Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kosova e ka një marrëveshje – nëse Perëndimi mund ta mbajë atë

Ka marrëveshje, apo nuk ka marrëveshje? Kjo është pyetja që po shqetëson Ballkanin.

Pas një samiti me presion të lartë mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi: “Ne kemi një marrëveshje”, një marrëveshje që premton t’i udhëheqë palët drejt normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve. Por, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, refuzoi të nënshkruajë tekstin e ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili është jo mirë i definuar, dhe që atëherë ka bërë deklarata që kualifikojnë dhe madje shfuqizojnë angazhimet kryesore mes shteteve.

A mundet Vuçiq t’i injorojë obligimet e Beogradit në implementimin e Annex-it të prodhuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe të pjesës tjetër të marrëveshjes së negociuar në Bruksel më 27 shkurt, të cilin i njëjti po ashtu refuzoi ta nënshkruajë? Pse duhet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të vendosë menjëherë garanci të papërcaktuar për serbët në Kosovë, nëse Kosova nuk e di sigurt që Serbia do ta respektojë pjesën e saj të marrëveshjes. A e pranon taktikisht Serbia Kosovën në këtë marrëveshje, apo kjo do të varet nga hapat e tjerë të ardhshëm?

Thënë shkurt, ka një mori paqartësish mbi negocimet më të rëndësishme në Ballkan në mbi 20 vjetët e fundit. Çështja e Kosovës inicioi shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë në vitet 1990, duke ekspozuar paaftësinë e BE-së për t’i trajtuar problemet e sigurisë në oborrin e tyre. Përplasja mes Beogradit dhe Prishtinës është në qendrën e një përpjekjeje shumë-dekadëshe, transatlantike, për të konsoliduar rajonin drejt rendit perëndimor. Megjithatë, mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ka krijuar mundësi për Rusinë dhe Kinën që të jenë më aktive në rajon.

Diplomacia torturuese perëndimore mes Serbisë dhe Kosovës ka gjasa të përmendet gjatë vizitës treditore të presidentit kinez Xi Jinping në Moskë. Çfarëdo dallimi që mund të kenë këta dy autokratë rreth luftës në Ukrainë, Pekini dhe Moska janë të pozicionuar në një linjë të njëjtë kundër pavarësisë së Kosovës. Presidenti rus Vladimir Putin dhe Xi do t’i koordinojnë përpjekjet për të minuar marrëveshjen, duke e lënë Kosovën në harresë, rajonin në trazira dhe Serbinë si një partner strategjik të përbashkët të Rusisë dhe Kinës.

Duke pasur parasysh se çfarë rrezikohet nëse marrëveshja dështon, kjo nuk është koha për deklarata përgëzuese dhe retorikë standarde për përgjegjësitë e palëve. Tani edhe Uashingtoni dhe Brukseli – jo vetëm Beogradi dhe Prishtina – duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, veçanërisht duke pasur parasysh paqartësitë e toleruara në marrëveshje. Tre hapa janë jetikë për të krijuar një bazë për sukses.

Së pari, BE-ja duhet ta largojë pretendimin se është vetëm një lehtësues midis palëve – dhe Uashingtoni duhet ta largojë pretendimin se është vetëm një mbështetës që ndjek udhëheqjen e BE-së. Vetë marrëveshja ka në titullin e saj “Propozimi i BE-së” – propozim i mbështetur dhe i avancuar plotësisht nga ShBA-ja.

Për momentin, Borrell pohon se zbatimi është në dorën e palëve, duke reduktuar rolin e BE-së në thjesht monitorues. Në fakt, asnjë palë nuk ka më shumë detyrime formale sipas marrëveshjes Bruksel-Ohër sesa vetë BE-ja. Janë jo më pak se pesë detyra të veçanta që BE-ja ka pranuar. Asnjëra nuk është më e rëndësishme sesa angazhimi i dyfishtë i BE-së për të “kryesuar” një komitet të përbashkët për të siguruar dhe mbikëqyrur zbatimin e “të gjitha dispozitave”. Me një afat të rreptë prej 30-ditësh për të krijuar Komitetin e Përbashkët të Monitorimit, Brukseli do të duhet të tregojë guxim të pazakontë. Zbatimi kërkon veprime vendimtare, e jo krijim të ambiguitetit vetëm për t’i shmangur ato.

