Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Covid-19, një sfidë shtesë për punësimin e grave

Edhe në Kosovë, si në çdo shtet tjetër, viti 2020 po karakterizohet me luftën kundër pandemisë COVID-19. Përveç dëmeve shëndetësore, kjo pandemi padyshim që ka ndikuar shumë edhe në përkeqësimin e çështjeve  ekonomike dhe sociale në Kosovë, si shkak i masave të ndërmarra për mbylljen totale e më pas edhe të pjesshme të vendit, me qëllim të mospërhapjes së virusit famëkeq.

Mbyllja e pothuajse të gjithë sektorëve, si dhe fazat e karantinimit kanë ndikuar në paqëndrueshmërinë e shumë bizneseve e ndërmarrjeve, pa marrë parasysh nëse kanë qenë të vogla apo të mëdha për nga kapaciteti dhe kapitali i tyre. Si pasojë e kësaj, shumë qytetarë kanë mbetur pa pagë mujore për një periudhë, e në rastet më këqija edhe deri tek ndërprerja e kontratës së punës. Përveç të punësuarve, dëme të mëdha po vazhdojnë të kenë edhe punëdhënësit të cilët tashmë i kanë jostabile bizneset e tyre dhe gjenden në një kolaps financiar, që mund t’i shpjerë deri tek falimentimi.

Si kategori më e cenueshme në tregun e punës në mënyrë konstante vazhdojnë të jenë gratë, andaj edhe kjo krizë ekonomike padyshim që do e thellojë vështirësinë për qëndrueshmërinë në punët ekzistente por edhe mundësitë për rritje të punësimit. Disa nga faktorët të cilët tradicionalisht i mban peng gratë dhe i len ato larg tregut të punës janë kujdesi për fëmijë e të moshuar si dhe kujdesi për punët e shtëpisë. Një faktor tjetër tejet i rëndësishëm është edhe informaliteti në treg të punës, ku një nga tri gra punojnë pa kontratë.  Andaj, COVID-19 mund të themi se është vetëm një sfidë shtesë për punësimin e grave dhe qëndrueshmërinë e tyre në tregun e punës. Indikator shtesë që e vërteton një gjë të tillë janë edhe masat e fundit nga Qeveria e Kosovës me vendimin për mbylljen e kopshteve për fëmijë, vendim ky i cili aspak nuk u prit mirë nga asociacioni i çerdheve por edhe prindërit në përgjithësi. Kjo masë ka prekur direkt rreth 2000 gra, të cilat janë të punësuara në kopshtet private të licencuara si dhe rrezikojnë humbjen e vendeve të punës së nënave, të cilat punojnë me orar të plotë dhe nuk kanë ndonjë alternativë tjetër për kujdesin e fëmijëve, përveç kopshteve.

Joaktiviteti i grave në tregun e punës vazhdimisht shënon përqindje alarmante, të dhëna këto të cilat publikohen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportet tremujore dhe ato përfundimtare të çdo viti. Në vitin 2019 nga 59.5 % sa ka qenë joaktiviteti në tregun e punës, 78.9 % e tyre ishin gra joaktive, ndërsa nëse e krahasojmë këtë ndër vite, në vitin 2015 ishte shkalla më e lartë e joaktivitetit të grave me gjithsej 81.9%. Duke marrë parasysh dëmet e sektorëve të ndryshëm, hamendësojmë se përqindja e joaktivitetit të grave mund të pësojë rritje edhe më të madhe në këtë trajektore si shkak i pandemisë, megjithëse të dhënat zyrtare nga institucionet shtetërore ende mungojnë.

Megjithatë, një pasqyrë të tillë se numri i të papunëve është shumë i madh në këtë periudhë se sa në vitin paraprak, mund ta kemi edhe nga të dhënat e fundit nga Agjencia e Punësimit të Kosovës ku nga data 13 Mars 2020 deri me 13 Maj 2020 janë regjistruar gjithsej 120 mijë të papunë – mesatarisht 5000 punëkërkues të regjistruar në baza ditore. Prej tyre, rreth 45% janë punëkërkuese gra. Ndërsa kuptohet, numri i të punësuarve gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë tejet i vogël duke qenë se shumë sektorë kanë qenë  të mbyllur andaj nuk kanë pasur kërkesa për punëtorë, gjë që e ka pamundësuar ndërmjetësimin e Agjencisë së Punësimit.

Padyshim se shëndeti i qytetarëve është primar, por asnjëherë nuk duhet të zbehet rëndësia e ndikimit socio-ekonomik që pandemia ka te qytetarët, e sidomos te grupet e cenueshme. Një gjë të tillë do duhej ta kishin parasysh të dy qeveritë brenda këtij viti kur morën masat e përkohshme për izolim dhe krijuan pakot emergjente për rimëkëmbje ekonomike, të cilat nuk ishin gjithëpërfshirëse dhe nuk përbënin analizë të thellë gjinore në vete.

Shpresat për rritje të punësimit në këtë kohë janë pothuajse të shuara, andaj institucionet shtetërore duhet të analizojnë me përpikëri çdo sektor dhe klasë shoqërore të prekur, në mënyrë që të përkrahë dhe të lehtësojë rimëkëmbjen ekonomike. Në këtë logjikë duhet që edhe bizneset e grave të përkrahen në masë më të madhe, dhe në fondin kosovar për Garanci Kreditore, i cili është i paraparë me projekt ligjin për rimëkëmbje ekonomike, të kenë përparësi sipas masave afirmative të përcaktuara në bazë të ligjit për barazi gjinore.

Situata e krijuar nga Covid-19 nuk po duket e lehtë për t’u tejkaluar dhe pasojat mund të jenë afatgjata, andaj sa më parë që veprohet, dëmet mund të jenë më lehtë të rikuperueshme. Një situate të tillë, do t’i ndihmonte stabiliteti politik e institucional si dhe zbehja e hendekut të krijuar mes partive, të cilët nuk po e marrin mundin të gjejnë një pikë bashkëpunimi për një zgjidhje të përbashkët. Gjithsesi, le të shpresojmë se gjysma e dytë e vitit nuk do të na dërgojë edhe në disa hapa mbrapa, ku më pas do ta kemi edhe më të gjatë shtegun për progres pozitiv.

—–

Editoriali është pjesë e projektit “Pozita e grave në tregun e punës post-COVID-19: Sfidat dhe mundësitë”, që implementohet nga Demokraci për zhvillim (D4D), dhe financohet nga Kosovo Foundation for Open Society (KFOS)

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.