Javën e kaluar, në Davos , u mbajt “panairi” i pesëdhjetë me pjesëmarrje të më se tremijë zyrtarëve më të lartë botërorë. Presidentë, Kryeministra, drejtorë të institucioneve më të larta në botë, bankierë, ekonomistë dhe biznesmenë, të cilët mbroheshin nga forca të mëdha të sigurisë, helikopterë e agjentë civilë. Ndërsa në forume diskutohej, në rrugë protestohej. Në krye të protestës ishte tashmë e njohura gjimnaziste, aktivistja suedeze, Greta. Grupi i parë diskutonte e i dyti protestonte për ta shpëtuar planetin. Nuk ishin të kënaqur me njeri – tjetrin. Të parët sepse po pengoheshin nga të dytët në punë me rëndësi. Të dytët sepse të parët nuk po merren seriozisht me punë të rëndësishme.
Dikur, Marksi pati shkruar për “gogolin e komunizmit që po rrethonte Evropën”. Marksi dështoi. Gogoli shpërtheu. Fitoi tregu dhe kapitalizmi. Me gjasë edhe fituesi civilizues është “mbivlerësuar” duke qenë se tashmë po sulmohet nga dy gogolë të rrezikshëm. I pari është ndryshimi i klimës për shkak të ngrohjes globale. Temperatura mesatare tashmë është rritur për një gradë si rezultat i mosrespektimit dhe poshtërimit që po i bën njeriu natyrës. Sidomos prej fillimit të shekullit XX. Si zakonisht, natyra e kthen goditjen. Dhe atë përmes përmbytjeve, zjarreve, thatësirave, erozionit të tokës, erërave dhe valëve. Në zjarrin e tmerrshëm që goditi Australinë kohë më parë, janë vrarë mbi një miliardë kafshë. Çdo ditë e më rëndë po frymohet. Maskat në fytyrat e njerëzve janë shndërruar në një përditshmëri të trishtë. Edhe më herët ka pasë nxehtësi po dielli kurrë nuk ka “ kafshuar” sikur vitet e fundit. Protokollet e Kjotos dhe ligjet mjedisore dukshëm janë vonuar. Ndryshimi i klimës parashikohet të shkaktojë miliona më shumë refugjatë në dekadat e ardhshme, të cilët dikush duhet t’i strehojë e ushqejë. Çka mund të ndodhë në rast se deri në fund të këtij shekulli, temperatura mesatare rritet edhe për dy gradë? As ekspertët më të shquar mjedisorë nuk kanë guxim të parashohin situatën e tillë. E sigurt është se me mijëra specie kafshësh nuk do të arrijnë të mbijetojnë. Për ta shpëtuar planetin duhen shumë para, të cilat të varfëritë nuk i kanë e se a do ta hapin “ thesin” të pasurit nuk dihet. Lakmia për përfitime ka ngrënë kaq shumë jetë. A thua ka fund kjo?!
Pikërisht, për shkak të lakmisë së babëzitur dhe të pakontrolluar për përfitime, planeti po sulmohet nga gogoli i dytë. Pabarazia e padurueshme rajonale dhe sociale. Një punëtor në Amerikë ka 93 herë të ardhura më të mëdha se kolegu i tij nga Kongo. Kategoria e “kequshqyer” numëron 800 milionë njerëz. Njëzetmijë njerëz (16.000 fëmijë) vdesin nga uria çdo ditë. Në të njëjtën kohë, 1.3 miliardë ton ushqim hidhen çdo vit në të gjithë botën, vlera e të cilit arrin në 300 miliardë dollarë. Pasojë e “rentës shtetërore” është migrimi i përvitshëm ekonomik i cili edhe ka marrë shumë jetë. Në anën tjetër, 2,400 miliarderë posedojnë katër për qind të pasurisë totale botërore, përkatësisht 7.7 miliardë dollarë. Apo aq sa dy PBB vjetore të Gjermanisë dhe Japonisë, fuqisë së tretë dhe të katërt ekonomike të planetit.
Në kapitalizmin e zhvilluar ndryshimet sociale vazhdimisht janë në rritje. Pagat e punëtorëve të prodhimit dhe klasës së mesme (mjekë, inxhinierë, punëtorë të administratës) rriten shumë më ngadalë se pagat e drejtuesve dhe përfitimet (dividenta). Kjo si pasojë e faktit të thjeshtë se normat mesatare të rritjes së fitimit janë më të larta se rritja e BPV-së (të ardhurave të disponueshme). Për t`i dhënë dikujt më shumë, diku duhet marrë. Më së lehti – punëtorëve.
U bë kohë që kjo po ndodh andaj si e tillë nuk do të mund të vazhdojë edhe gjatë. Gogoli i diferencës sociale tashmë po kërcënon seriozisht. Edhe i famshmi Thomas Pikett ( Kapitali në shekullin XXI) gjithashtu “ kërcënon”. Nëse kapitalizmi i tregut, në 30 deri 50 vitet e ardhshme, nuk arrin të gjejë një model të shpërndarjes më të drejtë, ekziston rreziku i trazirave dhe e revolucionit. Përpjekjet e deritanishme rezultuan pa sukses. Tatimimi progresiv i të ardhurave dhe fitimeve të larta duket i mundur vetëm në plane afatgjata dhe nën kushtin e arritjes së një konsensusi në botë, përndryshe kapitali dhe fitimi do të zhvendosen në “parajsën tatimore” dhe of-shore kompani. Efektet do të jenë katastrofale. Njësoj sikur se edhe te ngrohja globale, pas Pranverës Arabe, Evropiane dhe Amerikane.
Se bota është në rrezik u pranua edhe në “panairin” e Davosit, ku dy temat kryesore të tij ishin pikërisht këta dy gogolë: Si të shpëtohet planeti dhe Ekonomia e drejtë. Se çka është arritur do të na tregoj koha. Përfundimet duken idilike. E rëndësishme është se çka u dakorduan “të mëdhenjtë” prapa skenës. A e pranuan përgjegjësinë e tyre historike, që brenda disa dekadave ta shndërrojnë rendin aktual (kapitalizmin perëndimor) në “ kapitalizëm me karakter njerëzor”, ngjashëm me Suedinë.
Së fundi, le të kujtojmë që edhe ne po kemi kopje të vogla të “ panairit’’ të Davosit. Forume të bizneseve. Pak ekonomi e më shumë reklamë, ku pjesëmarrësit vijnë të “parapërgatitur” për heshtje ose lavdërim. Pakkush guxon të flasë të vërtetën “ e zhveshur” për ekonominë tonë. Krejt në fund ky shkrim sugjeron të shtrohet një pyetje: Pse Prishtina po mban vendin lider në listën e ndotjes? Çka po na helmon kaq shumë?!