Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Doracak për shpërngulje në Zimbabve

Në Kosovë ekziston vetëm një zot mbi zota, e ai nuk është as i krishterë, as musliman, as çifut. Ai është – bashkësia ndërkombëtare. Baba, alfa dhe omega, jeta dhe vdekja – shtetet e Quint-it të famshëm: ato më shumë (mbase vetëm ato) pyeten për gjithçka sesa të gjitha institucionet serbe dhe kosovare së bashku. Dhe, përnjëmend, ç’na duhen institucionet kur kemi udhëheqës? Serbët i duan udhëheqësit, shqiptarët i duan udhëheqësit, e jo dispozitat dhe procedurat e mërzitshme. Atyre duhet t’u „kryhet muhabeti“, e jo ta çajnë kokën me cikërrima siç është respektimi i ligjeve. Mbani mend, institucionet janë mbetje të Perëndimit dekadent, do të thoshin atdhedashësit e vetëquajtur vendorë, dertmbajtësit kujdestarë, gjerbësit profesionalë kafesh 24/7 dhe mbetjet tjera të shekullit XII p.e.s.. Shumica e bashkëqytetarëve tanë vërtet mendon kështu, e unë do t’u sugjeroja leximin e hollësishëm të materialit didaktiv vijues: „Why Nations Fail“ (Pse popujt dështojnë) nga Daron Acemoglu dhe James Robinson. E vërtetë, e di se më me qejf lexohet „Informeri“ dhe shikohet televizioni „Pink“, por të paktën provova.

Nuk po e zbuloj ujin e nxehtë kur them se institucionet funksionale paraqesin bazën për çdo shtet normal dhe të suksesshëm, që Kosova s’është; as s’është normale, as e suksesshme, as shtet. Kosova është protektorat. Për vite me radhë, serbëve të Kosovës u servohet se do t’u hapen rrugët me t’u bërë pjesë e institucioneve kosovare. Edhe pse jam i vetëdijshëm për paaftësim, ta zëmë, të shëndetësisë serbe (e kuptoj se do të ketë të tillë të cilët këtë kritikë më me qejf do ta kuptojnë si goditje ndaj shtetit, sesa si thirrje të menjëhershme për ndryshime dhe zgjim nga gjumi shekullor), më duhet të them se njoh së paku 50 shqiptarë të cilët rregullisht nga komunat në jug të Ibrit vinë të mjekohen në spitale dhe ambulanca serbe. Kjo nuk do të thotë se shëndetësia serbe është Mali i Everestit i shërbimeve shëndetësore, por se edhe shqiptarët e Kosovës kanë shërbime tmerrësisht katastrofale në këtë sektor. Prandaj po e parashtroj pyetjen: Pse serbët do të zgjedhnin një sistem më të keq se ai të cilin tashmë e kanë? Për hirë të njëfarë integrimi në shoqërinë kosovare? Për hir të avansimit të Serbisë drejt BE-së? Kjo është njëra prej arsyeve pse bazat mbi të cilat u ndërtua (mos)marrëveshja e Brukselit janë qartësisht destruktive: të pushtetshmit politikë po përpiqen që një populli të tërë (serbëve dhe qytetarëve të tjerë të lirë) në një territor (Kosovë) t’ia tkurrin standardin jetësor në kufijtë e të padurueshmes.

Në vend se të merren me këto dhe me tema të tjera të mundshme (mungesa e ujit, ndërprerjet e rrymës, problemet me dokumente personale, liria e lëvizjes për qytetarët serbë në Kosovë, marrja e teksteve shkollore dhe e librave në gjuhën serbe, mediat e varura dhe qindra mijëra gjëra të tjera), parulla e elitave politike në Kosovë është e thjeshtë: interesi personal përpara të drejtave qytetare, dobia personale përpara të drejtave politike, korruptimi dhe lajthitja përpara llogaridhënies dhe institucioneve.

Pse, për të njëqindtën herë, më duhet të mendoj se a do t’u vijë ndonjëherë fundi “hetimeve që vazhdojnë’, a do të marrin përgjegjësinë vendimmarrësit lokalë për çfarëdo për çka janë (in)direkt përgjegjës, dhe a mund të arrihet çfarëdoqoftë nga këto pa institucione njëmend të pavarura dhe funksionale? Nuk di për ju, por unë e kam valixhen plot me mosefikasitetin, kapadaillëkun dhe poltronizmin e tyre. Nuk dua të shkruaj ‘ka përjashtime’, sepse përjashtimet tashmë janë gjetur, si te shërbyesit publikë dhe vendimmarrësit, ashtu edhe te punëtorët e thjeshtë në institucione, qoftë kosovare apo serbe.

Pra,  as Prishtina, as Beogradi, as Brukseli, as Moska as Uashingtoni – janë institucionet ato që paraqesin bazë të jetës normale, të rritjes dhe zhvillimit ekonomik.

Zgjidhja (nëse në të ardhmen e afërt nga kjo nuk del asgjë)? Shpërngulja kolektive në Republikën e Zimbabves. Atje të paktën nuk do të detyrohemi të bëhemi kinse kemi institucione, sepse ky koncept atje është – i paqenë. U kërkoj falje të gjithë zimbabvasve – lexuesve të këtij teksti. Rrofshi dhe rruga e mbarë!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.