Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Detyra e intelektualit dhe kërcënimet e saj

Për të legjitimuar punën e tij, intelektualit i duhen njerëz që mendojnë me të dhe përkundër tij, jo ithtarë që ndjekin verbërisht idetë e tij. Intelektuali që është vënë në kërkim të ithtarëve të tillë, ka mbjellë farën e tifozerisë, e cila e delegjitimon tërësisht veprimtarinë e tij, ngase ndjekja jokritike e ideve të tjetrit është në kundërshtim me idenë e mendimit të lirë.

Nëse me termin “intelektual” shënjojme një person që ka arritur kapital të caktuar kulturor në fushën e krijimtarisë letrare a artistike ose në fushën e studimit dhe specializimit të tij/saj dhe është angazhuar në diskutimet me interes për publikun ose në betejat politike, bëhet e qartë se nuk flasim thjesht për një profesionist, që mjaftohet me përdorimin e punës intelektuale vetëm brenda profesionit të tij, po për diçka më shumë se aq. Sipas kësaj, duke synuar të imponojë në publik vlerat të cilat janë të pranueshme në fushën e tij krijuese ose shkencore, intelektuali  i atribuon vetes një mision në shoqëri, të cilin e përjeton si një “vokacion” a “detyrë jetësore” për të arritur tek e vërteta në lidhje me çështjet me interes për publikun, ose për të zhvilluar vetëdijen ideore, politike a kulturore të grupeve të caktuara shoqërore.

Më saktë, ky është koncept i “intelektualit publik”, që emërton  një profesionist të një fushe të shkencës a të artit, të cilit i interesojnë të vërtetat politike që mund të nxirren nga metoda dhe logjika e fushës së specializimit të tij dhe që mund të përdoren për të adresuar çështjet publike të një shoqërie. Metoda dhe logjika, bashkë, përbëjnë universin ku validohet e vërteta dhe brenda të cilave mendon intelektuali, pavarësisht autoriteteve të jashtme nga ky univers, siç mund të jenë, bie fjala, mendimi ose idetë mbizotëruese të një elite pushteti a establishmenti kulturor ose idetë e popullarizuara të një shumice.

(Është qartë se një përkufizim i tillë nuk lejon që termi “intelektual” të përcaktohet sipas ndonjë kriteri universal. Çështja e përkufizimit duhet të shihet si pjesë e betejave (përsëri) intelektuale rreth përcaktimit të “intelektualit të vërtetë”, domethënë betejave për të vënë autoritetin që vendos se kush është intelektual e kush jo dhe që imponon përgjigjen se cila është a duhet të jetë detyra “e vërtetë” e intelektualit dhe raporti që ka, si me elitën politike e kulturore, ashtu me publikun e gjërë.)

Së këndejmi, këtu e kemi fjalën pikërisht përe këtë koncept të intelektualit, domethënë një mendimtar që nuk e ndërlidh mendimin e tij me një garë për të fituar pranimin e publikut. Mendimtari nuk synon që idetë, të cilat dalin nga mendimi i tij, të jenë të popullarizuara apo në përputhje me idetë mbizotëruese. Prandaj, ai nuk mërzitet kur idetë e tij injorohen, kundërshtohen ose nuk kuptohen nga shumica. E vetmja arsye me mendu për shumicën është kur idetë e tij përputhen me idetë e shumicës ose mbizotëruese. Në atë rast, duhet të sigurohet që mendimi i tij nuk është vendosur nga këto forca, por është bërë përpjekje që të mendohet pavarësisht dhe përkundër tyre.

Andaj, është e panevojshme përpjekja e intelektualëve për pranim dhe simpati nga publiku, duke propozuar ide banale që nuk thonë asgjë të re, nuk zbulojnë ndonjë të vërtetë të rëndësishme ose me të cilat pajtohen të gjithë ose një shumicë e rëndësishme. Një paraqitje e figurës banale ose të zakonshme të intelektualit, që e asocion atë me mendimin e sigurt, mbizotërues ose të shumicës, është rrënuese e vetë konceptit të intelektualit. Sidoqoftë, nga një intelektual nuk mund të burojnë ide banale ose të zakonshme: mendimi i tij nuk mund të prodhojë ide që nuk thonë asgjë të re, së paku për një pjesë të publikut, dhe që nuk ia prishin qetësinë mendimit mbizotërues.

