Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Fondi Zhvillimor për komunat në veri të Kosovës: një hap pozitiv, por i pavërejtur

Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit (FZhM) për komunat në veri të Kosovës u krijua më 2013, si një ndër marrëveshjet e dakorduara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi i FZhM-së është të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik dhe integrimin e katër komunave veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan.

FZhM-ja është një nga rezultatet e negociatave qe ka pasur efekt direkt në mirëqenien e qytetarëve në veri të vendit dhe ka kontribuar direkt në bashkëpunimin mes komunave veriore dhe institucioneve qendrore dhe integrimin e qytetarëve serbë. Me gjithë zbatimin e suksesshëm dhe rezultatet pozitive, FZhM-ja nuk është pjesë e diskursit publik dhe qytetarët nuk duket se kanë shumë njohuri për të.

Prandaj, është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës ta promovojë punën e FZhM-së dhe ta përdorë atë në favorin e saj si storje suksesi në dialogun Kosovë-Serbi.

Si funksionon FZhM-ja?

Sipas marrëveshjes, FZhM-ja financohet nga tarifat doganore të mbledhura në vendkalimet kufitare në veri të vendit, Jarinje dhe Bërnjak. Qëllimi i tij është të ofrojë grante për projekte të ndryshme nga komunat përkatëse në fushën e infrastrukturës, shërbimeve sociale, ngritjen e kapaciteteve institucionale, kulturës, sportit dhe bujqësisë.

Fondi menaxhohet nga një bord menaxhues i udhëhequr nga përfaqësuesi special/Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, me pjesëmarrës ministrin e Financave të Kosovës dhe një përfaqësues nga komuniteti serb nga komunat në veri. Ky bord është përgjegjës për përcaktimin e drejtimit strategjik, miratimin e projekteve, monitorimin e zbatimit dhe raportimin e rezultateve.

Fondi ofron grante për projekte të ndryshme të propozuara nga komunat, si infrastruktura, shërbimet sociale, ngritja e kapaciteteve institucionale, zbutja e varfërisë, kultura, sporti dhe bujqësia. Fondi është i hapur për aplikime nga komunat në çdo moment, për sa kohë që ka burime të mjaftueshme në dispozicion. Financohet nga tarifat doganore të mbledhura në vendkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak, të cilat ndodhen në veri të Kosovës dhe e lidhin atë me Serbinë.

Shuma e fondit është mesatarisht 2.55 milionë euro në vit, në bazë të të dhënave nga 2013 deri në vitin 2019, viti i fundit për të cilin ka të dhëna. Disa shembuj të projekteve të financuara nga fondi janë, ekspropriimi i tokës për ndërtimin e ndërtesës së re komunale, ndërtimi i stacionit të zjarrfikësve, themelimi i Institutit Kulturor Rajonal, ndihma për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, dhe në bujqësi ndërtimi i një qendre rinore dhe i një pishine të brendshme, furnizimi i një çerdheje, dhe projekte të tjera.

Cilat janë rezultatet e FZhM-së?

Sipas një studimi nga instituti INTER, mund të thuhet se Fondi ka kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve në katër komunat veriore, duke ofruar infrastrukturë më të mirë, shërbime sociale, ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe zbutjen e varfërisë.

Gjithashtu, Fondi ka mbështetur edhe aktivitetet kulturore e sportive të komuniteteve, si dhe zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe zhvillimin e bujqësisë. Fondi ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të komunave veriore, veçanërisht në drejtim të hapjes së vendeve të reja të punës, rritjes së të ardhurave dhe përmirësimit të konkurrencës.

Ka indikacione që Fondi ka përmirësuar bashkëpunimin dhe besimin ndërmjet komunave dhe institucioneve qendrore, si dhe ndërmjet komunave dhe BE-së. Fondi ka rritur pranimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në lidhje me integrimin e mbrojtjes civile, gjyqësorit dhe policisë.

Fondi ka pasur ndikim pozitiv edhe në integrimin e komunave veriore në kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Po ashtu, Fondi ka rritur dukshmërinë e BE-së në komunat veriore dhe ka rritur besueshmërinë dhe legjitimitetin e saj midis qytetarëve. Ironikisht, siç duket, meritat për fondin më shumë i merr BE-ja sesa shteti i Kosovës.

Cilat janë problemet e FZhM-së?

Një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Fondi është mungesa e transparencës. Nuk dihet se kush ka përfituar saktësisht nga projektet e fondit dhe se sa ka qenë në dispozicion buxheti i fondit për qasje nga biznese të lidhura me strukturat paralele e kriminale në veri.

Nuk ka asnjë informatë për përfshirjen dhe përfitimin e komuniteteve që janë pakicë në ato komuna dhe nuk duhet se sa është i vërtetë fakti se fondet janë përdorur në shërbim të projekteve zhvillimore.

Nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) mësojmë se ka mjaft probleme në funksionimin e Fondit. Nga problemet kryesore është mospasja e mbikëqyrjes së mirëfilltë, për shkak të mosmbajtjes së takimeve të rregullta të Bordit dhe mungesës së raportimit. Po ashtu, ZKA ka gjetur se komunat nuk ishin mjaft efikase në vënien në dispozicion të projekteve, e në disa raste as efektive, pra nuk ishin përfunduar të gjitha projektet, ose kishin kushtuar më shumë sesa ishte paraparë.

Si duhet të përdoret FZhM-ja në favor të Kosovës?

Ekzistimi i Fondit si dhe mënyra e funksionimit të tij mund të luajnë një rol pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike, si dhe në negociatat Kosovë-Serbi. Prandaj, është e domosdoshme që Kosova të bëjë më shumë për t’i rritur njohuritë e qytetarëve mbi të dhe ta përdorë atë si avantazh në negociatat me Serbinë.

Një nga mënyrat për të rritur vetëdijen për Fondin është të krijohet një prezencë online nëpërmjet një faqeje interneti ose një platforme në media sociale, ku mund të shfaqen arritjet dhe përfitimet e Fondit për komunitetet.

Gjithashtu, mund të organizohen ngjarje dhe fushata publike për të promovuar Fondin dhe aktivitetet e tij. Një tjetër mënyrë është të angazhohen akterë lokalë që të bashkëpunojnë me Fondin dhe të ndajnë informacion rreth tij në rrjetet e tyre. Dhe një mënyrë tjetër është të ofrohen mekanizma transparentë dhe llogaridhënës për menaxhimin dhe zbatimin e Fondit.

Fondi është një rezultat rëndësishëm i dialogut, por duhet të potencohet nga ana kosovare për të mos u injoruar ky koncesion i deritanishëm. Themelimi i Fondit duhet të përfaqësohet si dëshmi për përkushtimin e Kosovës ndaj komunitetit serb dhe kështu për të avancuar procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.