nga një perspektivë e përgjithshme bërja palë në një traktat ndërkombëtar, duke përfshirë Konventën e 1907-ës, në thelb kërkon që shteti në fjalë pranon dhe është në gjendje të përmbushë detyrimet ligjore sipas këtij traktati të veçantë. Sipas nenit 93, Konventa e 1907-ës është e hapur për “Fuqitë”, që do të thotë se është e hapur për të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën. Pavarësisht se Konventa e 1907-ës nuk përfshin ndonjë dispozitë të veçantë që lejon një shtet anëtar për të ngritur një kundërshtim ndaj një shteti tjetër për t’iu bashkuar këtij traktati ndërkombëtar, Serbia e kundërshtoi përsëri anëtarësimin e Kosovës në GjPA, njëjtë sikur edhe anëtarësimin e saj në Organizatën Arsimore, Shkencore, dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO). Nuk ka asnjë praktikë tjetër shtetërore ku një shtet palë në sistemin e GjPA-së e ka kundërshtuar një shtet tjetër për t’u bërë palë në të. Edhe Federata Ruse thjesht njoftoi Holandën dhe shtetet e tjera anëtare të GjPA se nuk e sheh veten të detyruar nga kjo Konventë në lidhje me Kosovën në 26 nëntor 2015.

A duhet qenë anëtar i OKB-së përpara bërjes palë në GjPA?

Konventat e 1899-ës dhe 1907-ës janë miratuar në një kohë kur nuk ka pasur organizata ndërkombëtare të llojit të OKB-së, e cila vetë u themelua në vitin 1945. OKB-ja ka Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND), si një nga organet kryesore të saj dhe si organ i saj kryesor gjyqësor. GjND-ja në opinionin e saj këshillues për Kosovën të korrikut 2010, me dhjetë vota ndaj katër, u shpreh se shpallja e pavarësisë së Kosovës, të miratuar më 17 shkurt 2008 nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Konkluzioni i përgjithshëm i Gjykatës deklaron qartë se “miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkeli të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999) apo Kornizën Kushtetuese. Rrjedhimisht, miratimi i kësaj deklarate nuk ka shkelur asnjë rregull të aplikueshëm të së drejtës ndërkombëtare.” Për më tepër, anëtarësimi në OKB nuk është kusht sine qua non për t’u bërë palë në traktatet dhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Ka shembuj të shteteve të cilat nuk janë shtetet anëtare të OKB-së, por janë pjesë e traktateve dhe organizatave ndërkombëtare.

Zgjidhja e thjeshtë

Zgjidhja e thjeshtë është që Kosova të bëhet palë e GjPA-së dhe çdo çështje politike mes vendeve të adresohet në mënyrë bilaterale, në të njëjtën mënyrë si ato midis Izraelit dhe Libanit në vitin 1968, apo deklarata e Federatës Ruse të 26 nëntorit 2015. E drejta ndërkombëtare nuk ofron mbështetje për kundërshtimin e bërjes së një shteti palë në një traktat ndërkombëtar sikurse pasqyrohet në praktikën e OKB-së, shih Manualin e Traktateve të vitit 2012 dhe Përmbledhjen e vitit 1999 të Praktikës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, si depozitar i Traktateve Shumëpalëshe.

Përfundim

Janë 117 shtete që kanë aderuar në një ose dy prej konventave themeluese të GjPA-së. Prej tyre 66 shtete, në thelb shumica e shteteve palë në GjPA e kanë njohur Republikën e Kosovës. Shumë shtete të tjera i njohin dokumentet zyrtare të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Ligjërisht, Konventa e 1907-ës ka hyrë në fuqi për Kosovën më 5 janar të vitit 2016, në përputhje me nenin 95 të kësaj Konvente. Prandaj, Kosova dhe Shqipëria duhet të lobojnë që emri i Kosovës të shtohet në listën e shteteve anëtare të GjPA-së sa më shpejt të jetë e mundur, në përputhje me atë çfarë mbështetet qartë edhe nga e drejta ndërkombëtare publike.

__________________

* Një version më i zgjeruar i shkrimit në anglisht gjendet këtu

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.