Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Ki pec, ki hise!

Ilustrimi: Big Eye

Ki pec, ki hise!

Ky artikull është i dedikuar për të gjithë njerëzit të cilët mendojnë me organin hyjnor të tyre dhe besojnë në Kanun, pra, njerëzit (burrat), organi hyjnor (peci), kanuni (koha e bronzit).

Peci si organ dhe koncept mund të shihet në mënyrë relative nëpër shoqëri të ndryshme. Nëse në një shoqëri më të hapur peci shihet si organ gjenital me të cilin kryhen vetëm nevojat seksuale dhe fiziologjike, në disa shoqëri të tjera, pasojnë dasmat, gëzimi, lotët dhe qerasja kur në ekranin e repartit të gjinekologjisë, shihet një zgjatje disa milimetra në mes të këmbëve. Për këto shoqëri, truri ekziston aty.

Në shoqërinë kosovare, nëse je posedues i pecit do të thotë të jesh njeri, të punosh, të trashëgosh pronë (hise), të kesh të drejtë ta dhunosh partneren (kur e lypë), e më kryesorja të përceptohesh se ke lindur në shtëpi të huaj, e jo në shtëpinë tënde. Madje, rëndësia për posedimin e pecit është aq e madhe sa kënaqësia seksuale arrihet vetëm duke menduar se si lëngu i bardhë duhet të kthehet patjetër në trashëgimtarë. Pra, në pec.

E krejt ky glorifikim i kësaj zgjatje të lëkurës vjen si pasojë e besimit në sistemin patriarkal dhe vazhdimit të praktikimit të kodeve të cilat janë përdorur për rregullimin e shoqërive paramoderne. Kodet më të njohura në shoqërinë tonë të cilat përmes praktikimit të tyre ndër shekuj kanë ndikuar në besimin e pecit si organ të shenjtë dhe në mendësinë diskriminiuese kundrejtë grave janë Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe sheriati në të drejtën islame.  Mirëpo në këtë shkrim theks të veçantë do të ketë vetëm Kanuni i Lekë Dukagjinit si kod që praktikohet si i mirëqenë nga një pjesë e madhe e shoqërisë në një kohë kur ekziston një institucion që e rregullon jetesën e një komuniteti/shoqërie e që njihet si shtet, ndryshe prej shoqërive të kanunit të cilët në mungesë të këtij institucioni e kanë përdorur të drejtën zakonore si mjet për zhvillim dhe rregullim të shoqërisë.

Pra, ndonëse konteksti dhe rrethanat dallojnë prej kohës kur është draftuar Kanuni i Lekë Dukagjinit, mendësia e shqiptarëve i ka rezistuar kohës dhe pushtuesve të ndryshëm duke vazhduar t’i praktikoj dispozitat e këtij kodi. Për ne, të ngecësh në kohë është vlerë kombëtare.

Në nenin e 20 të Kanunit të Lekë Dukagjinit, shprehimisht ndalohet trashëgimi i pronës së gruas në familjen e saj duke e parë thjesht si një tepricë në shtëpi:

“NYE I NJIZETËT. Trashigimi i grues Shqyptare.

“Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, e as më plang, as në shpi, – kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi.”

Pra, në dispozitat kanunore në veçanti dhe në sistemin patriakal në përgjithësi, mashkulli i shtëpisë si posedues i pecit, e zotëron pushtetin, është autoriteti moral dhe posedon privilegje sociale. Femra në anën tjetër, në mungesë të pecit, zhvishet nga të gjitha të drejtat, është e varur ekonomikisht, shihet si tepricë kur vjen puna te trashëgimia në pronë, jeton vec për të marrë frymë, për të qenë e robëruar dhe për t’u ushqyer kur t’i teket mashkullit, pra kur atij t’i qohet “truri”. Të kesh pec, do të thotë t’i kesh të gjitha e mbi të gjitha të jesh i aftë të mendosh racionalisht.

Në anën tjetër, korniza ligjore e Kosovës nuk e njeh poseduesin e pecit si të vetmin person i cili do të trashëgoj pronë, specifikisht  neni 3 i ligjit për trashëgimi dhe neni 24 kushtetutës të Kosovës e trajton të drejtën pronësore si të drejtë të njeriut dhe e ndalon diskriminimin në baza gjinore:

Ligji për trashëgimi

Neni 3 Barazia në trashëgimi

. 3.1.Të gjithë personat fizikë në kushte të njejta janë të barabartë në trashëgimi.

Kushtetuta e Kosovës

Neni 24 [Barazia para Ligjit]

1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

Mos zbatimi i  këtyre ligjeve, po bën që që vetëm 4% e grave të trashëgojnë pronë në Kosovë, duke qenë një  indikator mjaft i matshëm për ekzistencën e mendësisë kanunore në shoqërinë tonë.

Si rezultat, për shkak të referimit të vazhdueshëm në kanun dhe përceptimit të burrit si hyjni e gruas si tepricë, dhe jo referimit në këto ligje të Kosovës të cilat janë të përpiluara në mënyrë që të mos diskriminohet asnjë njeri në shoqëri, rezulton  ideja se në rast që një grua e kërkon të drejtën e saj në pronë të etiketohet si e çmendur. Emëruesi i përbashkët i tepricës dhe çmendurisë ndër shqiptarë? Gruaja. Pra, të jesh e çmendur do të thotë të kërkosh barazi në familje dhe të kërkosh t’i respektosh të drejtat e njeriut.

Mirëpo, hstoria na njeh me shumë njerëz të cilët janë etiketuar si të çmendur dhe kanë arritur  të bëjnë ndryshime nëpër botë dhe që të kthejnë drejtësinë në vendin e vet , si: Rosa Parks dhe Marthin Luther King për të drejtat e zezakëve;  Elizabeth Cady Stanton, Susan B. Anthony dhe Lucy Stone për të drejtën e gruas për të marrë pjesë në zgjedhje në Amerikë; dhe Malala Yousafzai për të drejtën e vajzave për edukim në Pakistan.

Njejtë edhe në Kosovë, brezi i ri me shumë burra dhe gra aktiviste/ë  është i vendosur që të jetë “i çmendur” dhe ta varrosë mentalitetin patriarkal dhe kanunor të shoqërisë sonë derisa të bëhet e qartë për të gjithë që seksi biologjik, gjinia dhe (mos) posedimi i pecit nuk  të bëjnë më shumë ose më pak njeri, dhe derisa në shoqëri të zbatohet neni 3 i ligjit aktual të Kosovës për trashëgimi pronësore e jo neni 20 i Kanunit të Lekë Dukagjinit. E kjo “luftë” do të bëhet përmes aktivizmit, rezistencës dhe përplasjes së argumenteve racionale dhe shkencore, jo në pec, por në fytyrën e patriarkatit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.