Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Cilësia e dobët e arsimit dhe mungesa e të menduarit kritik te të rinjtë krijojnë cenueshmëri ndaj radikalizmit

Ilustrimi: Big Eye

Cilësia e dobët e arsimit dhe mungesa e të menduarit kritik te të rinjtë krijojnë cenueshmëri ndaj radikalizmit

Radikalizmi është një preokupim i vazhdueshëm në Kosovë, mirëpo shpesh diskutimi injoron plotësisht atë që të rinjtë mendojnë me të vërtetë për këtë çështje. Opinionet e të rinjve nuk janë përfshirë plotësisht jo vetëm nga organizatat hulumtuese, por edhe nga politikëbërësit, edhe pse radikalizmi i të rinjve mund të krijojë potencialin më të dëmshëm për paqen shoqërore. Ky artikull bazohet në intervista të thella me shtatë të rinj të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme, me të cilët diskutova perspektivat e tyre për radikalizmin dhe mënyrën e trajtimit të sfidave që rrjedhin nga një çështje e tillë.

Së pari, të rinjtë i shohin burimet e radikalizmit që vijnë nga personat që kërkojnë ndryshime drastike në shoqëri, pavarësisht prejardhjes ideologjike të ideve përkatëse. Radikalizmi shihet si rrezik për paqen në Kosovë, duke qenë se të rinjtë konsiderojnë që personat radikalë kanë ide joracionale dhe qëndrojnë shumë besnikë ndaj këtyre ideve, të cilat mund të ndikojnë në cenim të qëndrueshmërisë së komunitetit apo të ndërhyjnë në institucionet tona demokratike. Të rinjtë në përgjithësi priren të jenë më pak radikalë, ndërsa të rinjtë që nuk kanë qasje në arsim cilësor si dhe nuk kanë diskutim që zhvillon mendimin kritik që në familje, shihen si më të prekshëm ndaj proceseve të radikalizmit.

Edukimi i mirëfilltë, me theks të veçantë te nxitja e formimit të bindjeve personale përmes mendimit kritik, shihet si faktor kyç në ndërtim të reziliencës së të rinjve ndaj ideve ekstremiste. Prandaj, që ndërhyrjet në parandalim të përhapjes së ideve radikale përmes nxitjes së sfidimit të mendimeve e bindjeve të jenë më efektive, ato duhet të fillojnë që nga mjedisi familjar e të përforcohen gjatë shkollimit. Ky mendim mbështetet edhe nga hulumtuesja Agnese Macaluso, e cila e nxjerr në pah mendimin kritik si rezistencë  kundrejt faktorëve që nxisin radikalizmin.

Në lidhje me radikalizmin në mesin e të rinjve, familja shihet se luan një rol qendror, si në krijimin e cenueshmërisë, ashtu edhe në zhvillimin e mendimit racional dhe filtrimit të ideve radikale, duke ushqyer reziliencën. Të rinjtë priren t’i adresojnë dhe testojnë besimet e tyre me njerëzit që u besojnë, e që shpesh janë familjet e tyre. Veç kësaj, në shumicën e rasteve ata së pari dëgjojnë për çështje që kanë të bëjnë me radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm po nga familja. Mundësia e të rinjve për të pasur një bisedë të hapur me familjen e tyre është shumë e rëndësishme dhe ndikon në mendimin kritik dhe racionalitetin e tyre.

Familja mund të ndihmojë në nxitjen e radikalizmit, kur nuk tregon interes për t’u angazhuar me anëtarët më të rinj në moshë, duke injoruar mendimet e pyetjet sfiduese të tyre, por gjithashtu parandalon radikalizmin dhe bën shkëputjen e të rinjve nga besimet radikale që mund të çojnë në ekstremizëm të dhunshëm, duke iniciuar diskutime që lejojnë të vërehen të dy këndvështrimet për çështje të tilla ideologjike. Me fjalë të tjera, familja është vendimtare për radikalizmin dhe deradikalizmin. Ky pretendim gjithashtu mbështetet gjerësisht nga hulumtime të pavarura. Për shembull, Michele Grossman argumenton se familjet janë “gurthemel i përpjekjeve për të parandaluar dhe luftuar ekstremizmin e dhunshëm”.

Mendimi kritik midis të rinjve shihet edhe si qasje në burime të ndryshme informacioni, por edhe si aftësi për të vënë në dyshim informacionin në të cilin ata kanë qasje. Disa të rinj rekrutohen lehtësisht nga një burim informacioni që mund të jetë radikal dhe kufizimet e tyre për të pasur qasje në burime të tjera ndihmojnë në radikalizmin e mëtejmë. Shkolla – ose sistemi arsimor në tërësi – shihet në qendër të këtij problemi. Nga pikëpamja e nxënësve, shkollat në Kosovë nuk arrijnë ta formojnë mendimin kritik, veçanërisht duke mos i inkurajuar ata t’i sfidojnë informatat që pranojnë. Shkollat në Kosovë kanë tendencë të ngjallin te nxënësit idenë se çdo gjë që lexojnë duhet të besohet, duke filluar nga librat e teoritë e mësuara në shkollë e për të vazhduar pastaj jashtë saj. Do të ishte më e rëndësishme dhe e përshtatshme që shkollat të promovonin idenë se bindjet duhet të formohen bazuar në burime të shumta informacioni.

Në këtë mënyrë, para se t’u besojnë materialeve radikale e të pësojnë nga to, të rinjtë do ta kishin rastin të konsultoheshin me burime të tjera, që me gjasë janë deradikalizuese, apo të paktën u japin një perspektivë të re për bindjet që janë duke u formuar. Për më tepër, shumica e shkollave nuk kanë programe debati të cilat mund të ofrojnë mundësi të rëndësishme për nxënësit që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre kritike. Sipas një artikulli të botuar në European Journal of Education Research, “zhvillimi i aftësive të të menduarit kritik te studentët përfshin të mësuarit e artit të pezullimit të gjykimit”. Kjo do të thotë që të rinjtë nuk duhet t’i nxitojmë në dhënien e gjykimit, por duhet t’i mësojmë ta pezullojnë nxjerrjen e përfundimeve të nxituara që mbështesin bindje radikale, pa u konsultuar me burime të ndryshme informacioni.

Duke parë se rëndësia e mendimit kritik nga të rinjtë në një mënyrë ose tjetër shihet si komponenti më i rëndësishëm në parandalimin e radikalizmit, mund të themi se është shumë e rëndësishme që një kulturë e tillë të promovohet në mënyrë gjithëpërfshirëse në Kosovë. Derisa vetëm një numër i limituar i të rinjve ka qasje në programe të pavarura që kultivojnë mendimin e lirë, një program i tillë duhet të inkuadrohet në kurrikulat mësimore. Një gjë e tillë duhet të bëhet fillimisht duke inkurajuar shfrytëzimin e shumë burimeve për mësime shkollore, e pastaj edhe me programe të ndryshme të debatit formal ku preken tema me potencial të nxitjes së radikalizmit. Përmes kësaj, nxënësit e të rinjtë mësohen të kenë mendim të lirë e të pavarur, gjë që do të ndihmonte në ndalimin e imponimit të bindjeve radikale duke rritur reziliencën e komunitetit të të rinjve.

Autorja është asistente për hulumtim në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe ky artikull është përgatitur në kuadër të hulumtimit të organizatës, në kuadër të projektit PAVE të financuar nga BE-ja dhe skema Horizon 2020.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.