Kosova është çliruar, administruar dhe pavarësuar nëpërmes njëqind betejave. Jo një lufte të vetme. Këto beteja nuk i kemi bërë vetë. Gjatë viteve 90-ta kërkesa maksimaliste politike e Kosovës ishte çlirimi pa luftë. Serbia ishte brenda Kosovës. Pas 99-tës, kërkesa maksimaliste e Kosovës ishte ‘Kushtetuta’ dhe jo ‘Korniza Kushtetuese’. Serbia ishte jashtë Kosovës, por serbët kishin filluar procesin e ndërtimit të institucioneve paralele. Pas pavarësisë, kërkesa maksimaliste ishte sovranitet i plotë. Serbët tashmë pjesërisht kishin treguar indicie të mjaftueshme integruse në Kosovë. Gjatë dy dekadave të fundit, Kosova ka bërë hapa domethënës ndonëse asnjë prej kërkesave të saj maksimaliste nuk është realizuar në kohën e artikulimit të tyre. Në politikë, qëllimet maksimaliste vështirë se arrihen me mjete minimaliste.
Gjatë viteve 90’ta, përmes qasjes paqesore, LDK-ja ishte bartëse e projektit maksimalist të çlirimit të Kosovës pa luftë. Ky projekt u kontestua dhe, paralelisht kësaj, organizimi i luftës çlirimtare të Kosovës, solli intervenimin e NATO-së në Kosovë, paçka Kosova nuk do të mund të çlirohej. Vendosja e administratës së UNMIK-ut pasoi me krijimin e infrastukturës dhe mekanizmave institucional si Këshilli Tranzitor i Kosovës dhe Këshilli i Përkohshëm Administrativ. Në vitin 2001, Kosova u bë me ‘Kornizë Kushtetuese’. Debati maksimalist i PDK-se, e cila në zgjedhjet lokale i kishte humbur zgjedhjet, ishte që kjo të quhet Kushtetutë e Kosovës. PDK fokusohej në terminologjinë problematike që ishte adoptuar brenda kësaj Kornize, si, fjala vjen, në vend të termit qytetar përdorej termi banor, mungesa e referendimit etj. Madje, deri në fund, PDK-ja kishte refuzuar që të nënshkrunte këtë Kornizë. Megjithatë, në bazë të kësaj kornize, ndonëse aparati terminologjik i saj nuk i referohej një shteti, u organizuan zgjedhjet, u ndërtuan institucionet, dhe Kosova u bë gati për ta qeverisur vetveten.
Përmbushja e standardave para statusit, projekt ky i lansuar më 2003 nga UNMIK-u në Kosovë, çoi Kosovën në negociata në Vjenë. Kërkesa e të gjithë akterëve politik gjatë këtij procesi ishte pavarësia dhe sovraniteti i plotë. Si rezultat i këtij procesi, më 2007 Plani i Ahtisaari propozi pavarësi të mbikëqyrur dhe të drejta të zgjeruara për serbët. Një kerkesë maksimaliste e 1991 u realizua pjesërisht me 2008. Ky plan natyrisht se nuk i përmbushte kërkesat maksimaliste të Kosovës, dhe Lëvizja Vetëvendosje kundërshtonte këtë plan. Përkundër faktit se ky plan nuk realizonte në plotni kërkesat e shqiptarëve në Kosovë, në bazë të këtij plani Kosova shpalli pavarësinë e saj, duke e integruar thelbin e këtij plani në Kushtetutën e saj. Kosova u bë me Kushtetutë të re, e cila e themelonte Kosovën si shoqëri multietnike. Një kërkesë maksimaliste e 2001 që Kosova të kishte kushtetutë, u realizua me 2008. Kosova tregoi maturi duke zbatuar në një masë të konsiderueshme të drejtat që plani i Ahtisaarit iu kishte dhënë komunave serbe përmes procesit të decentralizimit. Edhe integrimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të krahasohej me Kosovën e pas luftës. Mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës morri fund më 2012, ndonëse përsëri Kosova dhe as partnerët mbikëqyrës nuk kishin arritur që të zbatonin planin e Ahtisaarit në veri të Kosovës. Përkundër këtij fakti, Kosova u njoh nga një numër jo i vogël i shteteve, përfshirë ato më demokratike sot.
