Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kapërcimi nga mësimi tradicional në atë elektronik dhe e ardhmja e mësimit të kombinuar në Kosovë

Ilustrimi: Big Eye

Në shkrimin tim të fundit ‘Mësimi Online të shtrihet në gjithë Kosovën edhe pas situatës së pandemisë COVID-19’ theksova rëndësinë e shtrirjes së mësimit në distancë për t’u kombinuar me atë tradicional. Në Mars 2020, kapërcimi nga mësimi tradicional në atë elektronik për shumë nxënës, mësues, prindër, e komunitete ka qenë jo vetëm i vështirë por edhe i pakuptueshëm, dhe si rezultat gjatë kësaj kohe shumë prej tyre, nuk e kanë bërë fare këtë kapërcim.

Mbi dhjetë për qind e nxënësve nuk kanë marrë fare pjesë në mësim në distancë; këta ndryshe do të shkruhen si nxënës që kanë braktisur shkollën gjatë kohës së pandemisë. Është krijuar ndasia digjitale në mësimnxënie mes grupeve të cenueshme dhe të tjerëve. Kjo ndasi shoqërore-digjitale, ka rezultuar për dy arsye kryesore. E para, dhe arsyeja më e theksuar, është qasja e limituar në mjete elektronike që mundësojnë vijueshmërinë e mësimit në distancë (siç janë: kompjuteri, tableti, apo telefoni), dhe e dyta arsye që ngërthen në vetë triadën mësues-nxënës-prind është vështirësia e kuptueshmërisë mbi mbarëvajtjen e mësimit në distancë apo elektronik (e-learning).

Pandemia ka qenë sprovë për shumë fusha, rende shoqërore dhe ekonomike, por në arsim mund të ketë sjell edhe një efekt pozitiv të pamendueshëm. Pra, para pesë muajsh, kapërcimi nga mësimi tradicional në atë elektronik ka qenë as më pak as më shumë se sa sfidues, ndërsa sot mund të ndodhemi në një pikë tjetër të zhvillimit. Anipse mësimdhënësit e emërojnë mësimin në distancë si alternativë më e mirë sesa hiçgjë, ka të tillë që e vlerësojnë lart këtë eksperiencë. Dhe jo vetëm për nxënësit. Në mes mësimdhënësve ka prej tyre që për herë të parë janë njoftuar me përdorim të teknologjisë për mësimdhënie, pikërisht gjatë këtij kapërcimi maratonik.

Duke marrë parasysh profesionin e mësimdhënësve në Kosovë, si profesion i rregulluar dhe i përjetshëm, shumica nga kolektivi i mësimdhënies janë emigrantë digjitalë. Ndërsa vetëm ata mësues të moshës nën 30 vjeçare mund të kenë lindur dhe jenë rritur në kohën digjitale. Duke bërë këtë krahasim me gjithë fëmijët, të cilët vijojnë mësimin parauniversitar, atëherë kemi dy kohëra të ndryshme që takohen në banka shkollore. Mësuesit si emigrantë të kohës digjitale, dhe nxënësit si të lindur dhe rritur në këtë epokë duhet të krijojnë një bashkëjetesë, që mund të nxjerrë ambient zhvillimi të përbashkët. Pikërisht mësimi i kombinuar e sjell këtë bashkëdyzim gjeneratash dhe eksperiencash.

Shtatori po afrohet, dhe sigurisht që të deleguarit për t’i paraprirë kësaj situate dhe për të gjetur zgjidhje më të efektshme po ndërtojnë skenarë të ndryshëm, për t’u përshtatur me luftën ndaj pandemisë. Ministria e Arsimit ka sjellë tre skenarë për fillimin e vitit shkollor, varësisht nga rreziku i përhapjes së pandemisë. Skenari i parë, është kthimi në shkolla duke respektuar masat e paracaktuara nga institutet përgjegjëse shëndetësore. Skenari i dytë, mësimi i kombinuar. Dhe skenari i tretë, vazhdimi i mësimit plotësisht nga distanca.

Në mënyrë që dy skenarët e fundit (i dytë dhe i tretë) të jenë të aplikueshme, vëmendja duhet të mbetet tek kapërcimi i ndarjes digjitale në mes fëmijëve, duke krijuar nënskenarë që mundësojnë edhe lehtësojnë organizimin dhe zhvillimin e mësimit në distancë. Në rast të aplikueshmërisë së skenarit të dytë, shkollat mund të organizojnë kombinimin me mësim tradicional dhe atë në distancë në bazë të orarit, ditëve, apo klasave. Ndërsa për të lehtësuar të dy skenarët e fundit, për mësim në distancë, intervenimi siç është grumbullimi dhe blerja e mjeteve digjitale mund të mos jetë zgjidhja e vetme. Secila nga shkollat është e pajisur me kabinete të informatikës, dhe ka një numër të caktuar kompjuterësh. Për të mobilizuar akoma dhe me efikasitet – mund të propozohet që kabinetet dhe kompjuterët që janë pronë e shkollave të ndahen për nxënësit/mësimdhënësit me më nevojë, për t’i lehtësuar procesin e organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit.

Mësimi në distancë të plotë tashmë është provuar: një mësim i kombinuar do te jetë lehtësim për mësimdhënësit, nxënësit, dhe prindërit. Për më tepër, mësimi i kombinuar le të jetë opsion që të përdoret gjerësisht në shkollat tona, dhe ndoshta të mendohet si formë që mund të plotësojë mësimin gjithëditor për të ardhmen në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.