Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fanta President

Shumë shpesh, për me u ndi më mirë me vetën për poziten në shoqëri, për me u ndi më të rëndësishëm, apo për me e mbulu ndjenjën e fajësisë për dështimet tona, mundohemi me kriju ndarje në shoqëri, në “na” edhe “ata”. “Na grahim bicikleta, ata po e shkatërrojnë ambientin”, “na konsumojmë produkte vendore, ata janë tradhëtarë”, apo së fundmi “na kemi shije të sofistikuar, ata pijnë Fanta”. Kjo me Fanta, ishte qaq pa shije saqë nuk më dukej e arsyeshme as të komentohet, mirëpo t’premtën, me zgjedhjen e Presidentit, ky kompleks na u shfaq prapë.

Sa herë ka zgjedhje (t’çfarëdo lloji), në mbrëmje, kur zakonisht shfaqen rezultatet, mbretëron një atmosferë sureale, në të cilën përgjatë kohës sa truni yt ende po mundohet me e kapërthy ndikimin që kjo ditë mundet me e pasë për të ardhmen, t’kalojnë para fytyrës, njëkohësisht, piskamat e fishkëllimat e atyre që festojnë edhe vajtimet e sharjet e atyre të zhgënjyerve me rezultatin.

Sado që ishte absurde me iu gëzu faktit që për President të Republikës u zgjodh një kandidat, që është po aq i kualifikuar për atë post sa Aziz Salihu për kirurg, mënyra e shprehjes së nervozizmave të shumë njerëzve ia nisi me m’gërry.

Vrojtime mendjemprehta si “na e murren drenicakt!” e “për ni katunar don me u kallë sheshi”, t’përcjellura me komentime për mënyrën e shprehjes së gëzimit prej atyre që festonin, duke i pa si njerëz të dorës së dytë.

Krejt mundi i mijëra qytetarëve që kanë jetuar në Prishtinë shkoi poshtë me ardhjen e “ktyne t’malit”

Sinqerisht, nëse është arritje e madhe personale me qenë i lindur n’Prishtinë, atëherë n’vend t’çertifikatave t’lindjes kish qenë ide ma e mirë me na jepë medalje. T’artë për Prishtinë, argjendtë e bronztë për qytetet tjera, kurse për fshatëra vetëm mirënjohje.

Jam i sigurtë që shumë prej këtyre medalistëve do të ndiheshin më mirë sikur vota të mos ishte e barabartë për secilin. Vota e atyre me medale të artë do të ishte mirë të vlerësohej sa 3, e argjendëta sa 2 vota, e bronzta 1, kurse 0.5 vota e atyre me mirënjohje. Me siguri që në shtetin tonë të vogël por bujar, do të mbretëronte një kënaqësi më e madhe në këtë rast.

Fatkeqësisht, në demokracinë që na e kanë imponuar miqtë tanë ndërkombëtarë, vota e secilit është e barabartë. Si rrjedhojë, Kosova po mbetë në dorën e katunarëve.

Ndoshta pikërisht për shkak se qasja e shehrit ndaj katunit është shumë përjashtuese, i detyron ata me votu për “t’vet’” e jo për t’mirën e përgjithshme kolektive. Natyrisht, e mira kolektive zakonisht është pasqyru pak më shumë tek të privilegjuarit, po kjo është fer, apo jo?

Para se me ia jepë vetës t’drejtën me folë në emër të “Popullit”, hajde vetëm t’ia lëshojmë një sy rezultateve të zgjedhjeve të kaluara.

Prej 1,799,023 votuesve të regjistruar:

222,181 – PDK (me koalicion)

184,596 – LDK

99,397 – VV

69,793 – AAK

38,199 – SRPSKA

37,681 – NISMA

Çka po du me e qitë n’pah nuk është raporti i përqindjeve t’votave në mes të partive, por fakti që janë mbi 1,000,000 votues t’regjistruar që nuk kanë marrë pjesë hiç n’zgjedhje.

1,000,000!

NJË

MILI

ON!

Edhe nëse listat janë t’pasakta e gjysma e atyre votuesve të regjistruar nuk janë gjallë, prapë me pjesën që mbetë barazohesh ëme numrin e votave të tri partive të para. Edhe me çerekun e këtyre votuesve prap kishe qenë partia e parë.

Prej kësaj gjendjeje mundemi me i pasë vetëm dy konkludime: ose votuesit jonë budallë, ose krejt politologët, ekspertët e analistët që çdo ditë na iluminojnë në televizione, portale, gazeta e rrjete sociale, nuk janë në gjendje të ofrojë diçka substanciale për me e meritu kokrrën e njëmilionshit që nuk voton.

Fillimisht, duke e pasë parasysh se më pak se një e treta e popullsisë së Kosovës jeton në zona urbane, ndoshta nuk është edhe aq ide e mirë me qenë përjashtues ndaj katunarëve.

Nuk ka arrogancë më të madhe se vazhdimisht me i përdorë fjalët Drenicë, Malishevë a Deçan në mënyrë nënçmuese e me pritë në zgjedhje rezultate ndryshe prej këtyre që kanë qenë deri sot. Kjo nuk është se ata votues nuk dinë më mirë, por për shkak se atyre votuesve nuk u është ofruar asgjë më mirë deri sot. Në njëfarë mënyre po i bie, unë nuk kam borxh ndaj katunarëve po ata m’kanë borxh me votu sipas dëshirës time.

Në anën tjetër, gjatë debatit për President, më shumë është diskutuar për mendimet hipotetike të të vdekurve në lidhje me marrëveshjet që bëhen sot, se për ndikimin që ato e kanë për brezat e ardhshëm. Ishte problem më i madh se çka kish me thonë Rugova, se fakti që pleqnia e kryesisë së LDK-së e ka mbyllë derën për njerëz të rinj, gjë që më së shumti ia ka dhënë teposhtëzën.

Sa për kujtim, ata fëmijë që kanë lindë në vitin 2000 kanë me marrë pjesë për herë të parë në zgjedhje në vitin 2018.

E nderuara shtresa ma e mençur e Kosovës, hapësirë për me ndërtu diçka t’mirë ka me bollëk. Aty nuk t’ndalë as SHIK-u, as shantazhet, as Amerika, as Evropa. Aty t’ndalë vetëm mungesa e vullnetit me i grahë punës. Është shumë më lehtë vetëm me jepë mendime (si unë në këtë rast) duke i përbuzë shprehjet e atyre që ta morën “qUtetin”.

Arritjet e Hashim Thaçit nuk janë rezultat i zgjuarsisë së tij, por pasojë e paaftësisë të të tjerëve. I kemi 5 vjet fore me i grahë, nëse dojmë që heren tjetër me e zgjedhë një president ma t’mirë.

S’kemi ku me ikë, koha e Partisë së Fortë po vjen…

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.