Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Besueshmëria ndaj institucioneve të sigurisë në vitin e dhjetë të të qenit shtet

Ilustrimi nga Big Eye.

Në fillim të muajit tetor 2017, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) zhvilloi anketën e shtatë të radhës të Barometrit Kosovar të Sigurisë (BKS). Andaj, meqenëse 2018-ta përkon njëkohësisht me vitin përmbyllës të dekadës së parë të Kosovës-shtet, nuk besoj se do mund të gjejmë ndonjë moment tjetër më të duhur se sa sot (në vigjilje të 17 shkurt 2018) që të shpalosim disa nga rezultatet kyçe të kësaj ankete, që kanë të bëjnë me besueshmërinë ndaj institucioneve të sigurisë.

Ajo çka vërehet nga rezultatet e dala është se opinioni i qytetarëve të Kosovës nuk duket të ketë ndryshuar edhe aq. Ata vazhdojnë të kenë besim shumë më të madh ndaj institucioneve të sigurisë se sa ndaj atyre të drejtësisë apo ato të zgjedhura me votat e tyre.

E kjo mbase në shikim të parë tingëllon të jetë lajm i mirë për institucionet e sigurisë ndaj të cilave madje pati rritje të dukshme të besueshmërisë krahasuar me vitin paraprak. Pra, në tetor 2016 besimi i qytetarëve ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte 67%, ndërsa në këtë vit ai doli të jetë 78%. Edhe Policia e Kosovës (PK) në vitin 2016 kishte 56% besim nga qytetarët, ndërkohë që në këtë vit ky besim u rrit në 61%.

Në të dyja këto raste nuk mund të anashkalohen meritat e këtyre institucioneve. Është evidente se ato kanë treguar një masë të konsiderueshme gatishmërie e po ashtu performancë të mirë në ndërmarrjen  e masave të duhura për t’ju ofruar siguri qytetarëve të Kosovës. Kjo sidomos vlen për Policinë e Kosovës e cila është përgjegjëse për të ofruar rend dhe siguri për gjithë qytetarët në vend. Por, edhe në rastin e FSK-së, nuk mund të vihen në harresë pjesëtarët e rinj të kësaj force, të cilët vit pas viti kanë krenuar gjithë Kosovarët me sukseset e arritura nëpër qendrat me renome botërore të trajnimeve.

Megjithatë, përveç këtyre dy indikacioneve, rezultatet tregojnë edhe më shumë, kur dihet se qytetarët kanë fare pak informacion në lidhje me performancën e brendshme të institucioneve të sigurisë.

Për shembull, mund të thuhet se qytetarët me vite të tëra janë në pritje të transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse e cila përbën kompletimin e kapitullit të fundit të shtet-ndërtimit në Kosovë. Andaj, çfarë ecurish ka pasur në këto katër vitet e fundit rreth transformimit të FSK-së, ndonëse Analiza e Rishikimit Strategjik të Sektorit të Sigurisë kishte kaluar në prill 2014? Përkundër premtimeve, deri më tani asnjë hap konkret drejt realizimit të transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse nuk është ndërmarrë.

Mund të jetë që kjo besueshmëri kaq e lartë ndaj këtij institucioni reflekton rritjen e padurimit të qytetarëve se ky proces i transformimit të FSK-së në ushtri të përmbyllet sa më parë. Nëse po, atëherë çka nëse ky padurim është në fundin e tij?

Image

 

Mbase elemente të dilemave të tilla rreth mosvetqëndrueshmërisë së shtetit të Kosovës më së miri vërehen tek fakti që edhe tani  rreth 67% e qytetarëve të Kosovë vazhdojnë të kenë besim tek KFOR-i. Kjo, përkundër qëndrimit rixhid të NATO-s në lidhje me transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve ligjore, e cila tani për tani është forma e vetme reale që institucionet e Kosovës kanë në dispozicion për të përmbyllur këtë proces.

Në anën tjetër, lirisht mund të thuhet se besueshmëria e lartë ndaj institucioneve të sigurisë në masë të madhe ka ardhur edhe si reaksion ndaj nivelit të lartë të mos-besueshmërisë ndaj institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve të zgjedhura demokratike. Kjo mund të vërehet edhe nga rezultatet e anketës së BKS të 2017 ku vetëm rreth një çerek (1/4) i të anketuarve deklaruan se u besojnë Gjykatave (25%), Prokurorisë (29%) apo edhe EULEX-it (18%). Ndërsa vetëm 12% deklaruan se i besojnë Kuvendit të Kosovës dhe 14% Qeverisë së Kosovës, përkundër që këto dy institucione posa ishin konsoliduar.

Andaj, në momentet kur nuk ka besim në drejtësi dhe nuk i besohet as vullnetit të institucioneve qeverisëse për të zgjedhur problemet që kanë, ndjenja e pasigurisë rritet. Kështu që, qoftë edhe vetëm si pasojë e këtyre pasigurive që ekzistojnë, nuk është për t’u çuditur pse varshmëria e qytetarëve ndaj institucioneve me uniformë rezulton të jetë kaq e madhe.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.