Rezistenca e Serbisë që ta kontestoj shtetësinë e Kosovës u konkretizua përmes opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, përmes së cilit opinion pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, thuhej shprehimisht, ishin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Për dallim prej pjesës tjetër të serbëve, serbët në veri të Kosovës tregonin pak shenja integruese në Kosovë. Serbia kishte investuar fuqishëm në atë pjesë duke shpenzuar mbi 200 million euro në vjet në rroga dhe mëditje. Kosova do të detyrohej të futej edhe njëherë në një process të gjatë negociimi me Serbinë, përmes bashkësisë ndërkombëtare, për të adresuar këtë problem. Më 2013, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, thelbi i së cilës marrëveshje ju jep serbëve të drejtën e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Marrëveshja u ratifikuar përmes një ligji të veçantë në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje kontesoi si antikushtetuese këtë marrëveshje, por Gjykata Kushtetutese e Kosovës kishte konkluduar se formalisht marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, dhe kishte refuzuar që jap mendim rreth përmbatjes së marrëveshjes. Në bazë të kësaj marrëveshje, një derivat tjetër i kësaj marrëveshje është nënshkruar nga kryeministri i Kosovës më 2015. Kërkesat maksimaliste e opozitës janë tërheqja e nënshkrimit nga kjo marrëveshje, ose dorëheqja e qeverisë. Qëndrimi maksimalist i VV-së për tërheqje nga kjo marrëveshje është konsistent, por nuk është konsistent pika referente e saj – Plani i Ahtisaarit, të cilën VV e ka konsideruar si të papranueshëm. Qëndrimi i AAK-së, në anën tjetër, është inkonsistent, për faktin se vetë AAK, ndonëse në opozitë, ka qenë e përfshirë në procesin e dialout Kosovë-Serbi përmes nënkryetarit të saj, siç nuk është konsistent as qëndrimi i NISMA-së, nismëtarët e së cilës në kohën kur ishin figura kyçe në PDK para se të themeloheshin si pari politike, nuk e kishin kontestuar asnjëherë marrëveshjen e 19 prillit.
Kosova ka përgjegjësi ndërkombëtare shumë më shumë se një OJQ. Pasojat e tërheqjes së nënshkrimit të Kosovës nga kjo marrëveshje nuk janë të barabarta me pasojat e tërheqjes së nënshkrimit të një OJQ nga një partneritet, ose të pale nga një kontratë. Edhe në kontratat më bazike mes personave privat, tërheqja e njëanshme e nënshkrimit ka pasoja jo vetëm juridike, por edhe financiare. Kosova ka këtë rregullim kushtetues që e ka. Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se ajo nuk ka kompetenca që të interpretoj përmbatjen e marrëveshjeve ndërkomëbtare, por vetëm procedurën e ratifikimit të tyre në Kuvend. Kjo praktikë nuk është shpikur për herë të parë në Kosovë. Gjykatat Kushtetuese në shumë vendeve demokratike ndjekin të njëjtën logjikë të kushtetutshmërisë. Megjithatë, ka shumë aspekte që opozita mund dhe duhet të kontribuoj. Procesi nuk ka mbaruar. Pjesa më domethënese do të jetë rregullimi statutor i asociacionit.
Statuti i Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin për Bashkëpunim Ndërkomunal. Pozita dhe opozita duhet ta interpretojnë germën dhe frymën e ligjit në Kosovë. Sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, komunat nuk kanë të drejtë të delegojnë kompetencat primare (si planifikimi urban, zhvillimi ekonomik etj.) tek asnjë asociacion. Këto kompetenca sipas legjislacionit tonë janë komptenca të komunave dhe të asnjë organizimi tjetër politik në Kosovë. Përmbatja e Stautit të Asociacionit të Komunave Serbe duhet të jetë thelbi i dialogut politik pozitë – opozitë. Nëse qëllimi maksimum i opozitës është sovraniteti i Kosovës në aspektin afatgjatë. Dhe jo alternimi i pushtetit dhe hasmëria me të gjitha ata që akterë ndërkombëtar që e kanë bërë Kosovën me kërthizë, me shtet, pra. Prandaj, pozita e opozita, duhet ta kuptojnë se Kosova nuk është Robinson Kruzo. Izolimi i Kosovës nuk është zgjidhja. Dialogu dhe bashkëpunimi i brendshëm dhe i jashtëm, po. Betejat për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës vazhdojnë. Këto beteja as nuk mund t’i bëjmë dhe as nuk mund t’i fitojmë pa bashkëpunim ndërkombëtar.
_________________
Ky shkrim është ribotuar nga redaksia pas një tërheqje për shkaqe teknike.