Debati për çështjet e gjëra të sigurisë nuk mund të mbetet peng i idesë se shteti ka të drejtën ekskluzive të trajtimit të temave të sigurisë. Ky vlerësim përveç që është i tejkaluar, nuk është i saktë sidomos në kontekstin tonë ku shteti ende është në ndërtim e sipër dhe kërkohet rreshtimi i intelektualëve dhe shtresave të caktuara për t’i kontribuuar zhvillimit të studimeve bashkëkohore të sigurisë. Pra, edhe sikur të donim, shteti nuk mund ta mbajë monopolin e diskursit të sigurisë për vetë faktin që kapacitetet shtet-ndërtuese në Kosovë janë po aq të vjetra sa edhe formësimi kritik në fushën e sigurisë.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) zyrtarisht po fillon me një rubrikë të veçantë në kuadër të S’bunker duke menduar kësisoj se do të kontribuojë sadopak në mbledhjen e kontributeve nga studiuesit më të mirë që kemi. Këtu nuk mendojmë vetëm në studiuesit e sigurisë, mirëpo të gjithë ata të disiplinës së gjerë të shkencave shoqërore të cilët sigurinë e trajtojnë në kontekst gjithëpërfshirës. QKSS mendon që ka kredibilitetin e mjaftueshëm dhe resurse të nevojshme për të luajtur rolin e prijësit në këtë drejtim.. Me fjalë të tjera, ne synojmë të lehtësojmë kontributin në debatin e sigurisë duke pasur parasysh kompleksitetin në rritje dhe domosdoshmërinë që krahas pasurimit të diskursit publik ne të ‘ushqejmë’ politikat e ardhshme në këtë fushë.
Në fakt, kjo që QKSS po fillon nuk përbën fare risi për shtete tjera përfshirë dhe ato në rajon. Ideja e rreshtimeve të akademikëve dhe kritikëve të fushës së gjerë të sigurisë e marrëdhënieve ndërkombëtare është konceptuar rëndom si angazhim i komuniteteve epistemike (epistemic communities) e cila definoi rrjetet e platformave akademike e të politikave me qëllim të kontributit profesional dhe të ngushtë në këtë fushë. Paralelja e ngjashme konceptuale mund të ndërlidhet edhe me konceptin e komuniteteve te sigurisë (security communities), koncept ky i cili fillimisht u ideua nga Karl Deutsch ne vitet e 50-ta me qëllim të lehtësimit të një debati në Evropën e pas-luftës, duke kontribuuar kësisoj në përmirësimin e klimës së diskutimeve.
Pse këto dy koncepte mund të korrespondojnë në idenë tonë? Sepse kemi mungesë të një rreshtimi të intelektualëve të cilët do të kontribuonin në de-konstruktimin e disa tematikave të sigurisë që shkaktojnë amulli publike. Sepse ka hendek të madh në mënyrë se si interpretojmë dhe zbërthejmë disa tema jetike në funksion të sigurisë tonë individuale e publike.
Ne kemi shumë paqartësi dhe pozicione të larmishme në raport me fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm, gjë që mendojmë ta trajtojmë posaçërisht. Tutje, kemi pasiguri në interpretimin e pozicionit të Kosovës në raport me vendet tjera e sidomos në kontekst të dialogut me Serbinë. Kontributet ekzistuese në de-konstruktimin e problemeve të integritetit e krimit të organizuar më shumë janë bërë nga perspektiva e pozicioneve politike të individëve se sa ato thjesht hulumtuese. E mos të flasim për temat ende më të rëndësishme për komunitetin që rrallë trajtojmë, nëse i trajtojmë.
Me fjalë të tjera, QKSS mendon të mbulojë sadopak boshllëkun akademik të fushës dhe tashmë, krahas kontributit të saj nëpërmjet dokumenteve të politikave e hulumtuesve brenda fushëveprimit organizativ, synon që të drejtojë potencialisht debatin e intelektualëve më të dalluar në temat e shumta të sigurisë. Tani për tani, S’bunker përbën platformën më të suksesshme dhe ne kemi kënaqësinë që të kontribuojmë në fuqizimin edhe më të madh të kësaj platforme.