Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova dhe rënia e multi-lateralizmit

Epoka e pasluftës u karakterizua nga liberalizmi, dhe veprimi kolektiv në bazë të aleancave dhe respektit të ndërsjellë, qasje që u bënë themel në marrëdhëniet ndërkombëtare. Si pasojë, multilaterizmi u bë tipari qendror i diplomacisë së shekullit XXI, kurse bilateralizmi vetëm si një vlerë e shtuar. Kjo qasje në marrëdhënie ndërkombëtare gjeneroi një sistem multilateral të koordinimit të politikave. Megjithatë, sot, duke u përballë me një mjedis të ri në marrëdhënie ndërkombëtare, rritja e kompleksitetit të sigurisë ndërkombëtare kërkon elasticitet dhe ri-definim të këtij sistemi. Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimit Europian, sikur tronditi rolin dhe pozicionin e BE-së, kurse zgjedhja e Presidentit Trump, i cili shkurtoi kontributet për disa struktura ndërkombëtare[1] (sidomos OKB) sikur dha shuplakën e fundit këtij sistemi.

Dridhja e themeleve të strukturave më të mëdha ndërkombëtare – sidomos BE dhe OKB – ka gjetur Kosovën në përpjekje për t’u bërë pjesë e këtyre mekanizmave multilaterale. Pothuajse një dekadë pas pavarësisë, përpjekjet diplomatike të Kosovës për njohje ndërkombëtare ende vazhdojnë. Sigurimi i njohjeve ndërkombëtare – një proces që u zhvillua menjëherë pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 – mbetet një nga sfidat më të mëdha diplomatike për Kosovën. Kjo u përcjell edhe nga aspiratat për të qenë pjesë e mekanizmave ndërkombëtare të cilat edhe më tej do të forconin pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ani pse politikisht e “gozhduar” me mundësi minimale për të qenë kandidat potencial për anëtarësim në këto organizata, Kosova ka vazhduar aspiratat për të ju bashkuar këtij sistemi. Kjo gjendje sikur krijoi një “komoditet” për Qeveritë e Kosovës që nga viti 2008, që të fshihen pas pengesave politike, e shumë shpesh të arsyetojnë dështimin në diplomaci, reforma dhe përmbushje të kushteve për anëtarësim.

E njohur nga 114 shtete, Kosova ka ndërtuar bashkëpunim bilateral me një numër të madh të shteteve. Shumica prej tyre mbështetën në mënyrë eksplicite procesin e shtet-ndërtimit në Kosovë, por edhe në përpjekjet për të forcuar statusin e saj në arenën ndërkombëtare.

Përderisa, një vëmendje e madhe i është dhënë shteteve jo-njohëse dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, u krijua perceptimi se nuk po bëhet mjaft përpjekje diplomatike në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve aktuale bilaterale. E kjo më së tepërmi u reflektua në procesin e anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtar, ku Kosova dështoi të sigurojë mbështetjen e vendeve që e kishin njohur tashmë – rasti i Polonisë, Japonisë dhe Koresë së Jugut në UNESCO. E nëse ky skenar përsëritet  në rastin e Interpolit, do të sjellë dështime të mëdha për Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke rrezikuar de-faktorizimin e plotë të saj.

Zgjerimi i konceptit të “bilateralizmit”: në kërkim të partnerëve strategjik

Ta themi troç, Kosova ka dështuar në proceset integruese. Nga ambiciet për t’u bërë pjesë e OKB-së, Kosova ka degraduar në nivel rajonal, në anëtarësim nëpër mekanizma jo-relevante të bazuara në projekte e fonde modeste të BE-së.

Procesi i anëtarësimit në BE ka arritur pikën më të mundshme maksimale me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. Për disa ky është cilësuar si një hap shumë relevant drejt vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale në mes të Kosovës dhe BE-së. Mirëpo, kjo kontratë mund të jetë lëvizja e vetme që Kosova mund ta bëjë në këtë drejtim, dhe se konsensusi në lidhje me hapat tutje është tejet i vështirë, madje edhe ligjërisht i pamundur për Kosovën. Kurse, me rastin e liberalizmit të vizave, duhet të qartësohet që ky proces është i ndarë nga procesi i integrimit në BE. Sipas logjikës së BE-së kjo është e arritshme për rastin e Kosovës sepse këtë të drejtë e gëzojnë edhe shtete të cilat shtrihen në kontinente të tjera (p.sh. Kolumbia), dhe për faktin se BE ka nënshkruar marrëveshje për liberalizim të vizave edhe me “entitete jo-shtetërore” siç është Tajvani.

Raste edhe më të humbura për diplomacinë Kosovare janë anëtarësimi në NATO dhe OKB, të dyja këto procese të ngelura nëpër dokumentet strategjike të secilës Qeveri. Megjithatë, shpresat që kjo të ndodhë në një të ardhme të afërt, kjo ngase deri më tani asnjë strukturë nga këto organizata nuk ka interesim të gjejë modalitetet për zhvillim të marrëdhënieve me Kosovën. Andaj, është me rëndësi që Kosova të mbajë marrëdhënie të fuqishme me vendet që e mbështesin, dhe të cilat do të mund të sponsorojnë anëtarësimin e saj në mekanizma ndërkombëtarë.

Koncepti i bilateralizmit për Kosovën nuk mund të shihet i rëndësishëm vetëm kur përdoret si një mjet për avokim në arenën ndërkombëtare. Për më tepër, ndërtimi i marrëdhënieve të forta bilaterale është me rëndësi vendimtare për procesin e shtet-ndërtimit. Si e tillë, është në interesin afatgjatë të Kosovës për të forcuar partneritetin me shtetet që kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës, e si pasojë duke luajtur rol lehtësues në ndërtimin e kanaleve të reja të komunikimit në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Marrëdhëniet me shtete si Gjermania, Franca e Austria mbeten kruciale. Mirëpo, është më se e nevojshme që intensiteti të rritet edhe në drejtim të Italisë, pasi që ky shtet pritet të marrë rolin e Britanisë së Madhe brenda BE-së – pas Brexi-it. Për më tepër, Kroacia ende mbetet një nga aleatët kryesorë strategjik dhe ushtarak. Ky potencial shumë pak është shfrytëzuar nga Kosova, jo vetëm në raport me procesin e integrimit në BE, por edhe në nivel rajonal.  Ndërsa, në aspektin ushtarak forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi me ShBA dhe Britaninë e Madhe, duhet të shihet si e vetmja mënyrë për të depërtuar në NATO.

Pra, sot marrëdhëniet ndërkombëtare nuk varen më nga vlerat e përbashkëta, por më tepër në interesa afat-shkurtra. Kundrejt këtij sistemi, diplomacia Kosovare duhet të jetë vigjilente. Marrëdhëniet ndërkombëtare rishtazi po kthehen në vitet e `30-ta, prandaj, forcimi i marrëdhënieve bilaterale me partnerët strategjik do të sjellë stabilitet dhe siguri për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

______________________

[1] Kjo nuk vlen për NATO, sepse ShBA vazhdojnë të jenë kontribuesi më i madh dhe ithtar i fuqizimit të kësaj Aleance.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.