Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ikja nga problemet: idetë e gabuara për vetëmjekim përmes substancave

Çrregullimet e Disponimit dhe Ankthit janë ndër problemet më të përhapura të natyrës psikologjike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (2020), më shumë se 264 milionë njerëz në botë vuajnë nga depresioni. Si dhe 1 në 13 njerëz në botë përjeton ankth. Në Etiologjinë e depresionit e ankthit kontribuojnë faktorë të shumtë, duke filluar nga predispozita gjenetike, disbalancet kimike, ndryshime strukturore e funksionale në zona të ndryshme të trurit e deri te roli i ambientit, përjetimi i ngjarjeve stresuese e stili i jetës, si dhe interaksionet në mes të gjithë këtyre faktorëve. Me zhvillimin e shkencës dhe të përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur trajtimet më të përshtatshme, këto probleme të natyrës mendore janë të menaxhueshme, qoftë përmes qasjeve psikologjike (Psikoterapi) apo farmakologjike (përmes medikamenteve), e shpesh kombinim i këtyre të dyjave.

Natyrisht se është e rëndësishme të bëhemi të vetëdijshëm për ndjenjat tona dhe teknikat vetëndihmuese që na bëjnë të ndihemi më mirë. Por, po ashtu është e rëndësishme të dimë dhe mbajmë në mend se çka nuk është në kompetencën tonë.

Idetë për vetëmjekim në rastin e përjetimit të problemeve psikologjike janë sa të përhapura, aq edhe të dëmshme. Teoria e Vetëmjekimit, bazohet në idenë se njerëzit fillojnë përdorimin e alkoolit apo të substancave ilegale si drogat psikoaktive për t’u shëruar nga problemet psikologjike. E kjo ide për t’u larguar nga vetja dhe problemet krijon një rreth vicioz, rast në të cilin ndjenjat negative veç sa mund të intensifikohen e përsëriten. Idesë së vetëmjekimit përmes substancave p. sh. marijuanës, i kontribuojnë veçanërisht keqinformimet mediale ose informatat gjysmake, si “Marijuana ka efekte mjekësore”, “Marijuana nuk shkakton dëme”, “Marijuana ndihmon në menaxhim të ankthit”, etj. Është e vërtetë se disa bimë të kanabisit janë vërtetuar të kenë efekte pozitive dhe përdoren për trajtim të problemeve psikologjike, por jo kanabisi në tërësi. Kanabidioli (CBD) është një element i bimës së Kanabis Sativës, për të cilin supozohet se në doza të caktuara mund të përdoret për qëllime mjekësore (si relaksim), por për probleme të caktuara (si p. sh. në menaxhimin e stresit post-traumatik), si dhe me përshkrim të profesionistëve shëndetësorë. Vaji i kanabidiolit është legal në shumicën e vendeve të botës (ndërsa në Kosovë nuk ka ligj specifik për të). Për dallim prej CBD, deri më sot, nuk ka hulumtim shkencor që tregon për rëndësinë e tetrahydrokanabinol (THC), apo siç njihet ndjenja “high” që shkaktohet nga tymosja e marijuanës, në rregullim emocional. Për më tepër, përdorimi i marijuanës së ndjenjës së high-it, e cila lehtë gjendet në Kosovë, ka potencial të thellojë problemet psikologjike, duke filluar nga ato emocionale e deri te ato kognitive. Meqenëse, CBD mund të përdoret për të trajtuar probleme të shumta të shëndetit qoftë fizik apo mental, mund të mendohet për legalizimin e kësaj të fundit. Por duhet të jetë e qartë ndarja e klasifikimi, si dhe fakti se kjo nuk nënkupton cigare që tymosen, por një lloj medikamenti që përshkruhet nga profesionistët shëndetësorë.

Shumë njerëz përdorin substanca të ndryshme në intervale të caktuara për qëllime rekreacioni, në këto raste zakonisht mendohet se nuk ka pasoja të theksuara e afatgjate. Por, përdorimi kompulsiv dhe i përsëritur i alkoolit dhe substancave të tjera ilegale si largim nga situatat stresuese dhe ndjenjat jo të mira, rrisin probabilitetin për abuzim. Për t’iu shmangur problemeve dhe për t’i ndihmuar me të vërtetë vetës, duhet së pari t’i shmangim vetëdiagnostifikimet dhe të kërkojmë ndihmë kur kemi nevojë. E dimë se sistemi ynë shëndetësor pak rëndësi i ka kushtuar shëndetit mental, por megjithatë sot kemi disa linja funksionale për shërbime psikologjike pa pagesë, të cilat mund t’i shfrytëzojmë. Ndërsa, u takon profesionistëve shëndetësorë për të kontribuar në uljen e keqinformimeve sa i përket trajtimit të problemeve psikologjike. E institucioneve të shtetit për të krijuar mekanizma, në të cilët ka qasje çdo qytetar/e i/e Kosovës, për të marrë shërbimet profesionale për të cilat ka nevojë. Shëndeti mendor nuk është luks! Sikurse që mbështetemi te mjekët për problemet fizike, ashtu duhet të mbështetemi te psikologët/psikiatërit për probleme psikologjike. E shteti duhet të na ndihmojë, duke shtruar infrastrukturën!

Fizikani i njohur Stephen Hawking pati përshkruar depresionin duke lidhur analogji me vrimat e zeza. Sipas tij, vrimat e zeza nuk janë realisht të zeza edhe pse ashtu duken në sipërfaqe, gjëra mund të hyjnë e dalin nga vrimat e zeza e ndoshta edhe të shohin edhe një univers tjetër. Edhe ndjenjat negative, sado të pafundme që mund të duken, padyshim se kanë një rrugëdalje!

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.