Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Demitizimi i të drejtave dhe nevojave të serbëve të Kosovës në arsim dhe shëndetësi

Të drejtat dhe garancitë që u ofrohen serbëve të Kosovës në fusha si shëndetësia, arsimi, kultura e religjioni, janë qartë të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet pasuese, përkatësisht në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila u jep më shumë kompetenca autonome komunave me shumicë serbe.

Megjithëkëtë, ka shumë nga ata që ende i shohin këto si të drejta “të veçanta” ose të administruara nga “institucione paralele”, kryesisht për shkak të lidhjeve të tyre financuese me qeverinë serbe.

Ndryshe nga këto besime, është e rëndësishme të sqarohet se këto institucione lejohen ligjërisht të marrin fonde nga burime të ndryshme, përfshirë dhe qeverinë serbe, për aq kohë sa procesi i financimit ruan transparencën.

Është po ashtu gabim të mendohet që pakicave të tjera nuk u ofrohen këto garanci. Në fakt, të gjitha pakicat kanë të drejtën e arsimimit në gjuhën e tyre, të drejtën e përdorimit të flamujve të tyre dhe të drejtën për mbrojtjen e kulturave të tyre unike.

Dhe, sa i përket kujdesit shëndetësor, që është negociuar posaçërisht për serbët e Kosovës si pjesë e Marrëveshjes së Brukselit 2013, ai është i qasshëm për çdo banor të regjistruar të Kosovës.

Përgjegjësia për mbrojtjen e këtyre institucioneve është e Qeverisë së Kosovës, e cila duhet të sigurojë jo vetëm mbrojtjen e serbëve të Kosovës, por edhe të grupeve të tjera minoritare, si goranët, romët, boshnjakët dhe madje edhe shqiptarët që i përdorin këto shërbime.

Kjo situatë ngre një pyetje më të gjerë: Pse për serbët e Kosovës është thelbësore e drejta për të menaxhuar me arsimin dhe kujdesin e tyre shëndetësor?

Sfidat në arsim

Veç çështjeve që lidhen me mësimdhënien e historisë, e cila është një sfidë si në Kosovë për shkak të mungesës së mësimdhënies multiperspektive, ashtu edhe në Serbi për shkak të mospranimit të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi, portabiliteti i kualifikimeve paraqet një çështje të rëndësishme për komunitetin serb të Kosovës.

Duke pasur parasysh tendencën e shumë serbëve të Kosovës për të migruar ose për të ndjekur mundësi të përkohshme për punësim dhe arsimim të lartë në Serbi, është thelbësore për ta që kualifikimet e tyre të njihen dhe të pranohen në vendin e destinacionit.

Për shembull, një student serb i Kosovës që synon të ndjekë studimet në Universitetin e Beogradit përballet me sfida të mëdha si i diplomuar në sistemin e Kosovës, pasi Serbia aktualisht zgjedh të mos i njohë diplomat e saj.

Për më tepër, sistemi serb ofron një diplomë të shkollës së mesme të nivelit më të ulët, duke ua bërë të mundur studentëve serbë që nuk planifikojnë të ndjekin studimet universitare të ndjekin kurse profesionale, teknike dhe po ashtu praktika të ndryshme. Edhe pse Kosova ofron shkolla teknike dhe mundësi për praktika, sistemi mbetet goxha i dobët.

Kosova ofron kurrikulën e saj në gjuhën e pakicave boshnjake dhe turke – ndonëse jo në gjuhën rome – dhe shkolla më e madhe në Kosovë është faktikisht multilinguale.

Ani pse në Kosovë ka shkolla që akomodojnë nxënës serbë dhe shqipfolës, posaçërisht në zonat përreth Gjilanit, Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje të kufizuara për të arritur te serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera që përdorin sistemin serb.

Megjithëkëtë, janë bërë përpjekje që të fillojë njohja e diplomave serbe nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe shkollat e mesme të sistemit serb. Elizabeth Gowing, këshilltarja e kryeministrit Albin Kurti për çështjet e komunitetit, në buletinin e saj mujor nënvizoi se Komisioni për Verifikimin e Diplomave do të fillojë me njohjen e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut dhe së shpejti nga shkollat e mesme serbe të Kosovës.

