Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Inflacioni i importuar e shpjegon tërë inflacionin në Kosovë? Jo bash

Trendi i rritjes së përgjithshme të çmimeve në Kosovë ka filluar në verën e vitit të kaluar. Me të janë rritur edhe brengat e pyetjet rreth shkaktarëve të tij. Përgjigjja e parë dhe më e shpeshtë, që ka ardhur pothuajse në kor, ka qenë se rritja e çmimeve është e importuar. Pikë.

A është e vërtetë kjo? Ky është një rast kur e vërteta nuk është binare. Për t’u përgjigjur, duhet ta kujtojmë betimin që shpesh bëhet në raste të dëshmive në gjykata ku thuhet se duhet treguar të vërtetën, të vërtetën e plotë, dhe vetëm të vërtetën. Me parametrat e këtij formulimi, mund të themi se ndikimi i inflacionit të importuar është e vërteta, por jo e vërteta e plotë.

Është e vërteta sepse mund t’i numërojmë së paku pesë faktorë të rëndësishëm që e shpjegojnë rritjen e çmimeve në botë. Hapja e shpejtë e ekonomive pas një mbylljeje të paprecedentë ka shkaktuar rritje të shpejtë të kërkesës (psh. akumulim i blerjeve që nuk kanë ndodhur gjatë izolimit) që nuk ka mundur të mbulohet me ofertë (psh. çrregullime në zinxhirin furnizues). Një faktor tjetër i rëndësishëm është rritja e çmimit të naftës dhe gazit si pasojë e një shumësie faktorësh para luftës në Ukrainë (psh. rritja e kërkesës gjatë dimrit me ç’rast janë zvogëluar rezervat e gazit, implikimet gjeopolitike mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë, etj.). Një faktor zakonisht i neglizhuar është edhe ndikimi i krizës klimatike, qoftë në prodhimin bujqësor qoftë në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme. Më pas, është ajo që në statistikë quhet “efekti i bazës.” Në të kaluarën inflacioni ka qenë shumë i ulët në shumicën e vendeve të Evropës dhe rritja e tanishme është relative ndaj një baze të vogël. Dhe, faktori më i ri është natyrisht lufta në Ukrainë (psh. zvogëlimi dhe rreziku për mos furnizim adekuat me grurë, naftë, gaz, etj.).

Por, le të kthehemi tek pjesa që i mungon të vërtetës që po thuhet. Këtë mund ta kuptojmë përmes krahasimit të inflacionit në Kosovë, Eurozonë (meqë përdorim euron dhe është rajoni prej nga importojmë më së shumti), dhe në vendet e rajonit (Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, dhe Kroacinë).

Në muajin gusht të vitit të kaluar Kosova kishte normën më të lartë vjetore të inflacionit krahasuar me Eurozonën dhe vendet e rajonit. Nërsa në periudhën shtator-dhjetor, vetëm Serbia kishte normë më të lartë se Kosova.

Në muajt janar dhe shkurt, respektivisht, të këtij viti, inflacioni në Kosovë ka qenë për rreth 39% dhe 27% më i lartë se në Eurozonë, rreth 87% dhe 92% më i lartë se në Shqipëri, rreth 31% dhe 17% më i lartë se në Mal të Zi, rreth 29% dhe 19% më i lartë se në Kroaci. Në janar, inflacioni në Kosovë ka qenë rreth 6% më i lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe rreth 1% më i lartë se në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa në shkurt rreth 3% dhe 7% më i ulët, respektivisht. Vetëm në krahasim me Serbinë del se inflacioni në Kosovë ka qenë më i ulët për rreth 14% dhe 15% – pra në të dy muajt.

Kundër argumenti i parë këtu mund të jetë se Kosova është shumë e varur nga importi – mbase më shumë se vendet e rajonit, dhe për këtë arsye ndikimi është më i madh. Për ta vlerësuar këtë, mund ta përdorim raportin e importit të mallrave dhe shërbimeve me Bruto Produktin Vendor (BPV). Për vitin 2021 ende nuk janë publikuar të dhënat nga të gjitha shtetet, por nëse marrim pesë vitet paraprake, pra periudhën 2016-2020, mesatarja e raportit të importit me BPV në Kosovë ka qenë rreth 54%. Vetëm Shqipëria dhe Kroacia kanë pasur një raport më të ulët – 46% secila. Bosnja dhe Hercevogina e ka pasur njëjtë sa Kosova, ndërsa Serbia (57%), Mali i Zi (64%), dhe Maqedonia e Veriut (71%) më të lartë se Kosova. Pra, as ky kundërargument nuk qëndron.

A mund të shpjegohet ky dallim përmes politikave fiskale e tregtare për importe që kanë shtetet e ndryshme? Për shembull, dallimet në tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), akcizën dhe detyrimet doganore? Nëse shohim normën më të lartë të TVSH-së, vetëm Bosnja dhe Hercegovina (17%) e ka më të ulët se Kosova (18%). Ndërsa norma e reduktuara në Kosovë është 8% e në vendet e rajonit varion nga 6% në Shqipëri deri në 13% në Kroaci. Nëse e krahasojmë akcizën në naftë, e shohim se vetëm Mali i Zi (0.44 euro) dhe Serbia (0.48 euro) e kanë më të lartë se Kosova (0.36 euro). Mirëpo, barra totale tatimore në çmimin e naftës vetëm në Maqedoninë e Veriut është më e ulët se në Kosovë. Ndërsa detyrimet doganore nuk mund ta kenë një ndikim shumë të madh për shkak se ato në masë të madhe duhet të jenë zero për vendet e rajonit, përmes Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA), dhe për vendet e Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Pra, as politikat fiskale nuk janë të mjaftueshme për ta shpjeguar këtë dallim.

Është e qartë që raporti i inflacionit mes Kosovës dhe Eurozonës apo vendeve tjera nuk do të jetë një me një. Tek mallrat e importuara duhet të kemi parasysh edhe shpezimet tjera si transporti, apo edhe marzha e fitimit që e kanë tregtarët. Sidomos kjo e fundit duhet të jetë vendi ku duhet ta kërkojmë shpjegimin e dallimit. Sepse kjo e fundit është më e ndikueshmja nga dinamika e rritjes së çmimeve.

E dinamika e rritjes së çmimeve është njëfarë profecie vetëpërmbushëse. Sa më shumë që ka pritje për rritje të çmimeve, aq më shumë do të rriten ato. Prandaj është kohë e artë për spekuluesit e tregtarët që të bëjnë manipulim të çmimeve.

U desh të ndodhë 10 marsi i këtij viti, ku pati një ngritje enorme të çmimit të vajit ushqimor, që ta kuptojnë institucionet se çmimet në Kosovë po rriten jo vetëm për shkak të rritjes globale por për shkak të lakmisë së disa tregtarëve. Sepse vetë Dogana e Kosovës tregoi se çmimi për litër vaji të importuar në vitin 2022 ishte 1.22 deri në 1.45 euro, ndërsa atë ditë ai u shit për 3.49 euro. Nëse e marrim çmimin më të shtrenjtë dhe e shtojmë edhe TVSH-në, çmimi bëhet 1.57 euro. Pra, së paku për një ditë, tregtarët realizuan një fitim bruto prej 122% të çmimit për litër vaji.

10 marsi është vetëm rasti më eklatant ku rritja e çmimit nuk po ndikohet nga çmimi i importit por nga lakmia për ta rritur marzhën e fitimit të tregtarëve. Sepse rritja, në masë më të moderuar, është duke ndodhur që nga vera e vitit të kaluar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.