Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Deputetët në tribuna- tifozët në Kuvend

E përbashkëta e Kuvendit të Kosovës dhe Stadiumit në Elbasan është përfaqësimi i masës. Në të parin, megjithëse duhet të ekzistonte vetëpërmbajtja, shpërtheu frustrimi. Në rastin e dytë, në vendin që njihet për zbrazje të adrenalinës, mbretëroi përmbajtja maksimale, sall për ta krijuar imazhin evropian, të mundur, ama krenar (sic!).

Në të dy rastet, turma është masa e vlerësimit. Nga ky prizëm, është mirë t`i ndërrojnë rolet, në tribuna të jenë deputetët e në Kuvend tifozët, për ta sprovuar demokracinë e dergjur.

Si humbës e përherë në pritje të Godosë, aspak e çuditshme që një lojë futbolli të shndërrohet në projekt politik dhe në tërë këtë ekstazë etno-nacionaliste humbja ta përjetohet si forcë, taman si në kohën e regjimit enverist. Në kushte reale nuk ekziston një grup apo komb që ndihet krenar me humbjen. Këto etno improvizime me shpërfaqje të simbolikave nacionale vetëm sa e vulosin gjendjen konstante në rajonin ballkanik, se më me rëndësi sesa përmbajtja është simbolika. Pra, sërish turma njësi matëse e situatës.

Teksa në Kuvend, fjalët i zëvendësoi lotsjellësi, në tribunat e Elbasanit, vandalizmin e zëvendësuan duartrokitjet. Të tilla pati edhe në fund si një urim për rivalin se fitoren e pati me meritë.

Duke e shndërruar Kosovën në një vend pa Kuvend, qëllimi mbetet absurd, sepse qytetarët një situatë të tillë e kanë tashmë të përjetuar.

Qytetarisë i mbetet të vihet kundrejt frikës së çdoditshme që po e nxitë gjithnjë e më shumë  pushteti e opozita. Mobilizimi rreth kauzave nacionaliste – patriotike tregon zhvillimin e logjikës së turmës dhe masave, veprimet të cilat bëhen refleksive, por në asnjë mënyrë nga të menduarit kritik. Sipas Weberit, në shoqëri njerëzit i harmonizojnë interesat e tyre, me qëllim të arritjes së ndonjë synimi të përbashkët. E, në kontekstin kosovar s`ka as harmonizim e as interes.

Kjo bëri që përgjatë 16 vjetëve Kosova ta shndërrojë në mënyrë qeverisjeje, modelin klientelist, i cili shtetin e bën pronë të një grupi, por asesi të një tërësie.

Teksa demokracia ka përfunduar në një kaos politikë, John Rolls e sheh të pamundshme barazinë politike në kushtet e një pabarazie shoqërore.

Thjesht për faktin se kjo gjendje prodhon dy palë, pozita dhe opozita në njërën anë dhe qytetarët nga ana tjetër. Të parët si padronë të taksave publike, të dytët si vartës. Këtu s`mund të ketë paqe shoqërore, sepse shteti i së drejtës dhe institucionet demokratike janë shndërruar në përkufizime teorike.

Vetëdija e fjetur e qytetarisë është pasojë e kontekstit historik të zhvillimit të shoqërisë kosovare, e cila për dekada të tëra është zhvilluar mbi premisën e patriotizmit klasik, mbështetur në konceptet qendrore të zhvillimit të sigurisë tradicionale. Sot, ky model është i tejkaluar. Ky vend ka nevojë jo për patriotizëm, jo për masë e logjikë turmash, por për vetëdije konstitucionaliste. Përtej simboleve, kjo shoqëri ka nevojë për demilitarizim patriotik, me të cilën bëhet e mundshme që në përballje me politika, shtete a klube futbolli të vijë në shprehje cilësia, por jo logjika e flamujve a droneve.

Kësaj logjike duhet t`i kundërvihet edhe mendimi kritik kundrejt mendimit të turmës, i cili predominohet nga kauza etno-nacionaliste dhe aspak shtetndërtuese. Maks Weber thotë se kush bënë politikë, synon pushtet, ndaj secili subjekt politik në Kosovë po synon që masën ta mbajë me vete, me kultivimin e një diskursi patriotik, gjithnjë duke njohur mendësinë e njerëzve të këtij vendi, të cilët sakaq mobilizohen për ta manifestuar dellin patriotik, qoftë edhe kur përmendet vetëm shkronja S.

Prandaj, në sensin e logjikës së turmës, pozitë e opozitë po e makiavelizojnë atë, gjithnjë në përpjekje për dominim dhe gjithnjë të vetëbindur se ata janë poseduesit e së vërtetës. Por, teksa humbjet na janë bërë pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë prej vjetësh, njësoj është të humbasësh mendim, njerëz, territor, lojë a vetëdije. E rëndësishme sërish është që në këtë kontest të jemi kokëlartë, evropian, varfanjak e krejt në fund “krenar”! Ky çmim s`ka të paguar!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.