Çfarë po ndodh me lajmin dhe analizën në epokën e medias sociale
N? faqet e portaleve dhe n? media sociale spekulimet e pasakt?sit? shiten p?r informata, vog?lsirat p?r lajme, opinionet p?r analiza e paragjykimet p?r ekspertiza.
Shumëllojshmëria dhe shumëfishimi i medias, më parë asaj të shtypur, më pas asaj elektronike, e kohëve të fundit edhe në internet, e kanë demokratizuar sferën publike dhe median në veçanti duke e hapur atë më shumë sesa ç’ka qenë e mundur në fazat më të hershme të zhvillimit të medias tradicionale: shtyp, radio e televizion. Media alternative, e sidomos platformat e internetit, portalet e rrjetet sociale, si dhe mundësia e komenteve e kanë sfiduar tiraninë burimeve më të kufizuara të lajmeve e informacionit.
Deri këtu në rregull. Mirëpo, çështja është se me shumëfishimin e burimeve të informacionit dhe demokratizimit të medias, roli i gazetarit për të gjetur e kumtuar lajmin e rëndësishëm dhe të verifikuar, po bëhet gjithnjë më i panevojshëm, pasi që funksionin e tyre po e kryejnë njerëz të zakonshëm që nuk e kanë gazetarinë profesion. Kjo po i mundëson secilit gjoja gazetar të çelë një portal informativ, dhe secilit njeri që do të publikojë informacion në media sociale, bllogje, forume, si Facebook, Youtube, etj., pa pasur nevojë t’i verifikojë faktet dhe pa çarë kokën nëse ato janë me rëndësi a jo për publikun, pasi që në këto platforma ose nuk ka redaksi fare, ose rigoroziteti redaktues nuk ekziston.
“Ja e vërteta për…”, “Po ndodh tani…”, “Dyshohet për…” e shprehje të tjera premtuese në tituj përcillen me gjoja “lajme” nga turli vogëlsirash, të cilat as janë verifikuar e, shumë prej tyre, as të verifikueshme. Po kështu, secili që pretendon të bëhet “analist”, mund t’i bëjë publike qëndrimet dhe opinionet e tij/saj. Edhe po nuk ia doli të realizojë këtë aspiratë në televizion, gazetë, a portal, analisti aspirant prirjet e veta mund t’i zhvillojë në platforma të tjera, në media sociale për rrethin e miqve dhe ndjekësve të vet.
Në pajtim me logjikën kapitaliste ku industria e informatës është tepër e leverdishme, “lajmi” është mall që prodhohet, reklamohet e ofrohet, shitet e blihet. Për pasojë, në faqet e portaleve dhe në media sociale spekulimet e pasaktësitë shiten për informata, vogëlsirat për lajme, opinionet për analiza e paragjykimet për ekspertiza. Edhe thashethemet që më përpara nuk kalonin kafenetë e mëhallës, tani bëhen dyshime; opinioni, ekspertizë; e supozimi, argument. Sa për ilustrim, kërkimi në internet për: “dyshime për helmim të ujit në liqenin e Ujmanit” ose “…Badovcit” të jep “lajme” nga një numër portalesh të cilat jo që nuk i ka konfirmuar askush, por në fakt janë mohuar nga organet përkatëse.
Pak ka media që duan gazetarë të cilët çohen për të hulumtuar ndonjë gjë në interes të publikut, por që është vështirë të dihet prej njerëzve të zakonshëm. Gazetari po zëvendësohet me moderatorin, i cili nga rehatia e studios a zyrës thërret në ndihmë “analistët” a “opinionistët” dhe hajt të dëgjojmë se cilat janë opinionet dhe paragjykimet “elitare” për gjërat nga më të ndryshmet.
Në këto platforma komunikimi, përballja dhe debati racional e i bazuar në fakte rreth ideve e argumenteve janë gjithnjë e më të rralla. Madje, edhe kur mospajtimet shprehen, ato më shumë marrin karakter ndërpersonal sesa debat inteligjent e përmbajtjesor rreth argumenteve. Argumentet e mirëfillta gjykohen a priori si të anshme ose perspektivore (“nga pikëpamja jote”) ose sulmohet personalisht autori. Kjo është shumë e lehtë, pasi faktet dhe argumentet nuk janë të rëndësishme.
Në këtë rrëmujë “lajmesh” e “analizash”, rëndësia e verifikimit dhe vlerësimi të tyre është një ndërmarrje aq e vështirësuar dhe shumë lexues nuk mund të vendosin racionalisht rreth tyre. Çdokush ka “faktet” e veta të kundërta ose të papajtueshme me “faktet” e të tjerëve. Në këtë situatë publiku nuk mund të vendosë racionalisht duke u bazuar në fakte për të vërtetën e çështjeve të diskutueshme. Në vend të kësaj, gjejnë prehje duke u besuar atyre lajmeve e analizave të cilat përputhen me supozimet e bindjet e tyre, për të përforcuar më tepër ato, pa marrë parasysh sa të sakta dhe të argumentuara janë ato.
Askush më nuk flet me askënd. Të gjitha grupimet flasin me të vetët brenda klanit, tashmë jo vetëm në privat, por edhe në publik, në debate televizive, në faqe opinionesh e “lajmesh” nëpër portale, e media sociale. Por, bashkëbisedim racional publik nuk ka. Me të tjerët jashtë klanit nuk flitet më, veç shkëmbehen sharje e goditje të ulëta. Qëllimi nuk është të kuptohet tjetri, logjika dhe argumentet e tij, dhe të debatohet, e ndoshta edhe të mësohet prej tyre, por të ngadhënjehet mbi ta duke fituar emocionet e bashkëmendimtarëve, me cinizëm e ironi.