Sidoqoftë, si studentët kosovarë, ashtu edhe ata serbë, janë ende në pritje të njohjes së diplomave të tyre nga institucionet e të dyja vendeve, ashtu sikundër është rënë dakord me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Mirëpo, pabarazia më e madhe qëndron në domosdoshmërinë e arsimit të hershëm, që është jetik për suksesin e ardhshëm të fëmijëve në rrugën e arsimimit. Në Kosovë, vetëm 15% e fëmijëve ndjekin arsimin e hershëm, ndërkohë që në Serbi kjo përqindje shkon në 48. Një tjetër faktor i rëndësishëm është fakti se në sistemin serb arsimi i hershëm është falas, ndërsa në Kosovë shpesh nuk është.

Sfidat në kujdesin shëndetësor

Kujdesi shëndetësor është po ashtu i lidhur me barrierat gjuhësore dhe konsideratat financiare. Përveç kësaj, kujdesi shëndetësor serb është universal, ndërkohë që sistemi i Kosovës kërkon që sigurimi ose tarifat të paguhen në kohën e ofrimit të kujdesit shëndetësor.

Shpesh, institucionet e Kosovës janë absente në çështjet që lidhen me komunitetet pakicë, pasi kanë mungesë të stafit që mund të flasë gjuhët e pakicave, veçanërisht serbishten. Pavarësisht se gjuha shqipe dhe ajo serbe janë gjuhë zyrtare në Kosovë, institucionet shtetërore shpeshherë dështojnë ta përmbushin këtë kërkesë ligjore. Kjo mangësi krijon paskëtaj vështirësi për serbët e Kosovës në qasjen në shëndetësi apo shërbime të tjera qeveritare.

Qendra spitalore në Mitrovicën e Veriut nga shumë vëzhgues konsiderohet si një nga spitalet më të mira në Kosovë. Po ashtu, ajo shërben edhe si spital mësimor për Universitetin e Mitrovicës së Veriut.

Për më tepër, sistemi shëndetësor në veri të Kosovës mbetet i financuar dhe mbështetur më mirë sesa sistemi i Kosovës, i cili jo vetëm ka probleme me reformën e brendshme, por edhe me mjekë e infermierë të kualifikuar që emigrojnë për paga më të larta dhe me pajisje jo të sofistikuara në institucionet e veta mjekësore.

Për shembull, lëndimet sportive nuk mbulohen nga sigurimet në Kosovë, një çështje tjetër kjo që e lë mbrapa popullatën e Kosovës.

Dallimet midis dy sistemeve ishin më të theksuara përgjatë pandemisë COVID-19, kur Serbia, duke përfituar nga struktura e saj autokratike shtetërore dhe marrëdhëniet e favorshme, si me Perëndimin, ashtu edhe me Lindjen, administroi vaksinat më herët sesa shumë shtete europiane.

Kjo çoi drejt një situate të çekuilibruar, ku serbët e Kosovës dhe pakicat e tjera i morën vaksinat e tyre herët, ndërkohë që shumë shqiptarë të Kosovës ishin ndër të fundit në Europë që u vaksinuan.

Kujdesi shëndetësor universal, sistemi i shumicës së vendeve të industrializuara me përjashtim të Shteteve të Bashkuara, do të ndihmonte shumë në Kosovë dhe do ta mundësonte kujdesin e hershëm parandalues. Aplikimi i hershëm dhe i rregullt i kujdesit parandalues nënkupton më pak para të shpenzuara më vonë për sëmundje serioze. Kjo do të lejonte, për shembull, më shumë njerëz që të merren me sport lirisht, pa u shqetësuar për lëndimet.

Kosova duhet të punojë me komunitetet e saj pakicë dhe të mësojë prej tyre çdo gjë që është e nevojshme për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Në vend se këto dallime të shihen si dobësi, ato duhen parë si pika të forta. Në fund të fundit, kjo e ndërton vendin në tërësi nëpërmjet diversitetit, si dhe siguron përfshirje adekuate.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Analizë

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Kosovo Dispatch

In the second episode of Kosovo Dispatch, we talk to Agon Maliqi, an independent analyst and the co-founder of Sbunker, about the legal and...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.