Angazhimi aktiv i premtuar nga Uashingtoni në këtë test të hershëm të implementimit është thelbësor. Administrata e Bidenit vazhdimisht i bëri presion Qeverisë së Kosovës për autonomi për komunitetin serb në Kosovë. Kërkesa e Beogradit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” nuk ka të bëjë fare me mirëqenien e serbëve të Kosovës, por me cenimin e sovranitetit të Kosovës. Duke pasur parasysh ndikimin e Serbisë mbi politikën serbe të Kosovës dhe armiqësinë aktive të Beogradit ndaj fqinjit të saj, realiteti është se autonomia është e parakohshme.

Pasi i është bërë presion Kosovës që të heqë dorë nga karremi i vetëm i saj ndaj Serbisë, barra bie mbi ShBA-në dhe BE-në që ta kufizojnë fushën e “vetëmenaxhimit” në nevojat e qytetarëve serbë të Kosovës, e jo në ambiciet e Beogradit apo përfaqësuesve të tij në veriun e Kosovës. Serbët e Kosovës kanë nevojë serioze për autonomi nga Serbia, po aq sa edhe në Kosovë, në mënyrë që të kenë një të ardhme plotësisht të suksesshme në shtet.

Së dyti, BE-ja duhet të eliminojë çdo dyshim të vazhdueshëm për natyrën detyruese të marrëveshjes dhe të dispozitave të saj. Të nxitur nga komentet e nxituara në internet, shqiptarët e Kosovës janë të shqetësuar se Vuçiq mund të largohet nga marrëveshja sepse nuk e ka nënshkruar atë, ose thjesht të zgjedhë t’i zbatojë vetëm ato dispozita që dëshiron t’i zbatojë. Zyrtarët perëndimorë e kanë ndihmuar Vuçiqin në fshehjet e tij për shkak se autokratit i duhet të përballet me kritikët vendas. Nëse Vuçiqit i lejohet të shtrembërojë kushtet apo edhe statusin e marrëveshjes, shanset e zbatimit të marrëveshjes bien menjëherë.

Qytetarët serbë meritojnë ta dinë të vërtetën – dhe Vuçiq mund ta përballojë këtë. Kur bëhet fjalë për traktatet dhe marrëveshjet e tjera ndërmjet shteteve, ajo që ka rëndësi është pëlqimi që lidh marrëveshjen sipas ligjit ndërkombëtar. Siç e ka pranuar Vuçiq, një nënshkrim mund ta manifestojë këtë, por nuk është thelbësor. Neni 11 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve e bën të qartë se: “Pëlqimi i një shteti për t’u lidhur nga një traktat mund të shprehet me nënshkrim, shkëmbim të instrumenteve që përbëjnë një traktat, ratifikim, pranim, miratim ose aderim, ose nga çdo mjet tjetër nëse ka dakordim”.

Teksti i marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja – marrëveshja bazë dhe aneksi – tregon synimin e qartë të palëve për të hyrë në marrëveshje në mënyrë të plotë. Në pikën e dytë të aneksit, palët “angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe të Aneksit, si dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.

Kjo është jashtëzakonisht e ndryshme nga Marrëveshja e Uashingtonit e vitit 2020, që u nënshkrua nga Vuçiq dhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë të Trumpit. Ajo marrëveshje jodetyruese as nuk i emërtoi siç duhet palët, ndërkohë që marrëveshja Bruksel-Ohër i referohet hapur Kosovës dhe Serbisë dhe i etiketon ato si “Palë Kontraktuese”. Ndryshe nga marrëveshja e Trumpit, tekstet Bruksel-Ohër janë koherente. Një preambulë kuadron çështjet thelbësore ligjore dhe politike. Aneksi i Ohrit përfshin disa afate kohore dhe një mekanizëm zyrtar zbatimi – të gjitha që dëshmojnë qëllimin e qartë për të lidhur detyrimin me ligj.

Si ndërmjetës i përcaktuar nga OKB-ja, BE-ja është plotësisht e autorizuar të përcaktojë nëse Vuçiq dhe Kurti kanë pranuar të dy dokumentet pa rezerva. Gabriel Escobar, zëvendësndihmës sekretari i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, që mbikëqyr Ballkanin Perëndimor, ka mbështetur qëndrimin e BE-së, duke këmbëngulur se marrëveshja është “ligjërisht e detyrueshme”.

