Në kohën kur presidenti Trump, i njohur për komentet e tij misogjine dhe raciste, po inagurohej, miliona gra në mbarë botën iu bashkuan Marshit Protestues të grave në Washington, në shenjë solidariteti. Marshet simotra, perveç që u solidarizuan me feministet nga Amerika për të kundërshtuar misogjinin Trump, vepruan kështu për të marshuar kundër padrejtësive të shumta që i bëhen grave në ato shtete respektive. Kësaj thirrjeje iu bashkua edhe Kosova. Me të drejtë. Një marsh global, që beson që të drejtat e grave janë të drejta globale. Një numër i vogël i grave, e një numër edhe më i vogël i burrave iu bashkua kësaj thirrjeje, ku në mënyrë të qetë, u marshua jo më gjatë se katër minuta. Jo gjuhës seksiste. Pagesë të barabartë. Thuaj jo dhunës – këto ishin parullat që mbanin marshueset.
Sot në Kosovë, ka shumë arsye për t’i bërë thirrje respektimit të të drejtave të grave. Kjo marshutë mbase ishte shumë simbolike, dhe unë thellësisht besoj që këto duhet të jenë më radikale dhe më të shpeshta. Sot në Kosovë, një deputeteje të zgjedhur nga populli, i thuhet “ma hangsh”, dhe tejkalohet si diskurs shumë normal. “Lopë” thuhet. Sepse është grua. Gruaja fyhet më së lehti. Pa kërkuar falje. Kjo tashmë ka kaluar në normë. Ndërsa burrat jo. Burrat kryesisht “ofendohen” duke i vënë atribute “femërore” – qyqar. Sepse të jesh grua në Kosovë shihet si një gjë e tillë, klas i dytë.
Reagime s’do të duhej të kishte vetëm nga gratë. Apo nga feministet. Të reagojë i takon të gjithë shoqërisë. Mbase sepse është viti 2017 dhe nuk jetojmë në Mesjetë. Mbase, se ta ngresh zërin kundër patriarkatit nuk të bën lesbike apo grua pa burrë (edhe pse unë nuk mendoj që është gjë e keqe të jesh njëra apo tjetra). Të ngresh zërin ndaj padrejtësive të bën njerëzor. Të drejtë.
Kishte shumë reagime, përqeshje, sepse u organizua një marshutë e tillë në Kosovë. Meqë Trump është president i Amerikës, në anën tjetër të oqeanit, çfarë halli mund t’kenë këto “lesbiket” në Kosovë? Mendësia e tillë, që bën këto pyetje, pa pikë holistike, është pikërisht ajo të cilës i marshoj dhe do të duhej t’i marshohej e protestohej, madje më radikalisht, pa u ndalur. Një solidarizim me këtë lëvizje globale ishte më se e rëndësishme për të përçuar mesazh që seksizmi dhe misogjinizmi nuk duhet lejuar.
Ishte e nevojshme që ne si shoqëri, e mbi të gjitha si gra, në mungësë të përkrahjes nga burrat, t’i mbrojmë të drejtat tona. Të drejtat tona humane. Ishte e rëndësishme sepse padrejtësia diku, është kërcënim për drejtësinë kudo. Një solidarizim pra ishte i nevojshëm sepse mendësi të tillë ka edhe në Kosovë; që gratë vlejnë më pak se burrat; që gratë që luftojnë për të drejtat e tyre, janë ato të cilat vuajnë për vëmendje nga burrat. Madje diku lexova që për këto gra duhet të shpallet ora policore. Është pikërisht një opinion i tillë nga një grua, tipik misogjin dhe patriarkal, arsyeja që duhet protestuar dhe marshuar. Duhet marshuar sepse sot dhuna në familje heshtet. Duhet marshuar sepse gjuha seksiste është diskurs shoqëror.
Unë sot ndjehem më e indinjuar, sesa përpara marshutës, sepse befas ranë më tepër maska, patriarkalizmi u shpërfaq edhe një herë duke zënë vend edhe ndër ata që duhet ta kundërshtonin fuqishëm. Unë sot më fuqishëm ndjej nevojën për organizime të tilla, më radikale.
Ndërsa të tjerët më pyesin se pse marshova, unë dua t’i pyes ata, se çfarë arsye më të fortë patën ata, të mos dalin në një marsh që nuk zgjati më shumë se katër minuta, për të mbrojtur të drejtat e grave? Rezistenca kundër patriarkatit nuk është kombëtare por ndërkombëtare. Ajo nuk mund të kufizohet nga kufijtë.