Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ferma e kafshëve

Unë jam e llastuar. Nuk di as kur dhe as si jam bërë kështu, por e di se jam e llastuar. Dhe jo si “fëmija i përkëdhelur”, e as si studentja nga provinca, por si përfaqësuesja e shoqërisë civile, apo e organizatave joqeveritare. E llastuar sepse mund të punoj atë që dua, e llastuar sepse e kam orarin e punës dhe pushimet sipas qejfit, dhe mbi të gjithat, e llastuar sepse mendoj se jam “më e mirë” se ju. O, jam aq “më e mirë” se ju saqë nuk di nga t’ia filloj. Kam përfunduar studimet e nivelit master si një prej studenteve të gjeneratës dhe jam duke punuar në masterin e dytë jashtë vendit me bursë të plotë, jam liberale, derisa ju jeni konservativë dhe primitivë; jam vegjetariane, derisa ju hani kafshë të vdekura; jam ateiste, derisa ju besoni se në qiell është një person imagjinar i cili është aty për të vendosur drejtësinë përfunduare (ku ju, të mirremi vesh, do ta nxjerrni anën më të mirë). Ju tingëllon kjo si diçka që e keni dëgjuar më parë? Ju tingëllon kjo si një grumbull personash “të sektorit të tretë” të cilët mendojnë se janë shumë “më të mirë” se ju, derisa ju thonë se ata janë aty për ju dhe se interesat e tyre janë interesat tuaj?

Kur nisa të punoj për organizatat joqeveritare, fillova me një imazh jodjallëzor imagjinaro-idealist në kokë se të gjithë po më prisnin veç mua që ta shpëtoja jetën. Epo mirë, mbase jo gjithë botën, por të paktën këtë botën tonë të vogël, ballkanike. Pesë vjet më vonë, kuptova se i ashtuquajturi sektori i tretë është poashtu i ndyrë si çdo sektor tjetër, e më së shumti si ai për opozitën e të cilit pozicionohet – pra ai politik. Dhe atë jo vetëm për shkak të mënyrës së brendshme të veprimtarisë dhe të punës, por për shkak të përfaqësimit të rrejshëm në bazë të të cilit ndërton imazhin dhe në bazë të të cilit më vonë kërkon dhe fiton pozitë të rëndësishme socio-politike.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shpesh publikisht marrin qëndrime me të cilat shumica e qytetarëve zor se mund të identifikohen apo madje t’i kuptojnë. Themi se nevojiten reformat, para së gjithash në formë të pajtimit të komuniteteve, dhe se ata janë “njerëzit të cilët ne po i presim”, e krejt rastësisht fusim nganjë qëndrim nacionalist ku e zgjidhim të kaluarën duke e kuantifikuar më intimen – emocionet njerëzore, numrin e viktimave, apo u themi të tjerëve se janë vetjakë. Themi se e mbështesim komunitetin LGBT dhe të drejtën e tyre për martesë dhe fëmijë, e në bisedat private na shpëton “veç fëmija im të mos jetë AJO”. Flasim për tolerancën fetare e urinojmë mbi shenjtëritë e “huaja” dhe i përqeshim praktikat e “huaja” fetare siç është ushqimi apo veshmbathja.  Themi se luftojmë për të drejtat e njeriut, e në fakt luftojmë për të drejtat e serbëve/shqiptarëve, derisa komunitetet tjera nuk na interesojnë, sepse nuk janë “ne”.

Me hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e tillë ne ende presim t’i sjellim komunitetet të cilat i “përfaqësojmë” deri te vendi tek i cili as ne nuk kemi arritur. Deri te vendi i së vërtetës. Deri te vendi i pranimit të vetvetes së njëmendtë, e jo imagjinare. Jo vetvetes imagjinare të përshtatur dhe të formësuar sipas pritjeve të të tjerëve – sistemit arsimor, sektorit civil, bashkësisë ndërkombëtare – e cila e ka luajtur rolin aq mirë, saqë maska gati se nuk vërehet. Sepse ai soji jonë i zhveshur, i sinqertë, nuk është hiç më i mirë se soji juaj i sinqertë, dhe çka na e jep të drejtën që pikërisht ne të jemi ata të cilët do të ju përndritin dhe nxjerrin në rrugën e faljes, tolerancës dhe dashurisë? Të drejtën do ta fitojmë vetëm nëse në vend se ta gënjejmë veten dhe juve se jemi më të mirë, të pranojmë se nuk është ashtu, të dalim nga roli i të rrëfyesit të gjithëditur i cili e ballkanizon vetveten, dhe t’jua kërkojmë dorën, që bashkërisht ta gjejmë rrugëdaljen nga terri.

P.S.: Me këtë tekst nuk dëshiroj të them se të gjitha organizatat joqeveritare, apo të gjitha projektet e organizatave joqeveritare janë “investimi i huçur”, por e ndiej nevojën ta shkundi veten, gjegjësisht neve, sepse vetëm ashtu mund t’ju kthehemi atyre idealeve dhe vlerave për të cilat edhe kemi filluar të merremi me këtë punë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.