Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fëmijët nuk t’i fali

Në botën (time) ideale sistemi arsimor në Kosovë do të ishte dygjuhësh, do të mësoja për multiperspektivën histroike, kulturore, fetare dhe gjuhësore, ndërsa bazë do ta kisha tolerancën si synimin përfundimtar të dijes. Megjithatë, bota ideale nuk ekziston, dhe versionet tona të botës dallojnë, e kjo do ta bënte çdo bisedë rraskapitëse dhe joproduktive pa nevojë, prandaj është më mirë që ajo të orientohet në një drejtim tjetër – në drejtim të realitetit, të pasojave të tij dhe të hapave të ardhshme potenciale. Andaj, në vend se të merrem me botët imagjinare, këtu dëshiroj të flas për një botë të njëmendtë, më të njëmendtën se krejt të tjerat – për frikën e një komuniteti se fëmijët e tyre do ta humbin identitetin, të ardhmen akademike dhe të drejtën e votës, dhe me këtë të bëhen të huaj edhe ndaj vetvetes.

Rëndësia dhe roli i arsimit në Kosovë, dhe lidhja e tij me identitetin nacional nuk është çështje e re, dhe ajo daton që nga vitet ’90, kur komuniteti shqiptar krijoi sistemin arsimor në gjuhën shqipe, duke iu kundërvënë sistemit të atëhershëm zyrtar të arsimit. Të mirremi vesh – këtu nuk po them (në)se sistemi arsimor i komunitetit shqiptar në Kosovë në vitet ’90 dhe sistemi arsimor i komunitetit serb në Kosovë aktualisht janë të njëjtë në aspektin legal/politik/ekononik, por po flas për rolin që këto sisteme arsimore kanë tek ata të cilët marrin pjesë në të, apo tek ata të cilët e refuzojnë. Arsimi nuk është veç marrje e rëndomtë e informatave; arsimi, na pëlqeu apo jo, është mekanizëm për formimin e identitetit nacional, fetar, e madje edhe politik, dhe roli i tij socio-kulturor nuk duhet shpërfillur. Duke u nisur nga kjo, përfaqësuesit politikë me mjeshtëri u ikin diskutimeve rreth temës së arsimit, pasi që çdo koment i tyre potencialisht mund të prodhojë reagime të mëdha nga të gjitha anët. Në anën tjetër, edhe kur flasin, narrativat e tyre janë të karakterit përgjithësues dhe ato pasqyrojnë vetëm qëndrime politike, pa arsyetime të hollësishme, pa fakte e propozime. Prandaj nuk është për t’u habitur që njëra prej frikave më të mëdha të komunitetit serb është pikërisht e ardhmja e arsimit në gjuhën serbe; sepse terri në të cilin aktualisht gjendet është si vilajet i errët – pa marrë parasysh skenarin, pendimi është i pashmangshëm.

Në anën tjetër, frika është më se e arsyeshme kur merren parasysh çështjet teknike të cilat imponohen kur hapet çështja e arsimit – çka fitohet, çka humbet, dhe kush fiton e kush humb. Në njërën anë ekziston sistemi arsimor i cili, me gjithë mangësitë dhe nevojat, është pjesë e hapësirës europiane të arsimit të lartë (që njihet më mirë si Sistemi i Bolonjës) derisa sistemi arsimor i Kosovës, edhe pse përpiqet t’i ndjekë trendet europiane, nuk është i tillë; rezultatet e testit të PISA-s të përfaqësuesve të sistemit arsimor serb, megjithëse nuk janë më të mira të mundshme, janë megjithatë shumë më të mira se rezultatet e përfaqësuesve të sistemit arsimor të Kosovës; rezultatet dhe të arriturat e nxënësve dhe studentëve të sistemit arsimor serb në gara ndërkombëtare janë shumë më të mëdha sesa rezultatet dhe të arriturat e nxënësve dhe studentëve të sistemit arsimor të Kosovës. Pra, komuniteti serb, përveç arsyeve të lartpërmendura, të cilat shpesh konsiderohen si “perspektivë emocionale”, ka edhe arsye plotësisht “racionale” për t’u frikësuar, të cilat bazohen në cilësinë e arsimit i cili do të jetë në dispozicion të fëmijëve të tyre. si dhe në mundësitë për sukses që ata do t’i kenë me zbatimin e atij arsimi.

Krejt kjo nuk do të thotë se status kuoja është zgjidhje, por se zgjidhja duhet gjetur në përputhje me nevojat e shfrytëzuesve, në këtë rast komunitetit serb, sepse sistemi arsimor, si çdo sistem tjetër publik, ekziston për hir të shfrytëzuesve, dhe jo e kundërta.  Dhe pikërisht kjo është ajo që vetë komunitetit do t’i krijojë besim në përfaqësuesit publikë – fakti se ata dhe nevojat e pritjet e tyre janë në rend të parë, dhe se çdo veprim është i motivuar me dëshirën që komunitetit t’i përmbushen nevojat dhe t’i realizohen pritjet. Për sa kohë që dy qeveritë punojnë për ta penguar njëra-tjetrën, njëra duke dashur ta kundërshtojë shtetësinë e tjetrës, e tjetra duke provuar ta riafirmojë atë me integrim të dhunshëm, komuniteti do të mbetet diku në mes, duke mos ia dhënë besimin e vet, dhë fëmijët e vet, askujt.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.