Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

“Dashnoret” e portaleve dhe Arbana

“Dashnoret” e portaleve dhe Arbana

Aderimi i Arbana Xharrës në Partinë Demokratike të Kosovës u përcoll me një reaksion të fuqishëm nga i madh e i vogël në Kosovë. Atribute të shumta iu veshën e kritika nga më të ndryshmet iu dhanë. Kritika që lidhet me aspektet profesionale, etikën, principet dhe vlerat të cilat ajo ka përfaqësuar në sferën publike në Kosovë është valide. Mirëpo, cfarë është e rëndësishme të theksohet është që përfshirja e grave në politikë nuk është kurrë e njejtë me atë të burrave. As në rastin e Arbanës. Komente të ndryshme qarkulluan gjatë gjithë ditës në Facebook, e të shumta ishin edhe ato seksiste e objektivizuese. Thënë ndryshe, Arbana u portretizua si ajo grua që për të arritur në pozita pushteti shkon në shtrat me burra (‘slept her way to the top’). Ajo u krahasua me gazetaren kolumbiane Virginia Vallejo, dashnoren e Pablo Escobarit. Dhe ky krahasim u bë edhe nga figura të rëndësishme politike brenda partive të cilat pretendojnë promovim të barazisë gjinore dhe luftim të misogjinisë në Kosovë.

A s’është ky stereotipi që i përcjell të gjitha gratë në politikën kosovare, pavarësisht përkatësisë partiake? Mirëpo jo edhe kolegët e tyre. Për burrat që përfshihen në politikë spekulimet për motivet e tyre i paraqesin ata si më të fortë, më strategjikisht të kujdesshëm, më kompetentë etj. Ndërsa kriteret për burrat në politikë i takojnë rrafshit të inteligjencës, pëlqyeshmërisë e besimit, gratë analizohen me parametra të tjerë, pavarësisht sa kompetente, inteligjente, apo të besueshme janë.

Objektivizimi i grave në politikë dhe sfidat e tjera të bazuara kryesisht në stereotipe gjinore e vështirësojnë shumëfish funksionimin e tyre brenda kësaj fushe. Kur gratë hyjnë në politikë, ato ose kritikohen për t’qenit shumë afër projeksionit të asaj që shihet si shumë feminine ose shumë mashkullore. Gratë nuk përballen vetëm me adresimin e çështjeve që vijnë si pasojë e t’qenit person i përfshirë në politikë, por edhe problemin specifik të asaj se si shoqëria i sheh ato si gra. Arbanës i thanë se duhet të kthehet në kuzhinë ‘aty ku e ka vendin’ etj., etj. Perceptimi i grave sikurse ato me patjetër duhet të kenë ose marëdhënie me një burrë të fuqishëm për të realizuar karrierën e tyre në politikë, ose duhet të shfrytëzojnë pamjen e tyre është joreal dhe i dëmshëm.

Për t’u bërë edhe më problematike kjo çështje, gratë i përvetësojnë stereotipet e krijuara nga mediat dhe lidhjet e tyre ndërpersonale dhe kjo që në fillim i vendosë ato në disavantazh nga kolegët e tyre për të realizuar idetë dhe programin e tyre. Stereotipizimi i grave në politikë e bënë shumë të vështirë funksionimin e tyre brenda fushës e cila është ekskluzivisht e burrave edhe për faktin se ato duhet të angazhohen shumëfish më shumë për ta bindur publikun që janë lidere të afta dhe serioze.

Mënyra se si media i paraqet gratë është në atë mënyrë që ngritë dyshime për kapacitetin e tyre për të qenë në lidership. Edhe kur ato janë në pozita të rëndësishme publike, është i pashmangshëm stereotipizimi i tyre. Një shembull tipik është raportimi i portalit IndeksOnline për zhvillimet e djeshme, ku ndër të tjera u përfol edhe për një aderim të mundshëm të udhëheqëses së programit Ekonomia me Erëzën, Erëza Vela. “Vela, e njohur më shumë për pamjen e saj, para disa ditësh njoftoi përfundimin e emisionit të saj, që shfaqej në KTV”, shkruhej në një artikull të këtij portali. Ky standard kaq i ulët i mediave në Kosovë dhe trajtim aspak fer, u pamundëson grave në politikë ta dëshmojnë veten dhe shtrembëron perceptimet e votuesve për aftësitë apo kompetencat e grave. Në të njëjtën mënyrë si Arbana gjykohen Duda Balje apo Ganimete Musliu. Njëra duke qenë shumë afër standardeve të bukurisë të cilat i krijon po vet media, tjetra duke qenë më larg këtyre standardeve. Melihate Tërmkolli poashtu ka qenë target i komenteve seksiste me vite të tëra. Të anashkaluara nuk janë as Donika Kadaj apo Vlora Çitaku. E njejta nuk ka vlejtë asnjëherë për burrat. Miti social për bukurinë femërore shfrytëzohet vazhdimisht për të mbajtur gratë ‘në vendin e tyre’ si fragjile e të pafuqishme.

Studime të shumta tregojnë se mënyra seksiste e raportimit të mediave i dëmton kandidatet dhe politikanet gra. Votuesit janë të shtyrë të gjykojnë ato në bazë të paraqitjes së jashtme dhe kjo i lë në hije kriteret përmbajtësore për të cilat duhet të gjykohen ato. Mediat në Kosovë duhet të aplikojnë ‘logjikën e prapësimit’ dhe të mos shkruajnë gjëra për politikanet gra nëse nuk do t’i shkruanin ato për burrat. Në anën tjetër, i mbetet Arbanës të punojë në çrrënjosjen e seksizmit duke u nisur nga partia e saj dhe fuqizimin e grave të cilat tashmë janë apo aspirojnë të merren me politikë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.