Fjalët nuk mjaftojnë. Brukseli duhet të ndjekë dhe të ndryshojë zyrtarisht proceset e pranimit në BE për Serbinë dhe Kosovën, për të reflektuar detyrimet e tyre të reja. Për t’ua bërë të qartë palëve – gjithashtu dhe Rusisë e Kinës – se nuk ka ambiguitet në lidhje me marrëveshjen Bruksel-Ohër, BE-ja duhet ta regjistrojë menjëherë atë në Sekretariatin e OKB-së. Kjo është plotësisht në përputhje me thirrjen e vetë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që “çdo traktat ose marrëveshje ndërkombëtare, pavarësisht nga forma dhe emri i tij përshkrues… të regjistrohet sa më shpejt të jetë e mundur”. Kjo vlen gjithashtu edhe për një “marrëveshje që është duke u zbatuar përkohësisht përpara hyrjes së saj në fuqi”.

Regjistrimi i shpejtë do të shërbejë si njoftim për Beogradin dhe Prishtinën se BE-ja nuk do të tolerojë mohimin e përmbajtjes së marrëveshjes – siç ka bërë Vuçiq, duke mohuar mundësinë e Kosovës drejt anëtarësimit në OKB. Beogradi nuk duhet të shqetësohet rreth regjistrimit në OKB, duke pasur parasysh se Serbia filloi procesin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 2008, që përfundimisht i dha BE-së mandatin e saj për dialogun me Kosovën në vitin 2010. Në të vërtetë, Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e vitit 2010, e bashkësponsorizuar nga Serbia, nënkupton krijimin e një mundësie që BE-ja të raportojë tek OKB-ja për progresin në dialog.

Së fundi, Uashingtoni duhet të bëjë presion ndaj partnerëve të vet në BE për të trajtuar zbrazëtirën më të madhe të marrëveshjes: mohimin e Kosovës ndaj rrugës së vërtetë europiane. Pesë shtete të BE-së – Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – refuzojnë me kokëfortësi të njohin Kosovën, duke e penguar Prishtinën edhe të aplikojë për anëtarësim në BE ose NATO. Mbetet plotësisht e paqartë nëse njohja de facto e Serbisë në marrëveshjen Bruksel-Ohër do t’i shtyjë mosnjohësit të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Këtu kanë rëndësi formalitetet. Nënshkrimi i Serbisë dhe, akoma më mirë, ratifikimi i marrëveshjes, mund t’i shtyjë palët të bëjnë hapin e vonuar dhe ta njohin Kosovën.

Koha është thelbësore. ShBA-ja dhe BE-ja tani kanë përkushtuar kredibilitetin e tyre ndaj një marrëveshjeje që Rusia dhe Kina kanë çdo interes ta përmbysin. Arritja e vetëm katër mosnjohësve të NATO-s – që përjashton Qipron e cila ka pozicion të ashpër kundër Kosovës – për të ndryshuar qëndrimin e tyre, do të bënte që marrëveshja Bruksel-Ohër të sillte ndryshim thelbësor; ndërsa duke e lënë Kosovën vetëm pjesërisht të njohur në Europë, gjendja e tanishme josistematike do të rrinte e pandryshuar. Nëse procesi zvarritet në vitin 2024, frika është se Uashingtoni i shpërqendruar do të humbasë fokusin, duke lejuar që procesi të kalojë përsëri vetëm në menaxhimin e krizave.

Administrata Biden duhet të mendojë jashtë kutisë. Një qasje është që të bindë Ukrainën të njohë Kosovën në bazë të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke i përballur mosnjohësit me një sfidë të vështirë: nëse vendi, kufijtë e të cilit po shkatërrohen nga një armik me armë bërthamore, mund ta njohë Kosovën, pse nuk mund ta bëjnë këtë edhe vendet si Spanja?

Koordinimi dhe fokusi i ngushtë transatlantik i kanë sjellë Serbinë dhe Kosovën në prag të një përparimi të madh. Me pak më shumë përpjekje dhe imagjinatë nga Shtetet e Bashkuara dhe Europa, i gjithë rajoni mund ta tejkalojë situatën e tanishme, ashtu që Ballkani të mbrohet përgjithmonë nga ndikimi rus dhe ai kinez.

*Shkrimi është publikuar fillimisht në revistën Foreign Policy.

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.