Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Humbjet enorme të buxhetit të Kosovës ndër vite si pasojë e shpenzimeve tatimore

Ilustrimi: Big Eye

Mënyra tradicionale e të menduarit se si shtetet financojnë projekte kapitale është si vijon: Së pari, qeveritë mbledhin të ardhura (përmes taksave, huamarrjes, pagesave, dhe gjobave) dhe më pas këto të ardhura shpenzohen përmes procesit buxhetor.

Megjithatë, qeveritë mund të zgjedhin të mbështesin sektorë të ndryshëm ekonomikë, aktivitete, ose grupe tatimpaguesish edhe nëpërmjet trajtimit preferencial tatimor, p.sh., përmes përjashtimeve, zbritjeve, kredive tatimore, normave të reduktuara tatimore, si dhe formave të tjera të shpenzimeve tatimore.

Shpenzimet tatimore i referohen të ardhurave të mundshme prej të cilave shteti heq dorë për të ndihmuar grupe të ndryshme të popullsisë apo sektorë të ndryshëm ekonomikë, të cilat në një mënyrë apo tjetër ato janë një formë shpenzimi.

Mirëpo, ndryshe nga shpenzimet direkte (pagat për punonjës publik, financimi i projekteve infrastrukturore, etj.), përdorimi i shpenzimeve tatimore është shpesh i fshehur nga syri i publikut. Në përgjithësi, shumica e programeve të shpenzimeve direkte duhet të kalojnë përmes procesit buxhetor dhe çdo vit i nënshtrohen shqyrtimit publik gjatë debateve në parlament dhe në media.

Nga ana tjetër, shpenzimet tatimore mund të qëndrojnë lehtësisht nën radar pasi ato miratohen vetëm një herë dhe më pas nuk debatohen më. Në këtë mënyrë, këto të fundit mund të shpien në shpërndarje të gabuar të burimeve financiare të shtetit.

Sa para humb Kosova përmes shpenzimeve tatimore?

Në kohën kur arka e shtetit ka kërkesa shtesë për ta financuar luftën kundër pandemisë COVID-19 e probleme të tjera sikurse kriza e energjetike e ngritja e çmimeve, reformimi apo pezullimi i disa prej lehtësimeve tatimore do t’i ofronte qeverisë të ardhura shtesë për të kryer detyrat e saj.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e di se sa të ardhura humbë nga shpenzimet tatimore. Kështu, Kosova i bashkëngjitet Bjellorusisë, Bosnjës, Kroacisë, Malit të Zi, Moldavisë, e Serbisë si vendet e vetme në Evropë që nuk vlerësojnë dhe raportojnë të humburat buxhetore si pasojë e lehtësimeve tatimore.

Këto të ardhura të humbura mund të arrijnë shifra tejet të mëdha. Mesatarisht, rreth 4% e bruto produktit të brendshëm [PBB] të vendeve të ndryshme të botës dhe 25% e të ardhurave tatimore të tyre humbin si pasojë e lirimeve nga tatimet për grupe të ndryshme individësh apo kompanish. Mesatarja është e përafërt edhe kur shikohen vetëm vendet e Ballkanit (shiko figurën e mëposhtme). Në Maqedoni të Veriut, raporti fillestar i shpenzimeve tatimore i publikuar në tetor të këtij viti, zbuloi se shpenzimet tatimore i kushtojnë këtij shteti rreth 300 milionë euro në vit (rreth 3% e PBB). Në Shqipëri, raporti i fundit i detajuar i shpenzimeve tatimore, publikuar në 2021, vlerësoi se arka e Shqipërisë humb mbi 700 milionë euro në vit si pasojë e lirimeve dhe përjashtimeve nga tatimet (5.4% e PBB). Në të dy vendet, shumica e këtyre shpenzimeve erdhi si pasojë e lirimeve të ndryshme nga TVSH-ja. Në Shqipëri, lirimi nga TVSH-ja i administratës publike dhe i disa shërbimeve në sektorin e patundshmërisë, me rreth 100 milionë euro secila, ishin ndër shpenzuesit më të mëdhenj.

Image

Burimi: Punuar nga autori, bazuar në të dhëna nga www.GTED.net

Nëse Kosova është afër kësaj mesatareje, mund të konstatojmë se ajo humbë mes 200 dhe 300 milionë euro në vit. Mirëpo, shifrat e sakta mund të konstatohen vetëm nga Qeveria e Kosovës, e cila deri më tash nuk e ka vlerësuar dëmin që lehtësimet tatimore i shkaktojnë arkës së shtetit.

Pse Qeveria duhet t’i vlerësojë shpenzimet tatimore?

Vlerësimi i këtyre shpenzimeve është i domosdoshëm për disa arsye. Fillimisht, megjithës disa lehtësime tatimore janë të domosdoshme, si për shembull, në Shqipëri, lirimi nga TVSH-ja i produkteve ushqimore, disa të tjera, siç janë lirimi i deputetëve të Parlamentit shqiptar nga TVSH-ja (që i kushtoi shtetit mbi 76 mijë euro në vitin 2015), janë më pak të arsyeshme dhe kanë nevojë të reformohen.

Vlerësimi i shpenzimeve tatimore, përveçse është i dobishëm në aspektin ekonomik, është i rëndësishëm edhe në procesin politik të integrimit europian. Bashkimi Europian (BE), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), dhe Banka Botërore vazhdimisht bëjnë thirrje për transparencë të shtuar sa i përket shpenzimeve tatimore. Raporti i fundit i FMN-së për Kosovën, i publikuar këtë vit, i bënë thirrje qeverisë për të vlerësuar dhe raportuar shpenzimet e saj tatimore. Gjithashtu, BE-ja që nga viti 2011 kërkon që të gjitha vendet anëtare dhe kandiduese të saj të fillojnë të përgatisin raporte të detajuara të shpenzimeve tatimore.

Andaj, vlerësimi, raportimi, dhe përfundimisht, reformimi i shpenzimeve tatimore është hap i domosdoshëm për Kosovën të cilin Qeveria Kurti duhet ta përdorë për ta pasuruar arkën e shtetit duke ndaluar lehtësimet e panevojshme nga tatimet.

Për të reformuar shpenzimet tatimore, Ministria e Financave duhet të marrë për bazë pesë hapa konkretë. Së pari, ta shqyrtojë legjislacionin tatimor për të shqyrtuar të gjitha klauzolat ligjore që ofrojnë lirime tatimore. Së dyti, të vlerësojë se sa para çon dëm buxheti i shtetit nga këto lirime tatimore (duke përdorur deklaratat vjetore tatimore si dhe metoda të tjera statistikore). Hapi tjetër do të ishte vlerësimi se cilat janë qëllimet e këtyre shpenzimeve tatimore, e pastaj vlerësimi se a i kanë arritur caqet këto shpenzime tatimore. Dhe në fund, të reformojë apo mënjanojë ato shpenzime tatimore që nuk i përmbushin qëllimet e synuara.

Ndërmarrja e këtij procesi do të dëshmonte në mënyrë të qartë se qeveria po përpiqet seriozisht t’i zbatojë premtimet elektorale për kursimin e parasë publike.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.