Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

(I)legaliteti i dokumenteve serbe në Kosovë

Shumë serbë në Kosovë sot jetojnë me paqartësi, ku mund të zgjohen një ditë e të marrin vesh se u ndalohet të udhëtojnë për në punë, t’i shohin fëmijët e tyre, apo të shkojnë të marrin terapi sepse si, de facto, „pengjeve“ u është ndaluar hyrja në Kosovë me letërnjoftime serbe, apo dalja nga Kosova, pa bazë ligjore. Duke u nisur nga lidhjet shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore dhe lidhjet tjera që serbët nga Kosova i kanë me Serbinë, një formë e këtillë e ndalimit i shkakton dëme të mëdha jetëve të tyre në shumë mënyra, i shkel të drejtat e tyre të njeriut dhe të drejtat qytetare të garantuara me ligje ndërkombëtare dhe me ato të Kosovës. Ndalimi i përdorimit të dokumenteve identifikuese serbe dhe dokumenteve serbe të udhëtimit në Kosovë nuk ka bazë në asnjë ligj apo marrëveshje.

Sipas raportimit të Radios Europa e Lirë, autoritetet ksoovare përsëri u kanë vendosur serbëve kufizime të udhëtimit, duke ua ndaluar hyrjen në Kosovë apo daljen nga ai territor pa dokumente kosovare.  Situata të tilla kanë ndodhur edhe më parë, dhe atë në dhjetor të vitit 2015, dhe prill të vitit 2016 kur Edita Tahiri, ministrja e Kosovës për dialog, paralajmëroi se qytetarëve të Kosovës të cilët posedojnë “letërnjoftime serbe të lëshuara nga strukturat paralele” do t’u ndalohet të hynë në territorin e Kosovës apo të dalin nga Kosova. Ndalimi, siç dukej, ishte mjet për shprehjen e pakënaqësisë së autoriteteve kosovare sepse BE-ja ende nuk po e zgjidh çështjen e “letërnjoftimeve ilegale” (Tahiri, 2016). Por, pretendimet se letërnjoftimet serbe të serbëve të Kosovës janë “ilegale” janë të pabaza, dhe nuk kanë bazë ligjore as në legjislacionin vendor as në atë ndërkombëtar. Pretendimet se diçka e tillë u dakordua në Bruksel nuk kanë kurrfarë baze, as dëshmi të prekshme.

Kjo çështje, së fundi, përsëri u bë pjesë e agjendës. Siç transmeton Radio Europa e Lirë, në javën e parë të majit të vitit 2017 agjencitë e caktuara të udhëtimit të cilat udhëtojnë ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë u informuan se Kosova më nuk i pranon pasaportat të cilat serbëve ua lëshon Zyra Koordinuese e MPB-së së Republikës së Serbisë. Megjithëse nuk ka konfirmim zyrtar lidhur me këtë vendim nga ana e institucioneve relevante kosovare, Edita Tahiri ka deklaruar se pasaportat e lëshuara nga Zyra Koordinuese “asnjëherë nuk kanë qenë të aplikueshme në Kosovë, pasi që janë ilegale” (Tahiri, 2017). Sipas saj, Zyra Koordinuese është strukturë ilegale në Kosovë. Po ashtu, udhëtarët me dokumente serbe dhe me banim në Kosovë u ndalën në pikëkalimet Konçuj dhe Merdarë. Derisa pritej lajmërimi zyrtar, udhëtarëve, siç raportuan mediat, për një kohë u ndalua hyrja në territorin e Kosovës, si dhe dalja nga Kosova.

Vetëm në vitin 2014 rreth 9,484 serbë nxorën letërnjoftime të Kosovës. Numrin e përgjithshëm të serbëve të Kosovës të cilët posedojnë letërnjoftime të lëshuara nga institucionet kosovare nuk e di saktë, por, dihet gjithandej se shumë prej tyre nuk kanë këso dokumentesh, apo më me dëshirë i përdorin dokumentet e lëshuara nga Serbia për udhëtime dhe për realizime të të drejtave për shërbime të ndryshme nga institucionet serbe. Serbët nga Kosova kanë shtetësi të Republikës së Serbisë dhe, në përputhje me këtë, Serbia vazhdon t’u lëshojë dokumente.

