Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Koha për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ekzistoi kurrë

Qeveria e Kosovës ka qenë nën presion të vazhdueshëm për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (ASK). Më 30 janar, Ambasada e ShBA-së në Kosovë publikoi dokumentin “Koha për themelimin e ASK-së është tani”, nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, dhe Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor.

Ka shumë aspekte të deklaratës – dhe presioni i gjerë i ushtruar karshi Qeverisë së Kosovës po ashtu – që mund të kritikohen: këtu fokusi është në pretendimet e tyre se ASK-ja nuk do të cenojë kohezionin e brendshëm të Kosovës, rendin juridik dhe funksionalitetin e shtetit.

Ky artikull do të mëtojë të zbërthejë aspektet më të rëndësishme të deklaratës së publikuar nga Ambasada Amerikane, duke u fokusuar në pesë argumente kryesore.

1. Minimizimi i shqetësimeve për një Republikë Srpska të re në Kosovë:

“ASK-ja do të paraqiste një strukturë për komunat me shumicë etnike serbe për të koordinuar çështjet si arsimi, shëndeti, planifikimi urban dhe rural, si dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat janë përgjegjëse të gjitha komunat në Kosovë.”

Chollet dhe Escobar kanë të drejtë kur nënvizojnë se “të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse” për funksionet që përmendin. Kjo nënkupton, sidoqoftë, se ASK-ja nuk u jep komunave përgjegjësi që aktualisht nuk i kanë.

Për më tepër, nuk ka asgjë që i pengon komunat të koordinohen në çështje si “arsimi, shëndeti, planifikimi urban dhe rural, si dhe zhvillimi ekonomik lokal.” Prandaj, ASK-ja nuk mund të justifikohet mbi bazën se u ofron komunave përgjegjësi ose të drejta koordinuese të reja të cilat aktualisht u nuk i kanë.

2. Pretendimi se serbëve të Kosovës u duhet ASK-ja për të zhvilluar një kurrikulë në gjuhën serbe:

“Për shembull, komunat mund të zhvillojnë një kurrikulë në gjuhën serbe për shkollat lokale nëpër disa komuna, në vend se të punojnë në vakum dhe t’i dyfishojnë përpjekjet.”

Sipas Kushtetutës së Kosovës – nenet 59.3 dhe 59.4 – serbët tashmë janë të autorizuar për ta bërë këtë gjë. Shkollat lokale serbe nuk janë udhëzuar kurrë të miratojnë një kurrikulë të hartuar nga qeveria e Kosovës: në praktikë, kurrikula për shkollat lokale është krijuar në Beograd.

Asgjë nuk i pengon përfaqësuesit e komunave me shumicë serbe që të koordinojnë rishikimet e kurrikulës aktuale: atyre nuk u duhet ASK-ja për ta bërë këtë gjë. Andaj, është e pakuptimtë mbrojtja e krijimit të ASK-së duke deklaruar se serbëve do t’u mundësohet të bëjnë gjëra për të cilat tashmë veç janë të autorizuar t’i bëjnë sipas Kushtetutës.

3. Argumentimi se ASK-ja do të nxisë bashkëpunimin midis serbëve të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës:

“Është një mjet për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve, për të krijuar besim midis serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, për të siguruar lidhje më të fortë ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe për të krijuar mekanizma për serbët që të jenë më të pranishëm në jetën qytetare të Kosovës.”

Sipas draftit fillestar, ASK-ja do t’i ketë të gjitha institucionet kyçe të një shteti, përfshirë kuvendin, presidentin, këshillin, bordin dhe administratën, si dhe zyrën e ankesave. Për më tepër, do të ketë buxhetin, flamurin dhe stemën e vet. Kësisoj, përbërja institucionale e ASK-së është një strukturë paralele e konstituuar ligjërisht brenda Kosovës, që do të zvogëlojë fuqinë e qeverisë qendrore.

