Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Brezi i ri

Kur isha në gjimnaz, kam qenë pjesë e atyre gjeneratave të pasluftës të cilat kanë eksperimentuar me metoda “moderne” të mësimdhënies. Për shumicën e arsimtarëve në gjimnazin tim, metodat moderne nënkuptoheshin si puna në grupe. Qëllimi i punës në grupe ishte nxitja e debatit dhe e zgjidhjes së problemeve në ekip, por në praktikë, çdo grup kishte për detyrë të recitonte fjalë për fjalë një pjesë të mësimit të ditës. Autoriteti i vetëm ishte arsimtari/ja, dhe e vërteta absolute ishte teksti. Për mua dhe me siguri për plot tjerë, kjo ishte vdekje e ngadalshme. Por për disa nga mësimdhënësit tanë, ishte shpëtim, sepse kjo metodë e pedagogjisë “moderne” i shpëtonte ata nga përgjegjësia për të dhënë mësim.

Vuaja më së shumti në lëndën e historisë. Luftërat, revolucionet, rrymat e mendimeve, dhe jetët e njerëzve që i mësonim nuk kishin as kuptim, as kontekst, dhe fatkeqësisht shpesh më ra hisja e shpjegimit të mësimit (lirisht mund të quhet edhe recitim) gjatë orës. Kulminacioni ishte dita kur na erdhi një komision nga Ministria e Arsimit për të vlerësuar punën e arsimtares sonë. Arsimtarja hyri në klasën tonë disa orë më herët atë ditë, me disa copa të vogla të letrës. Ato letra përmbanin pyetje dhe përgjigje për mësime që nuk i kishim mbuluar akoma. Ishin pyetje koti sikur “Si kishte emrin mbreti i parë i dinastisë Romanov?” dhe “Kur filloi reforma agrare e Rusisë në shek. XIX?”  Këto pyetje u shpërdanë me udhëzime të qarta: gjatë vizitës së komisionit, ajo do t’ii bënte këto pyetje. Detyra jonë ishte të përgjigjeshim. Unë isha njëra nga nxënësit fatlumë me pyetje dhe përgjigje të gatshme. Pyetja ime ishte sa zgjati mbetëria e ndonjë cari apo dinastie të Rusisë. Filloi ora me komisionin, dhe kur erdhi radha e pyetjes sime, heshta. Revolta ime e vogël nuk mbeti pa e ndëshkuar. Në orën e radhës, arsimtarja i bëri një shpallje klasës. Ishte shumë e zhgënjyer me mua, Hana Markun, për shkak të mungesës së respektit që kisha treguar për të para komisionit.

Po e përshkruaj këtë moment sepse secili nga ne mban në mend një moment të tillë, ku hipokrizia e të rriturve në jetën tonë shpërfaqet fuqishëm dhe shëmtueshëm. Mësojmë në moshë të re që respekti nuk jepet domosdosmërisht në bazë të meritës, por në bazë të rendit dhe të autoritetit. Një studim i bërë nga Friedrich Ebert Stiftung në 2012 ka anketuar të rinj kosovar midis moshës 16-27, dhe jep një pasqyrë të sistemit të vlerave që krijohen nga relacione të tilla midis rinisë dhe të rriturve. Shumica e të rinjve në Kosovë jetojnë me prindërit e tyre, dhe e shohin babanë si figura më me ndikim në jetën e tyre. 71% të të anketuarëve thonë se vendimet e rëndësishme personale i marrin së bashku me prindërit. Vetëm 22% të të anketuarëve thonë se marrin vendime të rëndësishme vetëm. Raporti vazhdon me të dhëna mbi pikëpamjet e rinisë kosovare mbi aktivizmin politik, bamirësinë, arsimin, bashkëjetesën me etni tjera dhe me njerëz të orientimeve të ndryshme seksuale, ndër të tjera. Shumica e rinisë sonë rriten me bindjen që vota e tyre nuk ndryshon asgjë, që puna vullnetare është e kotë, që serbët dhe personat LGBT nuk mund të jenë fqinj të mirë, që seksi është temë tabu, dhe që suksesi në punë dhe në arsim arritet kryesisht me lidhje personale apo me bakshish.

Me këto të dhëna, shumë lehtë mund të ankohet për rininë kosovare, sidomos për dembelinë dhe pasivitetin e saj. Por mos të harrojmë se jemi bërë të tillë. Të dhënat më lart nuk janë asgjë tjetër pos një reflektim i vlerave, të cilat janë përforcuar nga shoqëria jonë, një shoqëri e cila na thotë se fjala e babait është fjala e fundit dhe ndonjë shpullë e dhënë nga mësimdhënësit tanë është pjesë e edukimit tonë. “Begenisja” e rinisë me këshilla vend e pa vend dhe infantilizim të panevojshëm ndodh si pasojë. Daut Demaku na udhëzon se “i vdekuri dhe çupa nuk mbahen në shtëpi” dhe insiston që duhet të riprodhojmë sa më shumë e sa më shpejt. Daut Dauti na udhëzon të kujtojë me mall vitet e komunizmit, sepse Iphone-at e ditëve të sotshëm janë të “rrejshëm”. Enver Robelli quan dy gra të reja “çika” për shkak se nuk e mbajnë mend historinë e Kosovës njësoj si ai.

Tendenca për të moralizuar dhe korrigjuar rininë e Kosovës, sidomos nga figura të tilla publike, mund të riprodhojë vetëm servilitet (që më së paku i duhet Kosovës), dhe inate kot midis “gardës së vjetër” të kësaj shoqërie dhe rinisë së saj (re: Isa Mustafa karshi aksionit të fundit të Elona Kastratit). Kur na thonë, “ju jeni ardhmëria e këtij vendi,” pajtohem, por me dy vërejtje: gjeneratat para nesh na kanë lënë mjaft punë, dhe shembujt e panumërt të lakmisë, dembelisë, dhe vullnetit të keq në kohën e pasluftës nuk janë ndonjë model për t’u ndjekur.

Kjo nuk do të thotë se nuk kemi çka të mësojmë nga ato dhe ata që kanë ardhur para nesh. Mund të gjejmë frymëzim pafund nga personat që punuan dhe punojnë për këtë Kosovë me modesti dhe me ndershmëri. Por jo më me këtë imponim vlerash dhe me këtë respekt të rremë. Porosia ime për ata/ato që kanë hequr dorë nga kjo rini do të ishte: mësoni të shihni gjeneratat që ju i keni krijuar jo si fëmijë, por si bartësit e detyrës së ndërtimit të këtij vendi. Mësoni, në qoftë se mundeni, të dëgjoni pa mllef dhe pa vner. Mësoni të na shihni me pak dhembshuri, sepse dështimet dhe arritjet tona janë një reflektim i dështimeve dhe i arritjeve tuaja. Në qoftë se me të vërtete jemi ardhmëria e këtij vendi, na lëshoni pak vend.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.