Fitimi, një burrë rreth të dyzetave që punon në një organizatë të huaj në Kosovë e thirr në telefon të riun, me firmën e të cilit kishte kohë që po bashkëpunonin për çështje marketingu dhe i kërkoi ta pinë nga një kafe bashkë. Jashtë zyrës.
“Jeta është e vështirë”, filloi Fitimi “në Kosovë mezi ia dalim me pagat që marrim. Ka shumë obligime, s’jetohet! S’di a po m’kupton? Ti je i ri, biznesi është i randë. Konkurrenca goxha e fortë për të rinjtë si puna juaj. Unë du me përkrahë rininë. Po du me ua dhanë një mundësi. Që don me vazhdu me të dhanë unë punë, duhesh me i fry kapak ofertat, me i rritë çmimet në fatura. Ti nuk humb kurgja. Mos të vjen keq, se në fund të fundit edhe këta t’huejt po vjedhin! S’janë paret e shtetit tonë, po të shtetit tyne. Krejt qashtu ia bojnë, ndryshe s’të ecë në Kosovë.”
Kur mendojmë për korrupsionin, para syve na shfaqen imazhe të zyrtarëve shtetëror që manipulojnë me tenderë milionësh, që marrin rryshfet për dhënie të licencave apo lejeve të ndërtimit.
Mirëpo, edhe njerëzit e “vegjël” sikur Fitimi janë të korruptuar, kur të kërkojnë përfshirjen e provizioneve dhe përqindjeve në oferta për shtypjen e posterave për një konferencë, apo rezervimin e një salle konferencash me çmim më të lartë se të tregut. Rastet e korrupsionit vështirë zbulohen. Po aq i vështirë është analizimi i sjelljeve korruptive. Kërkesat dhe ofertat për t’u involvuar në akte korruptive nuk denoncohen, heshten, mbahen të fshehta.
I riu i tregimit tim, nuk pranoi të bëhet pjesë e lojës së Fitimit. Përgjigjja që mori Fitimi ishte një “Jo” e prerë. Duke refuzuar “ofertën” u vulos edhe e ardhmja e bashkëpunimit ndërmjet organizatës së huaj dhe ndërmarrjes së re. Të rinjtë kreativë e me vullnet të jashtëzakonshëm për punë nuk u morën asnjëherë më parasysh për të ofruar shërbime marketingu për organizatën ku punon Fitimi.
Meqë nuk pranuan të bëhen pjesë e lojës, dolën nga biznesi me klientin e tyre më të mirë. Kështu u ndodh shumë firmave, që u kundërvihen praktikave të tilla. Mirëpo, në vend të raportimit zgjedhin heshtjen.
Motivi që e shtyn Fitimin të veprojë në këtë mënyrë nuk është varfëria. Fitimin e shtyn epshi për të ushtruar pushtet përmes pozitës së tij: kur kushtëzon dhe negocion për përqindjen e tij qenia e tij dehet nga ndjenja që i jep fuqia që ai ushtron mbi tjetrin dhe i gëzohet faktit që përvetëson pasuri pa mund dhe pa rreziqe. Fitimi e din që gjasat, që dikush t’i zbulojë veprimet e tij korruptive janë pothuajse zero. Pse, a mos pat ndonjë person që u dënua pse ka kërkuar apo ka dhënë rryshfet? Kush do ta merrte guximin ta raportonte Fitimin? Si do të mund të dëshmohej që ai bën marrëveshje të tilla?
Fitimi është burrë pa kurriz, pa moral, pa fytyrë, njeri i ulët. Njerëzve si ai nuk u bëhet vonë që me kërkesat e tyre për pasurim personal vazhdojnë ta kultivojnë korrupsionin edhe te brezat e rinj. Ua imponojnë ndërmarrjeve të reja t’u nënshtrohen praktikave të tij.
Fitimit nuk i intereson që u vë pengesa dhe i demoralizon plot të rinj e të reja që duan të punojnë fer, që nuk duan të bëhen pjesë e lojës së tij të ndyrë. Përkundrazi, ai i arsyeton veprimet e veta. I duket që po kontribuon në fuqizimin e ekonomisë lokale.
Njerëz si Fitimi, që punojnë në zyrë të prokurimit edhe manipulojnë me tendera të vegjël e të mëdhenj, duke bërë marrëveshje të fshehta e duke kërkuar oferta me çmime joreale ka kudo në OJQ-të vendore e të huaja, nëpër Ministri, në Komuna e në kompani private e publike.
Duke mos e raportuar Fitimin, qoftë edhe te punëdhënësi i tij, atij i japim më shumë pushtet dhe nuk ia ushqejmë vetëm egon, por edhe xhepin.