Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fluturimi i çmimit të biletave

Pse numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është në rënie? Pse biletat për dhe nga Prishtina janë të shtrenjta? Pse gjithnjë e më shumë po udhëtojmë përmes Shkupit? Përgjigjet në këto pyetje janë të ndërlidhura dhe kanë të bëjnë me menaxhimin e sektorit të transportit ajror, apo, thënë më mirë, me keqmenaxhimin e aeroportit të mbështetur nga keqmenaxhimi i mbikëqyrjes së shtetit.

Në vitin 2014, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka qenë i vetmi aeroport në rajon që ka shënuar rënie prej 12% në numrin e udhëtarëve. Për vitin 2015 edhe pse ka pasur rritje në raport me 2014, numri i udhëtarëve është ende më i ulët sesa ishte në 2014. Kjo gjithnjë duke iu referuar statistikave të publikuara në www.anna.aero, sepse Aeroporti i Prishtinës qëllimisht nuk i publikon statistikat.

Image

 

Në një hulumtim të bërë gjatë këtij viti, ku është analizuar procesi i koncesionimit, performanca e operatorit privat si dhe mbikëqyrja e kontratës së koncesionimit nga Qeveria e Kosovës, janë identifikuar disa fusha, ku qeveria ka dështuar në mbrotjen e interesit publik dhe në zbatimin e kushteve të kontratës me operatorin privat, prej të cilave këtu duhet përmendur:

Përzgjedhja e kompanisë turke, edhe pse kjo nuk kishte përvojë në menaxhimin e Aeroportit
Praktikat e kompanisë LIMAK në kundërshtime me tregun e lirë, dhe keqpërdorime të pozitës monopolistike
Moszbatim i kontratës për ndërtimin e aeroportit sipas standardeve ndërkombëtare dhe mosrespektimi i afateve kohore për ndërtimin e tij
Mosmbikëqyrja e kontratës nga qeveria e Kosovës
Ndikimet politike në menaxhimin e aeroportit
Largimi i kompanive ajrore prestigjioze nga aeroporti, etj.

Këto gjetje së bashku me rekomandimet duhet të kishin nisur veprimet konkrete nga qeveria për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të koncesionimit dhe mbrojtjen e interesit publik, por që deri më tani nuk i kemi parë të ndodhë ndonjë përmirësim i kësaj situate.

Prej koncesionimit, Aeroporti i Prishtinës jo vetëm që nuk ka arritur të sjellë kompani të reja por përkundrazi me veprimet e tij ka larguar kompanitë ajrore, kompani të cilat kanë operuar me vite, janë larguar ose thënë më mirë janë detyruar të largohen; rast tipik i kësaj dukurie është largimi i kompanisë prestigjioze British Airways e cila ishte larguar pasi që kishe hasë në disa pengesa nga udhëheqësit e Aeroportit. Nuk mungojnë raste të tjera ku kompanitë ajrore janë ankuar se si aeroporti i Prishtinës është duke favorizuar kompanitë e caktuara ajrore e të afërta me LIMAK-un ose që fluturojnë në linja të caktuara (aeroporte në Turqi në pronë të kompanisë LIMAK) dhe e gjitha kjo krijon kushte për konkurrencë të dobët.

Rasti i largimit të kompanive si British Airways nuk mund të shihet si rast i izoluar, pasi që kjo shërben si shembull për çdo kompani tjetër e cila vlerëson mundësinë për të hyrë në tregun e Kosovës. Me fjalë të tjera kjo rritë riskun që kompanitë marrin në rast se hyjnë në treg. Një kompani që operon në aeroportin e Prishtinës duhet të llogaritë mundësinë se mund të pengohet nga Aeroporti në çdo kohë, dhe, kjo reflekton në caktim të çmimeve të larta ashtu që të kompensojnë riskun; në parim kompanitë kërkojnë fitime më të larta si kundërshpërblim.

Përveç praktikave të aeroportit, në rritjen e riskut kontribuojnë edhe institucionet të cilat kanë detyrë për të mbrojtur tregun por që nuk e bëjnë si duhet për shkak të keqpërdorimeve. Thuajse çdo vit, 2-3 kompani fiktive hyjnë në treg – shesin bileta e pastaj i lënë udhëtarët në rrugë – si rezultat i lëshimeve nga institucionet e shtetit të thirrur për të mbrojtur udhëtarët. Kjo përveç që dëmton udhëtarët është tregues i riskut për kompanitë tjera të cilat, kur operojnë në tregun e Kosovës duhet të llogarisin edhe konkurrencën nga ana e kompanive fiktive që merren me mashtrime. Ky nivel i lartë i  riskut është vetëm njëri ndër faktorët që sjell çmime të larta të biletave për pasagjerët.

Çmimet për shërbime në Aeroportin e Prishtinës janë ndër më të lartat, duke filluar nga tarifat (taksat) e pa arsyeshmeve që paguajnë pasagjerët sa herë që udhëtojnë, deri tek çmimet për kafe në terminal ose për metër katrorë të qirasë. Secili udhëtar që udhëton përmes aeroportit paguan 20.53 Euro taksa, kjo pa përfshirë pagesat që kompanitë ajrore i bëjnë për shërbimet e aterimit, handlingut, etj. Vetëm për shërbimin e sigurimit paguhen 6 euro për secilin udhëtar, që i bie se rreth 5 milion euro pasagjerët i paguajnë veç për shërbimin e sigurimit, e që sipas rregullave tëe ICAO ( International Civil Aviation Organisation) janë të caktuara padrejtësisht dhe përtej kostove për ofrimin e këtij shërbimi.

Përveç çmimeve direkte, shërbimet përcjellëse të ofruara në aeroportin e Prishtinës janë po ashtu të monopolizuara skajshëm, duke u lejuar disa kompanive të privilegjuara në aeroport të fitojnë maksimalisht mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Ndër shërbimet e monopolizuara që drejtpërdrejtë ndikon në koston e lartë të kompanive ajrore dhe respektivisht në çmimin e biletave është rasti i furnizimit të aeroplanëve me lëndë djegëse. Menjëherë pas koncesionimit të aeroportit të Prishtinës, LIMAK me shpejtësi kishte larguar furnizuesit e atëhershëm,  kompaninë me famë botërore Air BP, dhe kishte kontraktuar si furnizues të vetëm një kompaninë vendore. Kjo kompani tash cakton çmimet e kerozinës sipas dëshirës së vet dhe pa asnjë mbikëqyrje. Të gjitha aeroportet në rajon kanë më shumë se një furnizues me kerozinë në aeroport, vetëm Aeroporti i Prishtinës e ka të monopolizuar këtë shërbim shumë të rëndësishëm!

Aeroporti i Prishtinës është Monopol dhe  keqpërdorimi i pozitës nga një kompani private duke mos respektuar rregullat e tregut të lirë, mund t’i sigurojnë fitime maksimale atij që manipulon me ketë monopol por kurrsesi publikut dhe interesit publik. Rënia  e numrit të udhëtarëve dhe çmimi i lartë i biletave në aeroport është tregues i qartë i keqmenaxhimit në sektorin e aviacionit civil në përgjithësi, si nga kompania menaxhuese e aeroportit ashtu edhe nga institucionet qeveritare që kanë për detyrë të mbikëqyrin kontratën e koncesionimit, dhe të sigurojnë funksionimin e tregut të lirë, konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.