Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kamerat e trupit mund t’i zvogëlojnë akuzat në rritje për abuzim nga Policia në veri të Kosovës

Ilustrimi nga Big Eye.

Veprimtaria policore në veriun e Kosovës është bërë çështje e kontestueshme që nga nëntori i 2022-tës, kur zyrtarët policorë serbë në mënyrë kolektive e lanë punën, si protestë ndaj refuzimit të Qeverisë së Kosovës për ta zbatuar Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe. 

Për t’u përgjigjur, autoritetet e Kosovës i mbushën këto pozita kryesisht me zyrtarë policorë shqiptarë. Në një deklaratë me e-mail, policia deklaroi se “askush që ka dhënë dorëheqje nuk mund të kthehet” dhe se “nuk do të bëhen përjashtime”. 

Për momentin, Kosova po e shkel Nenin 128, Paragrafin 2 të Kushtetutës së saj, që thotë: “Përbërja etnike e policisë brenda një komune duhet ta pasqyrojë në shkallën më të lartë të mundshme përbërjen etnike të popullatës në atë komunë”.

Gjithnjë e më shumë, po dalin në pah akuzat për sjellje të pahijshme dhe abuzim nga policia, duke e rritur edhe më tej hendekun midis komunitetit serb në Kosovë dhe Policisë së Kosovës. Për t’i trajtuar shqetësimet lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe për të fituar besimin publik, Policia e Kosovës duhet të kërkojë përdorimin e kamerave të trupit. 

Rritja e incidenteve të abuzimit nga Policia në veriun e Kosovës 

Gjatë tri viteve të kaluara, në veri kanë dalë akuza të shumta lidhur me abuzimin nga policia. Një zyrtar policor u dënua me tri vite burg për shkak se shtiu ndaj një vozitësi serb në një pikë të kontrollit.  

Të tjerë serbë kanë raportuar raste të rrahjeve nga policia. Avokati Millosh Subotiq deklaroi se ishte rrahur pas një arrestimi për dëmtim të pasurisë në sheshin kryesor, akuzë të cilën ai e mohon. 

Drejtori ekzekutiv i OJQ-së Aktiv, Miodrag Miliceviq, ka raportuar të jetë rrahur nga anëtarët e Policisë së Kosovës, afër kufirit të Jarinjes. 

Drejtoresha ekzekutive e New Social Initiative (Nisma e Re Sociale), Jovana Radosavljeviq, u ndalua në nëntor të 2024-tës për mosrespektim të urdhrave të policisë, kur u kap duke incizuar në pikën e kontrollit në Bistricë. Ajo po e përdorte telefonin e saj si kamerë të bordit për ta incizuar ndalimin, sepse gjatë ndalimeve të mëparshme nuk ishte ndier e sigurt. 

Politikani që po garon në zgjedhje, Aleksandar Arsenijeviq, tha se ishte rrahur nga policia gjatë protestave në Zveçan. Ai gjithashtu theksoi se arrestimet e tij për protestat me fishkëllima janë bërë gjithnjë e më të dhunshme. 

Incidente të tjera të dhunës përfshijnë djem adoleshentë. Avokati i Popullit konfirmoi se, në tetor të 2024-tës, katër djem adoleshentë ishin arrestuar dhe kishin shenja të abuzimit.  

Kamerat e trupit: mjet për llogaridhënie dhe veprimtari të përmirësuar policore 

Përdorimi i kamerave të trupit mund të sjellë përfitime të mëdha, si për zyrtarët policorë, ashtu edhe për civilët. Në shumë shtete, kamerat e trupit janë pjesë e detyrueshme e pajisjeve të policisë. 

Këto pajisje jo vetëm që promovojnë sjelljen profesionale midis zyrtarëve policorë, por edhe e mbrojnë policinë nga akuzat e rreme. Gjithashtu, e shtojnë nivelin e besimit për civilët, duke e ditur se të gjitha ndërveprimet me policinë janë të monitoruara plotësisht. 

Në vitin 2023, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka dhuruar 250 kamera të trupit për Policinë e Kosovës, por më pak se 10% e policisë kufitare dhe të trafikut i përdorin ato, sipas raportit të Inspektorit Policor të Kosovës, ku specifikohet se policia tani i ka në dispozicion 522 kamera.  

Sipas një deklarate me e-mail të Policisë së Kosovës, “bazuar në intepretimin ligjor të dhënë nga Agjencia për Mbrojtjen e Privatësisë dhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, përdorimi i kamerave që vendosen në trup aktualisht është i lejuar vetëm për zyrtarët kufitarë dhe të trafikut”. 

Deklarata nuk e qartëson pse nuk i vendosin kamerat e trupit të gjithë zyrtarët policorë kufitarë dhe të trafikut. 

Policia ka për qëllim t’i shërbejë dhe ta mbrojë komunitetin, siç thotë fraza e mirënjohur, por ky mision është i pamundur pa besimin publik. Përgjegjësia për ndërtimin e këtij besimi i takon policisë. Megjithatë, besimi nuk mund të ndërtohet nëse komunitetet besojnë se zyrtarët policorë veprojnë me mosndëshkueshmëri. 

Miratimi i kamerave të trupit është mjet efektiv dhe i drejtpërdrejtë për të nisur ndërtimin e besimit në veri të Kosovës dhe për të promovuar pajtimin midis të gjitha komuniteteve.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.