Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Cili ishte roli i grave në radikalizim dhe pjesëmarrje në konfliktet në Siri dhe Irak?

Kosova dhe Maqedonia e Veriut vuajnë nga një mendësi dhe sistem patriarkal, që tenton t’i mbajë gratë të kufizuara në role dhe hapësira të veçanta në shoqëri.

Sipas një studimi të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), kjo mendësi patriarkale është evidentuar edhe në fushën e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Roli i grave në radikalizim dhe deradikalizim është pothuajse i padukshëm nga akterët relevantë. Megjithatë, rasti i Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë shembuj konkretë se si duhet qasur kjo problematikë dhe cilët janë hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë nga qeveritë përkatëse për të menaxhuar dhe parandaluar këtë fenomen.

Stereotipat gjinorë motivojnë gratë për të treguar fuqinë e tyre

Mediat, gjithashtu, kontribuan në normalizimin e ideve mizogjene. Një luftëtar i huaj shihej si burrë. Të njëjtën gjë e bëri edhe Qeveria e Kosovës dhe akterët e tjerë relevantë, të cilët u fokusuan te burrat dhe anashkaluan rolin e grave në procesin e radikalizimit dhe pjesëmarrjes në konflikte të huaja.

Hulumtimi ka treguar që për disa gra në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vendimi për t’iu bashkëngjitur grupeve apo organizatave terroriste në zonat e luftës në Siri dhe Irak është motivuar nga qëllimi për të treguar rëndësinë e tyre. Kjo evidentohet me faktin se disa prej tyre kanë pasur një rol të rëndësishëm në këto konflikte.

Tutje, një ndër gjetjet kryesore të hulumtimit tregon se gratë ishin shënjestër e fushatave radikalizuese përmes narrativave që u bëjnë jehonë stereotipave gjinorë dhe mendësisë patriarkale. Megjithatë, këto fushata tentojnë të injorojnë gratë në video dhe foto, pasi këto hapësira janë të rezervuara për burrat.

Radikalizimi online i grave

Radikalizimi online ndodh kryesisht në rrjetin social Facebook, ku rrëfimet në internet, të cilat synojnë gratë, priren të portretizojnë ekstremizmin fetar dhe radikalizimin si medium nëpërmjet të cilit gratë fitojnë fuqi, por kjo fokusohet në përkatësinë në një komunitet që supozohet se u jep grave një kapacitet moral.

Në veçanti, gratë nga zonat rurale kanë qenë më të prekurat nga kampanjat radikalizuese. Kjo kryesisht ka ndodhur për shkak të kushteve më të dobëta socio-ekonomike dhe arsimimit më të ulët.

Një apel i tillë është në vetvete një përfaqësues i një qasjeje mizogjene, që tenton të kufizojë gratë në një rol të veçantë në shoqëri, dhe që zvogëlon pjesëmarrjen e tyre në shoqëri në përgjithësi.

Roli i grave në deradikalizim

Gratë kanë luajtur një rol qendror në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, për t’iu kundërvënë radikalizmit dhe për ta parandaluar atë. Ato janë zakonisht të parat që kanë hasur shenja të radikalizmit te fëmijët dhe burrat në familje.

Edhe pse gratë përmenden në strategjitë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, roli apo kapaciteti i tyre nuk njihet mjaftueshëm.

Gratë kryesisht injorohen apo nuk përfshihen mjaftueshëm në procesin e vendimmarrjes për draftimin e politikave në lidhje me radikalizimin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për individët e radikalizuar.

Hapat e ardhshëm për Kosovën

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet rëndësia e të pasurit një grua në krye të Divizionit për Parandalimin dhe Riintegrimin e Personave të Radikalizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Divizioni në Kosovë ka bërë një punë të mirë në një kontekst të vështirë dhe ka fituar respektin e komunitetit.

Tutje, Qeveria e Kosovës mund ta përmirësojë gjendjen ende më tej në nivelet më të larta të konsultimit vendimmarrës dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile.

Për shembull, Komuna e Mitrovicës së Jugut është e vetmja komunë me një strategji lokale të miratuar për t’iu kundërvënë të gjitha formave të radikalizimit dhe procesi i zhvillimit të dokumentit është udhëhequr nga shoqëria civile, përkatësisht CBM, me pjesëmarrje të konsiderueshme të grave.

Megjithatë, shumicën e kohës, përfshirja e grave në strategji lokale është bërë përmes liderëve fetarë që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në Kosovë për procese të deradikalizimit.

Mësime nga Maqedonia e Veriut

Për dallim nga Kosova, në Maqedoninë e Veriut nuk flitet shumë për kontributin e liderëve fetarë në këtë aspekt dhe është e paqartë nëse gratë janë përfshirë në procese të deradikalizimit që janë udhëhequr nga institucione shtetërore.

Mirëpo, në Maqedoninë e Veriut ekzistojnë iniciativa me bazë në komunitet, siç është “MotherSchools”, një iniciativë e suksesshme e udhëhequr nga gratë në Maqedoninë e Veriut, e cila luan një rol vendimtar në zbulimin e hershëm të shenjave të radikalizimit te të rinjtë dhe anëtarët e familjes.

Iniciativa të tilla nuk ekzistojnë në Kosovë. Nëse një praktikë e tillë do të shtrihej edhe në Kosovë, do të ofronte një mundësi për parandalimin ose rehabilitimin e të rinjve të radikalizuar.

Prandaj, roli i grave duhet të pranohet më shumë për të parandaluar radikalizimin fetar. Edhe pse disa iniciativa në Kosovë e Maqedoni të Veriut kanë rezultuar të suksesshme, roli i grave nuk njihet plotësisht në nivelin qendror dhe atë lokal. Është e domosdoshme që më shumë gra të përfshihen në proceset vendimmarrëse dhe në hartimin e strategjive kombëtare/lokale për të qenë në gjendje të përballen plotësisht me grupet e radikalizuara.

Ky opinion bazohet në hulumtimin e kryer në kuadër të projektit PAVE, të financuar nga BE-ja përmes programit Horizon2020. Mendimet e shprehura në këtë artikull janë vetëm të autorëve.

Lexoni Gjithashtu

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Në epokën me hovin më të madh teknologjik, shtetet u kushtojnë rëndësi të veçantë prezencës së tyre digjitale në rrjetet sociale, si dhe kualitetit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.