Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ekonomia e sjelljes së individit

Ndër dallimet më të spikatura të mendimit perëndimor dhe atij lindor është shpjegimi i sjelljes së individit. Në filozofinë lindore, individi sillet sipas përmbajtjes së karakterit të tij. Veprimet e tij janë rezultat i asaj që është dhe reflektojnë përbrendësinë e tij mendore.

Në kulturën perëndimore nuk mohohet ndikimi i karakterit në sjellje, por theksi vihet tek ambienti në të cilin vepron individi. Sjellja e tij shpjegohet kryesisht si reagim ndaj kushteve ambientale që nxisin apo dekurajojnë veprime të caktuara tek ai.

Puna shumëvjeçare në traditën e kësaj të dytës bëri sivjet që profesori Richard Thaler të fitojë çmimin Nobel për ekonomi. Thaler ka shkruar gjerësisht që individët nuk janë krejtësisht racionalë, siç pretendon ekonomia klasike me konstruktin e homo economicus. Për më tepër, veprimet e individëve nuk janë krejtësisht produkt i karakterit të tyre. Së paku një pjesë e sjelljes së tyre duhet—dhe eksperimentet e vërtetojnë—të jetë produkt i kushteve të ambientit ku vepron individi.

Për shembull, është vërejtur që nëse abonimi në planet pensionale bëhet parazgjedhje për punëtorët e rinj (d.m.th. ata duhet të çabonohen në vend të abonimit), kursimet rriten në mënyrë dramatike. Apo që kur në WC-të publike vizatohen mizat në guacat e murit, urinimi jashtë guacës reduktohet për rreth 80% thjesht sepse meshkujt janë të dhënë pas shënjestrimit!

Në Kosovë gjithashtu mund ta keni vërejtur që shqiptarët e diasporës sillen më ndryshe se në vendet nga vijnë, sepse kushtet i nxisin disa veprime (si hedhjen e mbeturinave në rrugë) që atje dekurajohen me dënime.

Thaler i quan “shtytje” (ang. nudges) këto karakteristika të ambientit që nxisin apo dekurajojnë sjellje të caktuara. Sipas tij, këto shtytje dizajnohen nga “arkitektura e zgjedhjeve”.

Në këtë kuptim, nuk ka njerëz përbrendësisht “të mirë” apo “të këqij”, “të korruptuar” apo “të pakorruptuar”, “punëtorë” apo “jopunëtorë”. Ka vetëm njerëz të ndryshëm që veprojnë varësisht nga shtytjet e ambientit në të cilin gjenden.

Ky konkluzion mund të mos jetë befasues, por është kyç në ndërtimin e institucioneve që e nxjerrin më të mirën nga individi.

Për shembull, një reformë që mund ta zvogëlojë korrupsionin në Kosovë është krijimi i hendekut mes sjelljes ligjore dhe joligjore. Kushtet aktuale në të cilat sjellja ligjore shpërblehet me pagë të ulët kurse sjellja joligjore nuk dënohet (apo dënohet lehtë) nënkuptojnë që individët kanë pak për të humbur dhe rrjedhimisht korruptohen më lehtë.

Nëse zyrtarët qeveritarë paguhen me pagë më dinjitoze dhe dënohen ashpër në rast të korrupsionit, atëherë hendeku mes sjelljes ligjore dhe joligjore rritet mjaftueshëm sa për t’i shtyrë ata të mendojnë se kanë shumë për të humbur.

Në nivelin makro, masat gjyqësore si zbatimi i kontratave apo mbrojtja e pronës private e rrisin aktivitetin ekonomik sepse tregtarët ndihen më të sigurt në këmbimin e mallrave dhe shërbimeve dhe në akumulimin e pronës kapitale.

Ekonomia e sjelljes së individit nuk është pa kritika apo paradokse, por mësimet e saj tregojnë potencialin e shtytjeve të vogla në ndryshimin e madh të sjelljeve.

02 nëntor 2017

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.