Intelektuali nuk ka nevojë të propozojë ide që pajtohen me mendimin e shumicës ose që janë të përhapura në shoqëri me qëllimin për të fituar miratimin e publikut. Këtë e bëjnë ideologët politikë dhe predikuesit fetarë. Ata shkëmbejnë ideologjitë dhe utopitë për besimin dhe miratimin e publikut. Duke u ofruar opium gjindjes hallkeqe, që të mund ta durojnë botën në të cilën jetojnë dhe duke u premtuar më të mirën e botëve, që gjithmonë është tjetërkund dhe tjetërherë, ata fitojnë besimin e njerëzve që iu duhet për të rekrutuar ithtarë të vizioneve të tyre ideologjike ose utopike.

Përkundrazi, intelektuali nuk i premton asgjë askujt, as lumturi në këtë botë, as shpëtim në botën tjetër. Në të vërtetë, intelektuali nuk ka çfarë t’u ofrojë asgjë masave në këmbim të besimit të tyre. Përveç nëse veprimtarinë e tij mendore e përzien me ndonjë veprimtari sipolitike ose fetare, intelektuali nuk u premton masave utopi në këtë botë ose parajsë në botën tjetër. Ai mendon dhe rimendon mbi atë që e rrethon dhe si rezultat propozon ide që i arsyeton sipas ndonjë logjike të vlefshme në fushën mbi të cilën ka ekspertizë.

Në këtë proces, intelektuali ofron vegla konceptuale e metodologjike për të menduar me to, duke ia paraqitur publikut parimet logjike dhe metodologjinë e pranuara në universin e tij. Mirëpo, këtë ai e bën jo me forcën e popullaritetit që e ka politikani ose kleriku, por me forcën e argumentit. Andaj, intelektuali thëret në përdorimin e trurit për të menduar dhe jo të zemrës për të besuar.

Për të legjitimuar punën e tij, intelektualit i duhen njerëz që mendojnë me të dhe përkundër tij, dhe jo ithtarë që ndjekin idetë e tij në mënyrë të verbër dhe pa i shqyrtuar ato. Intelektuali që vihet në kërkim të ithtarëve të tillë, ka mbjellë farën e tifozerisë. Tifozeria e dëmton mendimin e lirë të intelektualit duke e bërë atë rob të miratimit të ithtarëve të tij. Intelektuali që krijon tifozë, herët a vonë, do të bëhet pasues i tyre, do të ndjekë opinionet e tyre, në vend se të jetë lider i mendimit të lirë dhe pionier i ideve novatore. Tifozeria e delegjitimon deri në vdekje veprimtarinë e intelektualit, ngase ndjekja e ideve të dikujt është në kundërshtim me idenë e mendimit të vazhdueshëm dhe të lirë, që është vetë detyra e intelektualit. Ndjekja e mendimit të dikujt pa e testuar atë në vazhdimësi shpie në rrugën e besimit të pamenduar në të vërtetat e dhëna, ndërsa shtrimi i pyetjeve, mendimi dhe rimendimi i vazhdueshëm është e vetmja garanci që mendimi të mos shndërrohet në besim.

Ky është vokacioni i intelektualit: të mendojë e të rimendojë, ndërsa puna e jashtme  tij, detyra shoqërore e tij, është të promovojë përdorimin e mendjes dhe t’u ndihmojë pjesëtarëve të shoqërisë në këtë rrugë. Në çastin që intelektuali e braktis punën e tij të brendshme, ai pushon të jetë intelektual, ndërsa në çastin që detyrën e tij në shoqëri e përzien me thirrje dhe promovim të besimit në të vërtetat e dhëna, ai e ka tradhëtuar vokacionin e tij në shërbim të ndonjë detyre ideologjike a utopike.

Ose intelektual ose ideolog; këto të dyja nuk mund të qëndrojnë bashkë. Intelektuali lyp mendim, ideologu, politikani a predikuesi, lyp tifozë. Në kërkim të mendimit, intelektuali do të bëjë kurban tifozerinë. Në kërkim të tifozëve, ideologu do të bëjë kurban mendimin.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.