ASK-ja do të promovojë ndarje të mëtejshme, duke i larguar serbët e Kosovës nga institucionet e Kosovës drejt institucioneve të reja të ASK-së. Përparimi i bërë deri më sot në bindjen e serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër për t’u integruar në qeverinë qendrore do të rrezikohej menjëherë.

Veç kësaj, është e pashmangshme që ASK-ja do të ndikohej shumë nga qeveria serbe, e cila vazhdimisht ka demonstruar vendosmëri për të minuar kapacitetin funksional të Qeverisë së Kosovës, duke inkurajuar serbët që të mos bashkëpunojnë me qeverinë qendrore. Kësisoj, ASK-ja do të rrisë kapacitetin e Beogradit për të minuar qeverinë qendrore.

4. Adresimi i shqetësimeve në lidhje me transparencën dhe financimin e ASK-së:

“Dhe çdo mbështetje e ndihmë nga Serbia që do t’i ofrohet komunitetit serb të Kosovës duhet të jetë transparente dhe të kalojë nëpër këto kanale legjitime dhe të sanksionuara.”

Marrëveshja për ASK-në thekson në mënyrë eksplicite se financimi do të vijë nga “Republika e Serbisë”. Nënvizimi i Chollet dhe Escobar që çdo mbështetje e ofruar nga Serbia “duhet të jetë transparente” duket jashtëzakonisht naive.

Qeveria e Serbisë njihet për karakterin e saj autoritar: Serbia vazhdimisht ka promovuar destabilitet dhe u ka dhënë mbështetje fshehurazi bandave kriminale në Kosovë (dhe gjetiu) për vite të tëra. Partia më e madhe në Kosovë – Lista Serbe – kontrollohet nga Beogradi dhe ASK-ja do t’i siguronte asaj më shumë hapësirë për të realizuar agjendën e Beogradit brenda Kosovës.

ShBA-ja nuk mund të japë premtim kredibil se Serbia do të mbështesë ASK-në në një mënyrë “transparente”.

5. Pretendimi se ASK-ja do të funksionojë mirë sepse ekzistojnë 14 marrëveshje të ngjashme në BE:

“Ekzistojnë 14 marrëveshje të ngjashme brenda Bashkimit Europian.”

Edhe mund të jetë kështu, por kjo nuk thotë gjë. A ekzistojnë këto “marrëveshje të ngjashme” në vende të “ngjashme” me Kosovën? Konkretisht, a janë krijuar këto vende (sikur Kosova) si rezultat i ndarjes nga një shtet që ka ushtruar dhunë sistemike kundër shumicës së popullsisë dhe vazhdon të mohojë krimet e luftës?

A e refuzojnë vetë ekzistencën e shtetit, si Lista Serbe, përfaqësuesit e zgjedhur politikë të komuniteteve që i kanë arritur këto “marrëveshje të ngjashme” në këto vende të tjera? Veç kësaj, a ju mohohet atyre e drejta për të ekzistuar nga shteti fqinj, siç bën Serbia me Kosovën?

Thënë shkurt, nuk do të thotë se një marrëveshje kushtetuese/legjislative që funksionon në një vend, do të funksionojë në çdo vend tjetër. Sidoqoftë, Chollet dhe Escobar nuk arrijnë të adresojnë shqetësime të tilla serioze në letrën e tyre.

E vërteta është se krijimi ASK-së nuk ka qenë kurrë delegim i përgjegjësive të reja te komunat apo mundësi për serbët që të marrin pjesë më aktivisht në organet politike dhe gjyqësore të Kosovës: përkundrazi, arsyeja ka qenë që t’u mundësojë komunave me shumicë serbe të funksionojnë si një strukturë e re legjislative, e cila në fakt do të funksionojë si një alternativë ndaj qeverisë qendrore.

I vetmi përfundim i vërtetë që mund të bëhet për mbështetjen e ShBA-së dhe BE-së karshi ASK-së është se Serbia e ka kërkuar atë. Sidoqoftë, Chollet dhe Escobar – dhe të gjithë ata që merren me këtë çështje – duhet të mendojnë mirë para se të promovojnë interesat e Serbisë në Kosovë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.