Autoritetet e Kosovës, në anën tjetër, pohojnë se ndalimi i përdorimit të letërnjoftimeve serbe bazohet në “ilegalitetin” e dokumenteve serbe të cilat atyre ua lëshojnë “strukturat paralele” serbe në Kosovë (Tahiri, 2016). Por, këto dokumente as nuk janë të lëshuara nga strukturat paralele, as nuk janë ilegale, sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas marrëveshjes së Brukselit. Ç’është e vërteta, në Kosovë nuk ekzistojnë struktura paralele serbe të cilat lëshojnë dokumente identifikimi dhe udhëtimi. Personat me vendbanim në territorin e Kosovës bëjnë kërkesë për lëshimin e dokumenteve serbe në Serbi. Kërkesa për lëshimin e pasaportës dorëzohet në hapësirat e departamentit të Zyrës Koordinuese në Beograd, derisa për nxjerrjen e të gjitha dokumenteve tjera, siç janë letërnjoftimet dhe patent shoferi, ekzistojnë departamentet e posaçme policore në Serbi, në të ashtuquajturat “vendet e zhvendosura komanduese” në Serbi. Në Kosovë nuk ekziston kurrfarë zyre paralele për lëshimin e dokumenteve serbe të këtij lloji, por zyret e ndryshme funksiojnë në Serbi dhe u ofrojnë shërbime qytetarëve të Serbisë me vendbanim në Kosovë.

Krahas kësaj, Ligji për Shtetësinë e Kosovës  lejon shtetësi të shumëfishtë (Neni 3), që do të thotë se qytetari i Kosovës mund të ketë dy a më shumë shtetësi, pa kufizime. Legaliteti i shtetësisë së shumëfishtë nënkupton legalitetin e posedimit të dokumentacionit të shumëfishtë të lëshuar nga institucionet e ndryshme. Kjo tutje nënkupton që, sipas ligjit në Kosovë, serbët kanë të drejtë të kenë shtetësi serbe dhe, në përputhje me këtë, po ashtu edhe dokumente serbe si dhe, njëkohësisht, të drejtën e shtetësisë së Kosovës dhe të dokumenteve përcjellëse.

Por, posedimi i shtetësisë së shumëfishtë nuk është obligim, por mundësi, e garantuar me ligj. Kjo më tej nënkupton se disa njerëz mund të zgjedhin të kenë vetëm një shtetësi. Për shembull, një qytetar i caktuar i Kosovës mund të zgjedhë ta mbajë vetëm shtetësinë e tij serbe, qoftë për shkak të bindjeve politike qoftë, thjesht, për shkak se në mjediset e caktuara serbe, ta zëmë, në veri, shumica e institucioneve funksionojnë nën ombrellën e Qeverisë së Serbisë. Rrjedhimisht, këto institucione kërkojnë përdorimin e dokumenteve serbe, dhe kjo i bën letërnjoftimet e Kosovës jo dhe aq të domosdoshme. Më përmirësoni nëse e kam gabim, por më duket se asnjë ligj në Kosovë, dhe asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e ndalon këtë, dhe nuk ka ligj i cili thotë se personat të cilët kanë të drejtë të kenë shtetësi kosovare duhet patjetër ta marrin atë, nëse dëshirojnë të jetojnë brenda territorit të Kosovës. Duke i marrë parasysh rrethanat politike dhe kontekstin socio-politik në Kosovë, një detyrim i tillë do të ishte kundërthënës.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e prillit të vitit 2011, e nënshkruar nga përfaqësuesit e Beogradit dhe të Prishtinës në Bruksel, thekson qartë se qytetarëve të të dy anëve duhet t’u lejohet të udhëtojnë brenda territorit apo nëpër territorin e anës tjetër, duke përdorur çfarëdo letërnjoftimi që ata posedojnë. Ka shumë gjasë që autoritetet e Kosovës me këto ndalesa në fakt dëshirojnë t’i nxisin serbët të cilët nuk kanë letërnjoftime të Kosovës që t’i nxjerrin ato sa më parë, mirëpo integrimi i imponuar përmes nxitjeve negative do të jetë artificial, i paqëndrueshëm dhe i brishtë. Pranimi i imponuar i institucioneve do të kthehet si bumerang kundër tyre dhe ato do t’i bëjë jolegjitimë.

Prandaj, autoritetet e Kosovës duhet që sa më parë të heqin dorë nga përdorimi i nxitjeve negative siç është kufizimi i lirisë, për t’i detyruar serbët që të integrohen, dhe duhet të përqendrohen në përdorimin e nxitjeve pozitive. Nëse institucionet kosovare dëshirojnë ta rrisin numrin e serbëve me dokumente kosovare, ato do të duhej të punonin për të përmirësuar, e jo për ta përkeqësuar standardin e tyre të jetës, sepse serbët në Kosovë janë njëri prej komuniteteve më të prekur në rajon. Komuniteti serb ka vështirësi sa i përket çështjeve të ndryshme në fushën e sigurisë, qasjes në drejtësi, gjuhës dhe të drejtave pronësore, ndër të tjera. Angazhimi dhe dëshmimi i përpjekjeve më të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve do të ishin nxitës shumë më të mëdhenj që serbët të nxjerrin letërnjoftime të Kosovës, se që do të ishin kufizimet dhe cënimet e të drejtave të tyre të cilat vetëm sa e përkeqësojnë imazhin jo fort të popullarizuar të autoriteteve kosovare në sytë e komunitetit serb.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.